Ka qenë një mbasdite vonë kur në Shkoder, në “Vorret e Rr’majit”, nën prarimin e qetësisë që mbretëron nën hijen e qiparizave, aso dite të trazuar shumë, në Kapelen ku prej 23 vitesh nuk thuhej meshë, do të “celebrohej” mesha e parë për shpirtin e purgatorëve. Dy ditë mbas ditës së “të shumtëve” (Ditës së të vdekurve që bie përvitshëm me 2 nëntor), 4 nëntor 1990…Pak më mbas qe lejuar më së fundi si lëshim i parë besimi në Zot edhe në vendin ateist, unikal në botë për nga ky shëmbëllim. Klerikët e pakët katolikë të mbetur gjallë prej zulmës ateiste, të sapodalë prej burgjeve të rregjimit (si prej fundit të ferrit), të ripërtërirë në shpirtin e tyre kurrë të bjerrun, ishin shpërndarë vetvetishëm nëpër kishët e transformuara e nëpër ato famulli prej ku i kishin nxjerrë përdhunshëm e i kishin plasë në burg. Nga “paria”e tyre kishte mbetë gjallë vetëm dom Nikollë Troshani. I vetmi Ipeshkëv i shuguruar. Edhe ai i sapodalë nga burgimi i gjatë… Kumti ishte kthyer në lajm tashmë dhe përcillej përzier me ngjarjet bujëmëdhá që njerëzit besimtarë po u drejtoheshin gjysmë të lirë, po me kurajo, enteve të kultit.
Në mbledhjen e redaksisë së “Bashkimi”-t, e cila qe rreshtuar tani disi në avangardë të veprimeve transformuese që po ndodhnin në proceset ripërtëritëse demokratike, Hamiti kryeredaktor më drejtohet mua:
-Ti do të shkosh t’i bësh një intervistë Ipeshkvit dom Nikollë Troshani. Një detyrë, që mua më gëzoi. Më pas, kur mbledhja mbaroi e dolëm, duke m’u drejtuar si gjithmonë ëmbëlsisht shtoi: -Ti e di që ai është nga Troshani, unë e kam njoftë heret. Me nipin e tij Ernestin, shumë vite më parë kemi qenë mësues bashkë në Blinisht të Zadrimës…
Të nesërmen kur mbërrita në shtëpinë ku qe kthyer e banonte ipeshkvi, e para gjë që më bëri përshtypje ishte një foto e madhe me ngjyra që pashë të kornizuar e varur në mur, e urimit që Papa Shenjti Gjon Pali i II i bënte Ipeshkvit Troshani me rastin e 50 vjetorit të shugurimit meshtarak. Atij dhe Kishës së Ripërtërirë Katolike të Shqipërisë, hierarku i vetëm i së cilës ai ishte…Duke dalë nga shtëpia-bujtinë e Imzot Troshanit, në krye të rrugicës na përshëndet një mesoburrë, mua bashkë me shoqëruesin tim që kishte njohje me ata të asaj shtëpie.
-Te Monsinjori ishit ?- lëshoi ai pyetjen përzierë bashkë me përshëndetjen.
-Po i përgjigjet, miku im bashkëshoqërues. E takuam, se ky miku im gazetar i mori një intervistë.
-E i cilës gazetë je ti, gazetar?- m’u drejtua masandej mua troshanasi.
-I “Bashkimit”- iu përgjigja shkurt.
-Aa i Hamit Boriçit, ëë. E kena mik shpiet. Ka kenë mësuesi im. E kena dasht fort na e prind’t tonë. Edhe tash që asht i madh atje në Tiranë, ai prep vjen në katund te na. Asht zotni, Hamiti….
***
…Ky është një tjetër nga shumë episode kësisoji që kam. Se nuk desha të përsëris ato që thuhen pa ja dá për të: profesori, studiuesi, historiani, dekani a babai i gazetarisë.Vlerësime që i kanë bërë e i bëjnë shumë e shumë persona e institute. Nderime të pafund prej atyre që rasti a puna i ka njohur a takuar me back ground-in intelektual e karrieren e gjatë të Prof. Hamit Boriçit. Dhe besoj fort se kanë qenë me mjaft fat ata që kanë studiuar e mësuar prej tij, a kanë punuar me të. Por “nishanet”, siç i emërton ai vetë me modesti setin e kompletuar të gradave shkencore e nderimet e pafund me meritë, rrinë edhe më mirë në staturën e Hamitit-Njeri, që SOT rrumbullakon të nëntëdhjetat. Mirëkuptues me to, po aspak i ndërvarur prej tyre. I freskët, i ripërtërirë. Jo në linjë me vitet, po kundruall tyre. Si një sfidë e dhuratë e bukur !