Ballina ED/OP Turbulencat e shkaktuara nga matrapazët politik! – Shkruan: Florim Zeqa

Turbulencat e shkaktuara nga matrapazët politik! – Shkruan: Florim Zeqa

Po e jetojmë një kohë të pa kohë, kur gënjeshtrat dhe mashtrimet kanë ngulfatur të vërtetën. E vështirë është të gjendet e vërteta në mesin e shumë lajmeve të ditës në rrjetet sociale dhe mediat elektronike të kontrolluara nga partitë politike dhe grupet e ndryshme të interesit. Si rezultat i kësaj, në tregun e kontaminuar mediatik qarkullojnë dezinformata dhe teori të pa imagjinueshme konspiracioni.

Në këtë ambient të ndotur mediatik bëhet akoma më e vështirë thënja e së vërtetës. Pak ka rëndësi, e kritikon apo lavdon dikë. Po e kritikove një subjekt politik apo lider partiak, duhet të jesh i gatshëm të përballesh me mbështetësit dhe militantët partiak. E njëjta gjë ndodhë edhe po i nxore në pah sukseset e një subjekti apo meritat e një lideri të caktuar partiak, menjëherë të kritikojnë për anim partiak apo përtej kësaj, brenda ditë të bëjnë “pjesë” të atij subjekti politik.
Të qenurit apartiak dhe i paanshëm, gjegjësisht i pavarur nga konjukturat partiake dhe i pa ndikuar nga grupet e interesit, është armë e fuqishme në thënjen e së vërtetës dhe përballimin me sulmeve të ulëta të injorantëve dhe qëllimkëqinjëve të nxitur nga bosët partiak apo nëntokat e tyre kriminale.

Menaxhimi i keq i situatës

Atë që e kam thënë në shkrimet paraprake, se rrëziku i ‘Qeverisë Kurti’ nuk vjen nga opozita, por nga taksa dhe dialogu me Serbinë po dalin të jenë plotësisht të vërteta, sikurse që doli i sakt konstatimi im, se shkaku i mos menaxhimit të mirë të situatës pas kërkesës së presidentit Thaçi për aplikimin e gjëndjes së jashtëzakonshme pas përhapjes së “Coronavirusit”, u përdor si pretekst për përçarjen e madhe të koalicionit qeverisës pas vendimit të ngutshëm dhe pa analizuar mirë të kryeministrit Kurti me rastin e shkarkimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Edhe përkundër papërgjegjësisë së lartë të ministrit Veliu, kryeministri Albin Kurti është dashur ta ruaj balancin qeveritar, për të vazhduar rrugën e nisur mbarë të pastrimit të institucioneve nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Shkarkimi i ministrit Agim Veliu, ishte vetëm një pretekst i liderit të LDK-së për faktorizimin e tij politik, i cili do të përdoret edhe si alibi për luftimin e kundërshtarëve politik dhe zërave ndryshe brenda subjektit që ai drejton. Që në start po vërehen qartë rreultatet e para, të neutralizimit të zërave ndryshe në LDK.
Bashkërendimi i menjëhershëm i veprimeve të liderit të LDK-së me liderët e partive opozitare e dëshmon personalitetin e tij të dyfisht dhe pabesinë ndaj partnerit qeverisës, në këtë rast LVV-së.
Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti nuk po ia del dot të menaxhoj si duhet krizen qeveritare. Mos përmbushjen e deklarimit dhe qëndrimit personal për heqjën e pjesshme të taksës më 15 mars, të cilën e arsyetoj duke fajësuar partnerin e koalicionit qeverisës, e realizoi pesë ditë më pas pa votat e ministrave nga radhët e LDK-së.
Poashtu, edhe liderët opozitarë po e shpërfaqin hipokrizinë e tyre. Bie fjala, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj (aplikues i takses) në njërën anë kërkon të mos anulohet taksa, ashtu siç bëri Albin Kurti, ndërsa në tjetrën e përkrahë i entuziazmuar mocionin për shkarkimin e tij.
Apo liderët e PDK-së dhe NISMA, Kadri Veseli (iniciator i taksës) dhe Fatmir Limaj (i pavendosur rreth takses) që e prishën koalicionin e PAN-it shkaku i mos heqjes së taksës, ndërsa tani po e mbështesin heqjen e taksës dhe natyrisht mocionin për shkarkimin e ‘Qeverisë Kurti’ pa llogaritur fare pasojat për vendin.

Çdo e keqe, e ka të mirën mbrapa

Fatkeqësia bëhet akoma më e madhe me politizimin e situatës emergjente, ku si rezultat i abuzimit të klasës politike me gjendjen e krijuar nga “Covid-19” për arritjen e qëllimeve politike, qytetarët e vendit po ndjehen të rrezikuar, akoma më të dëshpruar dhe të pashpresë.
Në vend që gjendja e krijuar pas përhapjes së virusit vdekje prurës të shfrytëzohet për mobilizim dhe unifikim të spektrit politik në shërbim të qytetarëve në parandalimin dhe tejkalimin e kësaj situate të rëndë dhe të pazakontë, kusarët politikë paturpërisht po e bëjnë të kundërtën e saj.
Kjo turbulencë e krijuar nga politikanët e papërgjegjshëm në kohë krize e fatkeqësie të popullit, pas tejkalimit të krizës së “Coronavirusit”, duhet të kthehet në mobilizm të përgjithshëm popullor për t’i larguar tërësisht nga skena politik të gjitha këto parti sa të papërgjegjshme, po aq zhvatëse dhe plaçkitëse në pushtet dhe opozitë, përkatësisht të gjithë politikanët mashtueses e intrigant që rropën e ç’rropën Kosovën sikur të ishte plaçkë lufte e jo atdhe i tyre për dy dekada rresht.

Koha për një alternativë të re politike

Për këto dy dekada nga përfundimi i luftës i provuam të gjitha partitë dhe politikanët në qeverisjen e vendit. Kush më pak e kush më shumë, të gjithë e treguan veten.
Ka ardhur koha për një alternativë të re politike, me njerëz të rinjë, shpirtëra të virgjër dhe padjallëzuar, që e duan me shpirtë e zemër atdheun e tyre-Republikën e Kosovës.
Shpëtimi më i mirë për vendin do të jetë largimi i politikanëve injorantë dhe hipokrit, zhvatës dhe hajdut, matrapaz dhe tradhëtarë të interesave kombëtare dhe zavëndësimi i tyre me politikanë të rinjë të shekullit 21, me kuadro të specializuara në Kosovë dhe vendet evro-perëndimore, pa anashkaluar asnjëherë atdhetarët dhe veprimtarët e dëshmuar në tridhjet vitet e fundit të rezistencës dhe luftës për çlirim të Kosovës nga vargonjët serbosllav.

Këtë shkrim dëshiroj ta përmbyllë me një rrëfim të një bisede që e zhvillova mbrëmë me mikun timin nga Vushtrria, derisa cakërronim nga një gotë raki nga largësia…,nga dëshprimi në klasën politike, miku i nderuar u shpreh kështu: “Do të ishte mirë mi nxjerr një ligj që ua ndalon pjesëmarrjen në jetën politike të gjithë politikanëve të pasluftës”!
Dëshirës së mikut ju përgjigja në këtë mënyrë: “Do të mjaftojë një iniciativë e shëndoshë e forcave progresive në Kosovë dhe Diasporë e cila do të mbështetet fuqishëm nga të gjithë qytetarët e vendit pa dallim rajoni apo religjioni, subjekti apo ideologjie për ta larguar përfundimisht këtë klasë kusarësh dhe matrapazësh politik”.

22.03.2020