Ballina Ravijëzime Kurrë ma s’keni me pas rast me m’sha, ju t’shamit- e theva...

Kurrë ma s’keni me pas rast me m’sha, ju t’shamit- e theva lapsin! – Nga Çun Lajçi – Prishtinë

Ike edhe ti Albin, pa t’pritë si duhet, pa folë me ty, as pa t’dëshirua punë t’mbarë!
I prita të gjithë si Ty, që njizet vjet. Nuk i dallova, se mësua s’isha djali me ardhë n’pushtet, e pushteti me qenë i imi! Mësua s’isha me m’folë shqip kur m’shajtet as kur m’lavdëruat!
Turr e vrap erdha m’ua ba përhajër postet, jo stolat, sepse s’isha i bindun se keni b… që mund t’rehatohen gjatë n’ata stola! Dhe ashtu m’doli!
Ibren e deshta pak ma shumë, se ishte pak ma burr se ju. Edhe se unë kuptohet!
Dijen e kishte prej librit e Zotit, e s’ia merrte askush! T’pakten, ai s’shante, s’mbante mëni as fjalë. Orator s’ishte, se nuk donte me folë kot.Fliste vetëm ate që duhej, që na nevoitej, ate që do t’i duhej shumë vite ma vonë këtij populli!
Ramushin e afroi ngat vetit, i ri si ti Albin. Kreministër e bani dhe e donte! Thanë, e bani vetëm pse asht I Dukagjinit! Por jo. I besoi. Nuk e tradhëtoi, s’e la keq as kur u nis për Hagë. Thonë vërtetë derdhi lot si për djalin e vet! Se nuk ishte smirëzi si Isa që e t’la sot n’lloq Ty, sot kur populli dergjet nga nji virus!
S’shkoi gjatë dhe e afroi Bajramin ngat, doktorin. Me t’gjithë punoi, veç Hashimin e mbajti larg! Se hujin ia mësoi n’Rambuje, aty ku komandanti n’bankën e parë, firmoste letra.Ky ia fali gabimet, sepse i duhej Kosovës. Kosova e populli i priste n’Prishtinë!
Ike edhe ti, i thashë, kur e mori smundja. Ne, n’acarin e pa pamë u rreshtuem mbas arkivolit të tij. Qanim e loti s’pikonte.Jo, ngrihej faqeve se ishte ma shumë se akull ajëri i Kosovës n’atë janar!
Po iku! Erdhi tjetri me u ulë n’stolin e tij. Ne menduem: T’rrimë tue vajtua të varri i Ibrës, apo t’shkojmë mbas t’jetrit! Logjika thoshte ndihmojeni. Asht i jueji, vëlla, djalë…shqiptar asht! Ashtu edhe bamë! E ndihmuem Sejdiun, Hashimin, Isën, Ramushin, Kadriun, dhe n’fund Albinin, këtij i erdhi rradha m’u ulë n’stolin e tyne! Edhe ky u mbeshtet n’Isën, si Ramushi n’Ibrën. E kërkoi mbështetjen, siç e mori Ramushi nga Ibra. Vjosën e bani flamur Parlamenti dhe nisi rrugëtimin nëpër andrra! Por, ky pasardhësi i Rugovës, s’ishte si baba. Seç e kishin krymbë hilet e lakmia. Ia vuni shtagën n’kamë, e ky, i ri, kryet përpjetë, u rrëzua pa u mësua me ecë mirë! Hashimi vetem qeshi. Të tjerët heshtën, sikur s’e kuptuen së çka ndodhi!
Unë u ndala para fletorës sime e shenova:
Ike edhe ti, si të tjerët. I pa vakt paske qenë! Shumë t’pritem me ardhë e kurgja s’pamë, përftove me andrra!
Pak shkrova, si për të tjerët, jo me t’lavdërua, as me t’mësua (nuk di as për vete) por s’deshta me t’anashkalua. Deshta me t’barazua me paraprakët, e pak ma shumë krah me t’dhanë. Por, me mallkuen, me nemën, m’shanë…s’lanë nji t’zezë pa ma thanë!
Po, unë nuk sundova, nuk vjedha, nuk mashtrova, nuk vrava… pse mua m’shani o njerëz, thashë dhe e mbylla fletorën!
Ti ike, si shpresa e fundit e mija t’rive e t’rejave, e unë e thefa lapsin, nuk do t’shkruej për juve ma!
– Kurrë ma s’keni me pasë rast me m’sha, ju t’shamit, se kurrë ma s’do t’shkruej për ata që s’kanë b… për stolin e Ibrahimit!

Dardani, 19.03.2020