Ballina Bota Britania do të izolojë qytetarët mbi 70 vjeç

Britania do të izolojë qytetarët mbi 70 vjeç

Izolimi i banorëve të Britanisë së Madhe që janë mbi 70 vjeç dhe vendosja e tyre në strehime të sigurta, do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme, tha Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Ai tha për Sky News se masa është për mbrojtjen e kësaj kategorie të shoqërisë nga koronavirusi.

Qeveria britanike po përballet me presion të madh që të ndërmarrë masa për të luftuar koronavirusin, pasi të shtunën, u konfirmua se numri i të vdekurve ka arritu në 21.

Të gjithë personat që kanë vdekur nga virusi kanë qenë mbi 60 vjeç dhe që kanë pasur sëmundje të tjera.

Masa për izolim do të nënkuptonte që personat do të kërkohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk do të lejonin asnjë vizitor, ndërkaq ushqimet dhe gjërat e tjera elementare do t’u dërgohen në shtëpitë e tyre.

Sekretari Hancock u pyet nëse ai ka rekomanduar që të moshuarit të izolohen për katër muaj, ashtu siç kanë raportuar mediat.

“Ne do të vendosim për këtë dhe do të japim detaje kur të jetë koha e duhur”, tha ai.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 1,140, teksa mbi 37 mijë persona janë testuar për sëmundjen Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi.