Gruaja e re, që thirrej Amla, hodhi kafen në dy filxhanë, pastaj u kthye nga i shoqi, e pyeti:
– Si thua, Progan? Të dalim ta pimë, si gjithnjë, në ballkon?
– Jo, – nëpërdhëmbi ai.
– Përse?!
Progan Lubani, i hodhi të shoqes një vështrim të shkurtër e kryeneç.
– Nuk e kuptoj, ku është ndryshimi! – tha.
– Jashtë, ka diell, Progan! – ia ktheu ajo. – Dhe kumbulla poshtë nesh sapo ka çelur. A nuk mjafton kaq, për të dalë e për ta pirë kafen në ballkon?!
E tha e qeshur, me sytë që i shkëlqenin nga një ngazëllim prej fëmije miturak. Por qe edhe si një lutje, sepse nuk donte ta lëndonte të shoqin.
– Ti dil dhe pije në ballkon, nëse don, – ia pat ftohtë ai. – Unë do qëndroj këtu ku jam.
Nuk ishin bërë as tre muaj, që patën marrë me qira këtë apartament në katin e tretë. Hapsirat aty qenë të bollshme; kurse dritaret, bashkë me ballkonin, rriheshin nga dielli qysh në lindje të tij.
Ditët e para, ata e bënë zakon ta pinin kafen e mëngjesit bashkë në ballkon; sidomos në fundjavë, kur qenë pushim.
U pëlqente pamja e rè e atij cepi qyteti: rruga, pothuajse e qetë, me fare pak lëvizje makinash; blirët në të dy anët e saj; dyqani i luleve me trumbat shumëngjyrëshe të nxjerra jashtë; kodrina e veshur me mështekna atje tej; dhe vija e kurrizit të saj me lakesa, ku në kohë të mirë, e gjelbërta e pyllit, takohej me blunë e qiellit të kthjellët. Mirëpo, kur kësaj pamje, iu shtuan edhe tingujt e një violine, që vinin nga një apartament në krahun e djathtë, gruas nisi t’i pëlqente edhe më shumë të dilte në ballkon. Por burri, filloi të mos ndjehej mirë. Atij, iu ngjiz në kokë një llurbë dyshimi, që dikujt, ia kishte shkrepur të luante në violinë për të shoqen e tij, të bukurën Amla.
Që nga ballkoni, mund të shikoheshin dritaret e apartamentit nga vinin tingujt muzikor, sepse pallati kishte formën e shkronjës L. Njëra nga ato dritare, mbahej e hapur përgjatë gjithë ditës. Pogani kish dashur të dinte kush banonte aty, por nuk ia pati dalë dot. Ai kishte vënë rè, që Amla, sa herë dëgjonte ato simfoni, bëhej disi e heshtur, e menduar, e kursyer në fjalë, apo e zhytur në ëndërrim. Nëse ai, çelte gojë e thoshte diçka, ajo mjaftohej vetëm me një “po”, ose një “jo”, që i dilte përtueshëm nga buzët. Ajo që e shqetësonte më tepër këtë burrë namuzli, nuk qenë tingujt e violinës, por fakti, që simfonia, në shumicën e rasteve, niste me daljen e tyre në ballkon; dhe fashitej me tu kthyer brenda apartamentit.
Dy javë më parë, Progan Lubani, e pati pyetur të shoqen, nëse e dinte, cili ishte ai cub, që guxonte të niste të luante në violinë sa herë ajo dilte në ballkon. Amla, vetëm sa kishte ngritur supet. Si mund ta dinte?!
– Përse na duhet ta dimë cili është, Progan?! – i pati thënë ajo. – Asgjë e keqe nuk na vjen nga muzika.
Po Amla dinte pjesët, që luheshin: një herë një sonatë nga Amy Beach; një herë tjetër nga Bethoven, Vivald, Paganin, e kështu me radhë. Gjithëherë të luajtura mjeshtërisht.
Gjysëm ore më parë, kur Amla ende flinte, Progani kishte dalë në ballkon vetëm për pak çaste, sa të dridhte e pinte një cigare.
Me të ndezur cigaren, ai vuri rè, që dritarja në apartamentin tjetër vazhdonte të ishte e hapur.
