Ballina Diaspora Dua të vdes bukur, jam NJERI – Nga Kozeta ZYLO

Dua të vdes bukur, jam NJERI – Nga Kozeta ZYLO

Unë dua të vdes bukur,
Sepse bukur i kam nderuar të tjerët në çastin e mbramë.
Une dua të vdes natyrshëm, sepse natyrshëm më lindi nënëmira Liri.
Une i urrej helmet toksike, sepse fjala ime ka rrjedhur vetëm mjaltë,
Une i përbuz politikanët e paskrupullt, sepse ata janë helmi ynë,
Unë s’jam ulur kurrë në kolltuket e tyre, sepse mbajnë erën e urinës së minjve,
Unë në sytë e tyre nga ekrani, kam ndjerë sytë e akullt të gjarprit,
Dhe shpirtin putanë të nuditetit, që endet territ si lakuriqët e natës,
Duke prodhuar virusin më të mistershëm në botë, mbytjen e njerëzve të pafajshëm,
Si dhe të mjekesisë pa maska mbrojtëse, peshqesh nga fytyrat me maska të kllounve zhvatës,
Që derdhin lotët e krokodilit nëpër mediume.
Ndërkohë mijëra janë në radhë për t’u dergjur në shtratet e vdekjes tragjike,
Këtë vdekje që s’e dëshiron askush, por ajo po ndodh,
Bash m’u në syte tanë, kudo, në ajer, në tokë, në det.
Ah se harrova, sidomos atë vdekjen,
Në dhomat sa një WC publike, pa dritare të anijeve,
Që po i ankoron ushtria afër, afër meje sa një hap bebi që sapo ka filluar të eci,
Mbi Oqeanin Atlantik, ujë që e puthja me sy çdo mëngjes nju jorkez,
Se kishja menduar kurrë këtë gjëmë, s’dua të vdes vetëm mbi dallgë oqeanike,
Vetminë s’e kam njohur kurrë, ju premtoj se do ta godas me shkëmbinj të Mezhgoranit tim,
Dua në tokë, sepse toka më lindi dhe më rriti,
Dua të vdes bukur, sepse e meritoj,
Jam grua, nënë, gjyshe, mësuese,
JAM NJERI!

(dita e 7-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

27 Mars, 2020
Staten Island, New York