Me qëllim që lexuesi ta kuptojë më lehtë mesazhin e këtij shkrimi, në fillim po ua prezentoj deklaratat e Ministrit të Integrimit Evropian, Blerim Reka dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Deklarata e Blerim Rekës:“Në vend të kësaj që po flitet, apo që po kualifikohet se kinse duhet dhënë territor Serbisë, unë e kam një ofertë tjetër. Ne mund t’ia japim korridorin transit Serbisë për dalje në Detin Adriatik, përmes Kosovës, përmes autostradës të Kosovës, në Durrës. Dhe më duket se është një kompromis fer për Serbinë”.
Deklarata e Veliut: “Pikë së pari qeveria nuk ka mbajtur mbledhje që të vendos për këtë çështje, sot është mbajtue Këshilli i Sigurisë Kombëtare, situata në Kosovë është serioze dhe se numri i të prekurve po rritet dhe se institucionet duhet të marrin masat sa më shpejtë. Unë personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që të mbrohemi. Kjo është e drejtë e presidentit, ky takim është mbajtur. Nuk është këtu çështja këtu a jemi më kryeministrin a presidentin por duhet të jemi sa më të organizuar, nuk është koha e kapriceve se a duhet të dominojë mendimi i tij apo i këtij, sepse ne jemi në shërbim të Kosovës. Po duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, kishte thënë Veliu”.
Vendimi përverës i Albin Kurtit
Argumenti i Kurtit për shkarkimin e Veliut: “Ndryshe ka folë në mbledhje të qeverisë, e ndryshe para mediave” dhe kualifikimi tepër i ashpër për “tradhti ndaj qeverisë dhe policisë së Kosovës”, është justifikim i gabuar dhe vetëm arsyetim për ta shkarkuar ministrin Agim Veliu, për t’i shpëtuar presionit ndërkombëtar për heqjën e taksës.
Ndryshe, më i fuqishëm ishte argumenti për shkarkimin e Ministrit të Integrimeve Evropiane, ish kandidatit për president të Maqedonisë Veriore, zotit Blerim Reka, por as që u muar as me deklaratën e tij antishtetërore dhe antikombëtare, por u shfrytëzua deklarata e Agim Veliut, i cili nuk shpalli gjëndjen e jashtëzakonshme, por vetëm e dha një mendim personal, ashtu siq e kishte dhënë mendimin e tij ministri Reka për dalje në detin Adriatik të Serbisë armike.
Albin Kurti duke e ditur se e ka LDK-në partner të vetëm qeverisës, nuk ka pasur nevojë ta shkarkojë fare ministrin në fjalë në këto rrethana të jashtëzakonshme për një deklaratë personale e cila nuk ka shkaktuar asnjë lloj efekti politik.
Askush nuk e ka pritur që do të largohet ministri Veliu akoma pa u mbajtur zgjedhjet në Podujevë, e aq më pak rënja e qeverisë e cila zgjati vetëm 45 ditë, aq sa zgjatë një jogurt në temperaturë frigoriferi!
Taksa famëkeqe na i hëngri dy kryeministra
E kam thënë dhe po e përseris prapë, se Kosova më lehtë do të shpëtoj prej “Coronavirusi” sesa prej virusëve politikë, sikurse që e kam thënë se rreziku ‘Qeverisë Kurti’ nuk vjen nga opozita, por nga taksa dhe dialogu me Serbinë.
Sikurse ish kryeministri Haradinaj që dha dorëheqje (por nuk u tërhoq nga drejtimi i qeverisë) me arsyetimin fals kinse për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale për t’i ikur presionit ndërkombëtar për taksën, kështu edhe kryeministri Albin Kurti e shkarkoj pa asnjë nevojë Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, për t’i ikur përballjes me presionin ndërkombëtar për taksën dhe dialogun me Serbinë.
Rënja edhe e kësaj qeverie shkaku i taksës, për të mos thënë katastrofale, është humbje e madhe dhe e dyfisht për vendin dhe e dhimbshme për Albin Kurtin.
Taksa e cila i hëngri “kokën” kryeministrit Haradinaj, me ndihmën e virusëve politik po i hanë “kokën” edhe kryeministrit Albin Kurti pasi e kishte filluar mirë punën me përgjysmimin e pagave të kabinetit qeveritar, shkarkimin e bordeve dhe stafit diplomatik të emëruar jashtëligjshëm nga qeveria paraprake.
Jam i bindur që, sikurse Haradinaj që i kishte bërë publike më pas arsyet e vërteta të dorëheqjes, do të vie dita që, edhe Albin Kurti do t’i sqarojë arsyet e vendimit kapriçioz të shkarkimit Veliut për qëllime tjera.
Mocioni në kohë epidemie, vetëvrasje politike për LDK-në
Dalja e LDK-së nga koalicioni qeverisës në këtë situatë të jashtëzakonshme që po e kalon vendi pa e bërë asnjë përprjekje për normalizim të situatës brenda qeverisë për një parti institucionaliste siq është LDK-ja është më tepër se vetëvrasje politike.
Sikur LDK-ja të ishte parti minore në koalicionin qeverisës do të ishte deri diku e arsyeshme në vendimin e saj, por si parti e dytë dhe me fuqi të barabartë në qeverisjen e vendin, nuk është dashur ta braktisë aq lehtë qeverinë pa e bërë asnjë përpjekje për ta mbrojtur ministrin e Veliu dhe marrëveshjet e nënshkruara me LVV-në.
Nuk është e lehtë të luftohen padrejtësistë dhe të mbrohen parimet në një koalicion qeverisës, por akoma më i dëmshëm dhe me pasoja afatëgjata do të jetë ikja nga qeverisja e vendit në këto rrethana të jashtëzakonshme nëpër të cilat po kalon vendi.
Sikurse presidenti Hashim Thaçi që po dëshiron që të përdorë “Corona” virusin për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që të fitojë më shumë pushtet, ashtu edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa është duke e shfrytëzuar shkarkimin e Agim Veliut këtë moment të emergjencës shëndetësore për të larguar nga pozita kryeministrin Albin Kurti për t’u faktorizuar vet si personalitet politik për arritjen e ambicieve personale.
Çfarë të mire mund të presin qytetarët e vendit nga një klasë politike që për interesa personale shkaktojnë efekte të dëmshme dhe zinxhirore për vendin!?
Ky është fundi më i paparashikuar dhe i keq i koalicionit të shpresës LVV-LDK!
20.03.2020