Ballina ED/OP Po vuajmë më shumë nga vetja jonë sesa nga corona – Nga...

Po vuajmë më shumë nga vetja jonë sesa nga corona – Nga Gezim ZILJA

   Në këtë fatkeqësi nuk jemi vetëm. Kjo gjendje është e përbotëshme dhe sado keq janë punët në Dheun e Shqiponjave, Bota e Përparuar do t’ia dalë e nga kjo do të përfitojnë dhe shqiptarët.
        Dijetarët, shkencëtarët, mjekët dhe specialistët merren drejtpërdrejt me shpikjen e vaksinës dhe shërimin e njerëzve, ndërsa qeveritë hartojnë plane ekonomike, duke marrë mendimin e ekonomistëve, financierëve, profesorëve e bëjnë të pamundurën, që mos tu mungojë gjë shkencëtarëve e trupave mjekësore, bizneseve e njerëzve të thjeshtë, që fakeqësia e pllakosur të kalojë me sa më pak dhimbje.
        Në një çast të tillë forcat politike shqiptare duhet të uleshin në tavolinë dhe të ndërronin mendime sesi të kalojë ky hall shumë i madh, që ka zenë Shqipërinë.
        Mirepo (kjo për mua është e vërtetë si një aksiomë matematike) drejtuesit tanë në të dy krahët sillen ( më falni për shprehjen) si qën të tërbuar.
        Unë kam parë qën të tërbuar kur isha 10-12 vjeç. Qëni nuk pushonte së vërsuluri mbi njerëzit e çdo gjë të gjallë, që gjente përpara për ta kafshuar, derisa një burrë aty në lagje e qëlloi, duke ia zbrazur të gjitha saçmet në kokë.
        Sot kur njerëzit po bëjnë hall me jetët e tyre e të fëmijëve ( e ç’ka më të shtrenjtë se jeta jote dhe e fëmijëve?) drejtuesit kryesorë vazhdojnë të luftojnë për kapital politik e lavdi vetiake.
        Njëri që nga bunkeri i Surelit sikur të ishte vetë Zeusi jep e nxjerr urdhëra, duke mos paraqitur një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afagjatë bashkë me emrat e atyre, që kanë hartuar planet (grupi i punës) sesi do të ecet më tej, duke detajuar gjithçka, me ato rezerva e mjete që kemi.
         Tjetri, kryetari i opozitës, duke lexuar, që nga karantina a vrima ku është futur, një herë pesë, një herë nëntë, e një herë tre pika, duke hequr, prerë, shkurtuar andej e shtuar e hedhur këndej, duke i bërë veprimet me gishta, jep mend e zgjidh gjithçka sikur të ishte i dëguar i Zotit.
         Po a nuk mund të uleshin specialistët ( jo llapaqentë e partive) e të dy palëve e të nxjerin një plan të përbashkët për administrimin e gjendjes?
        Për këtë ka nevojë populli i vuajtur e stërvuajtur shqiptar. Çfarë u thonë e këshillojnë bashkëpunëtorët e tyre?
        Ç’është kjo urrejtje që përcjellin si një mallkim tash tridhjetë vjetë liderët politikë sikur të mos mjaftonin dyzetepesë vitet e diktaturës?
         Në këtë gjendje vendi nuk mund të qeveriset me patriotizëm të shtirur, deklarata butaforike e llogje kavaje. Me ligjet gjysmake, urdhërat e dhëna e gërmëret PS-PD, duket se po vuajmë e do të vuajmë më shumë nga vetja jonë sesa nga korona apo komshinjtë e coronës.