Ballina Histori KUKËSI NË PRANVERËN DRAMATIKE TË 1999-s – Nga Petrit PALUSHI

KUKËSI NË PRANVERËN DRAMATIKE TË 1999-s – Nga Petrit PALUSHI

Nga libri “Kukësi në 79 ditë” (Botim i dytë, i plotësuar), botim i Ombra GVG, Tiranë 2019 / Botim i parë, Eurorilindja, Tiranë 1999… /

Nga DITARI

E diel, 28 mars 1999
(Pak kohë pa u avitë mesnata)

Në Kukës ranë këmbanat e alarmit.
Në orën 13 të ditës së djeshme afër 300 vetë të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël kaluan Doganën e Morinit dhe po vinin drejt Kukësit. Por ky qe veç fillimi. Askush s’e dinte dhe s’mund ta merrte me mend se prej mesditës së djeshme dhe deri në këtë orë, bash kur po mbërrin mesnata, në Kukës do dyndeshin 40 mijë vetë. Aq më tepër kur ditën e të premtes në Doganën e Morinit s’kishte kurrfarë lëvizje. As natën e të premtes. Por as paraditen e ditës së shtunë.
Këto janë shenjat e para se Millosheviçi dhe qeveria e tij kanë nisur spastrimin etnik apo shkuljen etnike ndaj të shqiptarëve të Kosovës. Eksodi biblik ka përfshi tani për tani kryesisht vetëm gratë dhe fëmijët. Nuk dihet sa do të vazhdojë kështu, por nuk dihet se çdo të bëhet me ata që erdhën dhe po vijnë në këtë qytet, popullsia e të cilit po shtohet prej orës n’orë.
Por, kjo zhvendosje, kjo lëvizje e papritshme e mijëra e mijëra shqiptarëve të Kosovës sikur shkaktoi tërmet. Të duket se në qytet dhe rrethinat e tij, por edhe në rrugën Morin – Kukës sikur ka humbë drejtpeshimi. Të duket se traktorët dhe automjetet e tjera që vijnë në Kukës nuk shkarkojnë të shpërngulurit me dhunë prej trojeve të tyre, por vetëm vuajtje dhe dhimbje njerëzore.
Kjo vuajtje, kjo dhimbje e pamatshme shtrihet përgjatë rrugës Morin – Kukës, në krejt katundet atypari, në qytet dhe krejt hapësinën përreth. Është e vështirë ta kundrosh këtë pamje, gati – gati e pamundshme. Njeriut mund t’i zihet fryma kur sheh fëmijë të vegjël strukë në traktorë dhe, sado mund të bësh për ta, të duket pak, shumë pak dhe aq më tepër kur e ndien se drama e tyre po merr përmasat e një orteku, që sa vjen e shtohet dhe pa e ditë kush se kur mund të ndalë.
Në mbasditen e djeshme shumë familje u mbajtën në shtëpitë e tyre prej banorëve të Morinit, Bardhocit e të katundeve të tjera, por fluksi i të tjerave që vinin, shtohej gjithnjë e më tepër.
Sheshi qendror i qytetit u mbush plot.
U hapën edhe dyert e Pallatit të Kulturës “H. Prishtina” dhe u mbush menjëherë.
Por Pallati i Kulturës sa mbushej, zbrazej. Banorë të qytetit vërshyen në dyert e tij dhe marrin një a dy familje me veti pa i njoftë e pa i ditë. Gjithçka kryhet pa fjalë, pa zhurmë. Mjafton vetëm thirrja e të zotit të shtëpisë: “Ju, sa të jeni do vini tek unë”, dhe familja e ftuar niset për kah e prin banori i Kukësit që e fton. Mund të dëgjohen fjalët: “Të njani-tjetrit jemi”, siç mund të dëgjosh të thuhet: “Ju ruajtë Zoti!”.
Prej mesditës së djeshme dhe deri në mbrëmje vonë TV Kukësi përcolli disa herë thirrjen e Kryetarit të Bashkisë Kukës, Safet Sula, drejtuar banorëve të Kukësit, ku ndërmjet të tjerave thuhej:

“Është e pamundshme, që vëllezërit e motrat tona të Kosovës të strehohen në mjediset që ka Bashkia, prandaj duhet të hapim dyert e zemrat tona”.