Për aq minuta sa qëndroi aty, as një tingull violine nuk u dëgjua. Atëherë, i bindur, që tingujt e asaj vegle muzikore binin vetëm për të shoqen, Progan Lubani, hyri brenda apartamentit dhe vendosi të mos dilte fare me Amlën në ballkon.
– Më pëlqen ta pi kafen në ballkon, Progan, – këmbëngulte ajo. – Përse do, që të më lëshë vetëm?!
– Në ballkon, ti nuk je vetëm, – i tha ai.
Dora, me të cilën mori filxhanin për të hedhur gllënjkën e parë, nisi të dridhej lehtë nga nervozizmi; ndaj, ai e la filxhanin në tryezë, dhe filloi të shkundej duke ngritur e ulur supet; athua se donte të hiqte një barrë të rëndë.
– Nëse nuk jam vetëm, me cilin jam, Progan?! – pyeti Amla.
Progan Lubani u rrënqeth. Jo nga pyetja, që i bëri ajo. U rrënqeth nga ai vështrimi i papërballueshëm i syve të saj të bukur.
Amla, e pyeti atë më shumë me sy, se sa me fjalë! E pyeti me sytë e saj prej fëmije të pafajshëm. Dhe ai, për pak sa nuk u ngrit ta përqafonte plot dashuri e përdëllim. Ta puthte e t’i kërkonte të falur. Po në çast, sepse ndjeu përbrenda një yshtje të përzier me keqardhje, për ta bërë të shoqen të vuante pa shkak; e bashkë me të shoqen, të vuante edhe vetë ai. Shpesh herë i ndodhte kështu Progan Lubanit. Dhe kurrë nuk kishte mundur ta gjente përse.
Duke i hedhur fjalët rëndë-rëndë, si të rrokullente gurë, ai tha:
– E di vetë ti, me cilin je.
Ajo e kishte një shpraztinë në zemër; por këto fjalë, e bënë të ndjehej edhe më keq. Qe si t’i kishin hedhur në shpirt një lopatë dhè. Po nuk e bëri veten. Vazhdoi ta lante e dëlirte me vështrimin e syve të saj të mëdhenj e të qashtër. Pastaj, qetë-qetë, vajti e iu ul pranë. Ju afrua ashtu siç mund t’i afrohesh një të sëmuri që lyp përkujdesje.
– Unë të dua, Progan, – i tha. – Por ta dishë, që kur dëgjoj tingujt e asaj violine, e sidomos, atë heshtjen mes notave, të dua edhe më shumë. Ato çaste, ti bëhesh frymë e ndryme brenda meje. Të dua edhe njëqind herë që nga fillimi, duke përjetuar ato ditët tona të para kur sapo qemë njohur. Të kujtohen?!
Ai nuk u përgjigj. Vetëm dëgjonte në heshtje.
– Nganjëherë, dua të qaj; e nganjëherë, të qesh. Por më ndodh, edhe të shkërmoqem, bluhem e bëhem polen. Pastaj harroj ku ndodhem. Më merr era me vete e më çon larg…
– Të çon era, apo mendja? – e shpotiti ai, i yshtur përbrenda nga një gëverr i skuthshëm.
Ajo e shpërfilli cinizmin e tij. U mendua njëherë, pastaj tha:
– Ndoshta të dyja, Progan.
– Ku të çojnë?
– Nuk di të them ku më çojnë.
– A do, që ta them unë, Amla?! A do, që ta them unë?!
Qe si një kërcënim kjo pyetje ngulmuese, po ai e pà edhe vetë, që nuk bëri asnjë efekt.
– Thuaje, – ia ktheu ajo me vërtik, edhe pse e dinte mirë çfarë kishte në mendje i shoqi.
Po ai, e la me kaq. Përse t’ia thoshte, derisa Amla e dinte?
– E di çfarë, Progan?! – nisi të fliste ajo pas një heshtje të shkurtër. – Le t’i japim fund kësaj historie. Cilido qoftë, ai, apo ajo, a nuk i çojmë një tufë me lule?! E blejmë te luleshitësi pranë rrugës, pastaj ia çojmë si dhuratë. Ka tre muaj, që sa herë dalim dhe ulemi në ballkon, luan në violinë për nè.
– Luan vetëm për ty, – tha ai. – Nuk luan për mua.
