Një recetë e veçantë që emrin e merr pikërisht nga ngjashmëria me lulen e pemës së Mimozës.
Me ngjyrën e diellit dhe aromën e freskët të limonit, kjo tortë është një ëmbëlsirë përfekte për t’u shijuar kurdoherë.
Do ta shihni që do të ndriçoni ditët e të gjithë të dashurve tuaj, kur t’ia shërbeni.
Përgatiteni që sot këtë recetë dhe do të mahniteni me butësinë e saj të përkryer.
Përbërësit për një tortë për 6-8 veta:
250 g sheqer
140 g miell
120 g niseshte patatesh
8 vezë
1 pako me vanilje
Pak kripë
Lëkura e një limoni
Për 850 g krem pastiçerie:
5 të verdha vezësh
175 g sheqer
500 ml qumësht
125 ml pana
55 g niseshte misri
1 pako me vanilje
Për sherbetin që do të njomni pandispanjën:
130 g ujë
75 g sheqer
Për zbukurimin e tortës:
Sheqer pluhur sipas dëshirës
Përgatitja e pandispanjës:
Hapi i parë në përgatitjen e tortës Mimoza është përgatitja e pandispanjës.
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të rrihni vezët në një tas të madh.
Më pas, shtoni sheqerin e kripën dhe vijoni t’i rrihni përreth 20-25 minuta derisa vëllimi i vezëve të trefishohet.
Mielli dhe niseshteja siten dhe hidhen pak nga pak në masën e vezëve të rrahura duke e trazuar lehtë me telin e rrahjes së vezëve.
I gjithë sekreti i kësaj ëmbëlsire qëndron në kujdesin që duhet treguar në ruajtjen e vëllimit të masës.
Shtohen lëkurat e grira të limonit. Lyhet tava me gjalpë, spërkatet me pak miell dhe më pas shtohet masa.
Piqet në nxehtësi mesatare përreth 25-30 minuta dhe më pas lihet të ftohet.
Përgatitja e kremit të pastiçerisë:
Ndërkohë në një tas hidhni të verdhat e vezëve dhe sheqerin e nevojitur, më pas do t’ju duhet ta rrihni masën me telin e kuzhinës.
Këtë proces duhet ta vazhdoni derisa masa e krijuar të ketë një ngjyrë të verdhë të lehtë, dhe kokrrizat e sheqerit të kenë shkrirë.
Më pas në një filxhan hedhim pak nga qumështi që na duhet për recetën dhe aty shtojmë niseshtenë dhe vaniljen.
Me një pirun e përziejmë derisa niseshteja të jetë tretur plotësisht.
Këtë masë ja shtojmë të verdhave të vezëve dhe sheqerit, dhe përsëri i rrahim derisa të jenë lidhur në një masë të vetme.
Në një tenxhere të vogël hedhim qumështin dhe e vendosim në zjarr të ulët. Temperatura e qumështit duhet të jetë shumë e vakët kur të hidhni masën e vezëve.
Kjo metodë nuk do t’iu lejojë që veza të pritet dhe kremi të prishet.
Pasi të keni shtuar vezët tek qumështi duhet të përzieni gjatë gjithë kohës me një ritëm jo shumë të shpejtë.
AgroWeb.org ju këshillon që të ngrini pak nxehtësinë e zjarrit, kështu kremi do të bëhet më shpejt.
Kur masa të fillojë që të trashet ngadalë largojeni nga zjarri dhe lëreni që të ftohet.
Tani mjafton që të kombinoni dy përbërësit kryesorë të tortës
Kur të jetë ftohur pandespanja ndajeni në tre shtresa, njëra pak më e hollë se dy të tjerat.
HIqjani me kujdes koren e jashtme shtresës më të hollë dhe priteni me thikë në kubikë jo shumë të vegjël.
Kokrrizat që duhet të jenë jo shumë të thërrmuara, dhe të madhësinë e qiqrave.
Njërën nga pandispanjat lageni me përzierjen e ujit dhe sheqerit, dhe mbulojeni me një pjesë të kremit të pastiçerisë.
AgroWeb.org ju këshillon që të vendosni më shumë krem në qendër të tortës.
Sistemojini përsipër pandespanjën tjetër dhe lyejeni të gjithën, edhe anash, me kremin e mbetur.
Në këtë fazë hidhini përsipër thërrimet e pandespanjës që pretë në kubik të vegjël më parë.
Kini kujdes që ato të ngjiten tek shtresa e kremit e kështu do të krijohet efekti i lules së mimozës.
Ju mbetet vetëm ta spërkasni me sheqer pluhur shumë lehtë, ta lini përreth 10-15 minuta në frigorifer, dhe më pas ta shijoni.