Ballina Ravijëzime Veni, vidi, vici… KATOVICA, ANTE PORTAS! – Nga Abdulla MEHMETI...

Veni, vidi, vici… KATOVICA, ANTE PORTAS! – Nga Abdulla MEHMETI – Maqedoni e Veriut

Duke pasur parasysh se shqiptarët në Maqedoni edhe në zgjedhjet parlamentare të radhës, më 12 prill të këtij viti, nuk do të fitojnë asgjë të dobishme dhe me interes kombëtar, ndërsa lëvizja politike e kombëtare e mbetur në udhëkryq ka nevojë të merr kahe dhe orientim të ri, konsiderojmë se kësaj radhe gjarpri do ta heq lëkurën e tij nga tensionet shoqërore që pritet të përshkallëzohen gjatë dhe pas këtyre zgjedhjeve, prandaj e shohim të udhës që të mos ndërhyjmë në rrjedhën e fushatës zgjedhore të partive politike, apo të koalicioneve nga më të panatyrshmet në historinë politike të shqiptarëve në këtë shtet, të bindur se pjesa më e madhe e anëtarëve, përkrahësve dhe votuesve të vetë këtyre partive ka ardhur koha të vetëdijesohen përfundimisht, duke e kuptuar se me këtë klasë politike të korruptur dhe të dyshuar për krime nuk mund të krijohet e ardhme më e mirë, zhvillim dhe përparim për popullin shqiptar, prandaj, të presim edhe pak sa të fillojë djegia e këtij plehu përbrenda tij.

E sotmja që po keqpërdoret zi e më zi nga klanet politike mafioze dhe nëntoka kriminale nuk do ta shuaj përpjekjen për liri dhe të drejta kombëtare të ligjshme të shqiptarëve në këtë shtet, sepse e ardhmja u takon shqiptarëve, gjeneratave të reja, që do ta marrin fatin në duart e tyre, një herë e përgjithmonë, ndërsa të shkuarën do ta pështyjnë në surrat si një ëndërr e keqe dhe fatkeqësi e imponuar nga regjimet e mëhershme dhe faktorët e jashtëm që nuk ua kanë dashur të mirën shqiptarëve asnjëherë.

Katovica, ante portas!

(13.III.2020)