E tha ashtu si i doli. Dhe në çast u bind që kësaj here, e kishte tepruar. Po Amla, i la këto fjalë në shmang.
– Sido, që të jetë, Progan, kjo histori mbyllet kështu.
Progan Lubani, nuk foli. Po Amla e pà se si u këndell e u çelit në fytyrë nga propozimi i saj; dhe e kuptoi, që ideja e saj për t’i çuar tjetrit lule bashkë me të, ia fshiu disi atë llurbë dyshimi.
Ndërsa ajo priste përgjigjen e tij, burri u ngrit nga vendi ku qe ulur, hodhi vështrimin jashtë përmes dritares, e si u mendua një copë herë, tha vetëm një fjalë:
– Dalim.
U bënë gati dhe dolën.
Teksa zbrisnin shkallët, ai u përpoq të bënte shaka. Tha se kjo që po bënin, qe me shumë rrezik.
– Më ngjan sikur po shkojmë të pastrojmë një fushë të minuar! – tha ai. – Dhe të mendosh, që unë, nuk ia them hiç nga ky zanat. Nëse ndodh ndonjë shpërthim, do jemë unë ai, që do vritem.
– Po, – tha ajo. – Ti do të jeshë. Dhe, a e di përse?
– Thuaje, – tha ai.
– Sepse mina është në kokën tënde.
Kur dolën në rrugë, Progan Lubani ndezi një cigare. Pastaj, teksa e thithte, ndjeu farfurinë e ngrohtë të rrezeve të diellit; dhe hodhi vështrimin nga kumbulla në rrezg të lulëzimit. Kqyri bletët, që fluturonin me zëzëllimë e mblidhnin nektar degëve të lulëzuara. Dhe iu bë sikur i erdhi në vesh vajtimi i një zëri njëqindë vite larg. “Jashtë, ka diell, Progan! Dhe kumbulla poshtë nesh sapo ka çelur”.
– Cfarë lulesh të pëlqen t’i blejmë, Amla?
Kësaj here, zëri i tij qe i shtruar, i butë.
– Trëndafilë, – ia pat përnjëherësh ajo. – Vetëm trëndafilë.
Si blenë trëndafilët, u nisën për nga hyrja tjeter e pallatit, ku në katin e tretë, ndodhej apartamenti me dritaren e hapur, prej nga vinin tingujt e violinës.
Me të dalë te qoshja, ata panë një makinë të zezë shërbimesh funerale, që priste ndezur në sheshin e asaj ane të pallatit; si dhe grupe të vogla njerëzish. Kishin zënë vend në këmbë dhe flisnin me zë të vogël.
Te hyrja, Progani dhe Amla ndaluan dhe pritën sa të dilnin jashtë disa burra, që sapo zbritën shkallët duke mbajtur në krahë një arkëmort.
Dikush kishte vdekur!
Pas tyre, u dha tek hyrja një grua e moshuar, thatane, e cokatun, me krahët e kryqëzuar në gji e me sytë e turbullt, të zhgjyrosur nga mosha e të rrëmbushur me lotë. Tërhiqte zvarrë një palë shapka të mëdha e të vjetra; kurse supeve, kishte hedhur një xhaketë burrash, gjithashtu, të madhe.
Amla iu avit dhe e pyeti, sepse deshi të dinte kush kishte vdekur.
E moshuara, fshiu njëherë lotët me kindin e shamisë që mbante në kokë, ofshani, e me buzët që i dridheshin, memzi foli e tha:
– Vdiq një violiniste e dalë prej kohësh në pension, që jetonte krejt e vetmuar. E kisha si motër…
Burrë e grua shtangën në vend.
U kthyen në apartament pa i thënë asnjë fjalë njëri-tjetrit.
Progan Lubani zuri vend i ulur në divan.
I ngrysur e i heshtur si një murg, ai nisi të çukërmonte me thua një kallo në shputën e dorës së majtë. Kurse Amla, doli në ballkon me trëndafilët, që mbante ende në dorë. Pastaj, ajo u ul në karrige dhe hodhi vështrimin nga apartamenti tjetër. Dhe, kur vuri rè, që dritarja prej nga patën ardhur tingujt e simfonive të luajtura në violinë ishte mbyllur, u shkreh e mbytur në lot.
New York, pranverë, 2020