Ballina Kryesore FORCA E JETËS, FITON…!

FORCA E JETËS, FITON…!

Një heshtje varri
ka veshur trupin e qytetit tim.
Një belbëzim dëgjohet diku,
si shirit i ngatërruar kasete
që përveç zhurmës
asgjë s’i kuptohet…
dhe pastaj humbet forcë,
zvogëlohet,
zhduket…

… edhe sirenat e ambulancave,
s’dëgjohen më!
Uroj më kot e shpresoj për mirë,
rrugët janë të çliruara
s’kërkojnë më “hapni udhë”…
në këtë zymtësi
që ndjell pasiguri,
pse jo dhe shumë frikë!

Një heshtje buzëtrishtueshëm
zhvendoset dimensioneve të njeriut,
jetës që pret të padëshirueshmet
të dëgjojë këndej e andej kufirit,
dramës globale
ku noton njerëzimi
kësaj here gjithëngjyrësh,
nacionalitetesh,
religjionesh,
të pasur e të varfër…

Ah sikur të ishim në lumturi
të gjithë në të njëjtin front,
sikur tani…?

Eee…!
Një pëllumb,
bari në rritje,
dritat e ndezura…
e ushqejnë shpresën me jetë!
Njeriu ka lindur të mbijetojë,
ndaj luftrat e çdolloj
kërkojnë zemër,
mendje,
e forcë…!

Pranvera Drita Gjoni
( foto e imja sot, me 12 mars 2020, Mechelen)