Pa u avitë terrimi, një Skodë ndalet në mes të sheshit të qytetit. Në karrocerinë e mbushur kulmas mund të jenë mbi 40 vetë dhe thuajse ngjitmas njëri me tjetrin. Të ngjan se kupa e qiellit u ka rënë mbi krye. Shoferi Shkumbin Braha hap menjëherë tri anëset e Skodës dhe ata zbresin thuajse me një frymë.
“Është hera e dytë që vij”, – më thotë shoferi. – “Herën e parë, do banorë prej Pirane i pruna te Rajoni i policisë se s’dija ku t’i çoja, ndërsa ketë herë në mes të sheshit. Po shkoj prap me marrë të tjerë”.
Drama e t’ardhurve po shtrihet dalngadalë në gjymtyrët e kësaj hapësije dhe njëkohësisht edhe në frymën e shpirtin e njerëzve.
Dhe mëngjesi i ditës së sotme e zë qytetin me brengën më të madhe ndoshta në gjithë historinë e vet.
Erdhën edhe banorë të komunave të marrin familje në shtëpitë e tyre.
Halil R. Istrefi (me banim në Drinas), mori një familje 18 anëtarëshe. Më thotë se, sapo dëgjoi lajmin s’mund të rrinte i qetë ai dhe familjarët e vet, prandaj erdhën menjëherë te Pallati i Kulturës. “Ne, kuksianëve”, – më thotë, – na erdhi ora me qëndrue. Në Kukës, shpija asht e Zotit dhe e kosovarëve”.
Një gjë krejt e pangjashme: Një 40 vjeçar në Kukës kërkon intuitivisht me ndërrue sentencën e famshme e të pandryshueshme të Kanunit: “Shpija asht e Zotit dhe e mikut”, me “Në Kukës, shpija asht e Zotit dhe e kosovarëve”. Ndërsa te sentenca e “Kanunit” miku është i papërcaktueshëm, kushdoqoftë ai, te sentenca e formulueshme e atypëratyshme e 40 – vjeçarit Halil R. Istrefi, miku është i përcaktueshëm, veçse jo një individ, por një kolektiv njerëzor. Para se me u nda me të i thashë se kjo formulë e re e tij është e përkohshme, ndoshta do funksionojë vetëm për pak muaj se, me sa ma ndjente shpirti dhe zemra, herdokur kosovarët do kthehen prap atje. Megjithatë, sentenca e “Kanunit”: “Shpija asht e Zotit dhe e mikut”, mbetet e bukur, gati-gati hyjnore në çdo kohë.
Mësuesi Gazmend Sinamati (me banim në Bicaj), erdhi me një kamion, por i lindi një problem: Familja që do merrte me veti ishte 36 anëtarëshe dhe kamioni s’i merrte krejt, atëherë u tha se do ta bënin me dy rrugë.
Gjithë dita e sotme ishte në lëvizje dhe ndoshta mëngjesi çeli me heret se çdo herë tjetër.
Përsëri kolona e gjatë e traktorëve prej Morini deri në Kukës. Të ardhurit drejtojnë traktorët e tyre për kah xhamia dhe sheshi qendror i qytetit. Aty kah ora 10, një traktor e kishte rrotën e përparme të shqyer dhe mezi ecte. Për një çast u ndalua. Atëherë, tre prej kalimtarëve n’anë t’udhës, afrohen dhe e shtyjnë, por mesa duket, ai që e ngiste u tha se s’kish nevojë për ndihmë se mund të shkonte edhe ashtu.
Të shpërngulurit që erdhën në Kukës kallëzojnë se në kufi policia serbe ua mori letërnjohtimet dhe ua grisi. Ua hoqi edhe targat e makinave. Por kallëzojnë se nëpër katundet e qytetet e tyre ushtarët dhe policia serbe po i nxjerr me forcë njerëzit prej shtëpive të tyre dhe po i nisin drejt Shqipërisë. Ata thonë se në shumë vende, shtëpitë ua dogjën dhe ushtria dhe policia serbe kanë masakruar shumë vetë dhe ka raste kur, 30 apo 40 vetë i kanë futë në një gropë të përbashkët.