– Në termat mjekësorë, “distancimi social” –
Jemi në një kohë, që po na i ndryshon zakonet tipike të sjelljes dhe mirësjelljes. Meqë kam dal e bërë disa biseda me persona jo të paktë, po e ndiej më tepër këtë ndryshim. Mirëpo, për hatër të të mirës së nesërme, e kam vendos me veten me qenë i prerë në disa qëndrime, edhe pse fillimisht nuk kuptohesh. Kur vendosa të ndërpres dhënien e dorës, më dukej se dicka e madhe më është shemb brenda shpirtit. Po krijohej distancë me njerëzit, me të afërm, miq e shokë. Diçka që nuk e kisha menduar edhe në ëndërrën më të keqe. Fillon e sheh tjetrin me dyshim, ashtu si ai përballë teje të sheh po me të njëjtin dyshim.
Këtu në qytet nuk më ka rastis të takoj nga afër të moshuar, por kur dola në fshat po. Një i moshuar, njeri shumë pozitiv dhe i mbrujtur në asht me traditat e mira të malësorit, kur u afrova, zgjati dorën. I them, të presim kohë më të mira për të dhënë dorën, dhe natyrisht, mata me sy distancën që duhet mbajtur. U shtang! Po një gotë raki do e pish, më tha. Patjetër. Dhe u ulëm po në distancën e duhur, për ta shtruar muhabetin. Nuk dija si ta përcillja informacionin e duhur tek ai i moshuar fisnik ato minuta, por ama duhej bërë. Dhe pas disa minutave, ramë në ujdinë mirëkuptuese në mënyrë të heshtur.
Kur u bëra gati të ik, ai vetë, nuk e zgjati dorën, madje mbajti distancën aq sa do duhej. Më përcolli me një përshëndetje të fisëshme, si një ftesë, që në ditë të bardhë të na vish përsëri. Dhe unë, rrugës në kthim, u betova me veten se do jem sërish tek ai burrë urtak dhe sa e sa njerëz të tjerë, që u kam shkuar në derë të shpisë këto ditë e nuk u kam dhënë dorën, do ua kthej atë mirësi që më kanë dhënë me aq bujari e shpirtbardhësi.
Është koha të sakrifikojmë edhe zakonat tona të sjelljes!