Ballina Sport Muralet dedikuar yllit të basketbollit Kobe Bryant

Muralet dedikuar yllit të basketbollit Kobe Bryant

Rreth 20,000 njerëz pritet të marrin pjesë në shërbimin përkujtimor publik për legjendën e basketbollit Kobe Bryant dhe vajzën e tij Gianna, që do të mbahet në Qendrën Staples, në Los Anxhelos të Kalifornisë, në fund të shkurtit. Tifozët e Bryant-it në të gjithë botën ende vajtojnë vdekjen e tij të papritur dhe tragjike. Por, tifozët në Los Anxhelos kanë një lidhje të veçantë me yllin e basketbollit dhe janë duke risjellë disa imazhe të famshme të tij në mbarë vendin.

Muralet ku shfaqet Kobe Bryant filluan të shfaqeshin në të gjithë Los Anxhelosin, pas vdekjes së papritur të lojtarit legjendar të basketbollit. Në shumë prej punimeve përfshihet vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, e cila vdiq bashkë me të dhe shtatë persona të tjerë nga rrëzimi i helikopterit.

Këto murale u bënë një vend ku tifozët mblidhen, mbajnë zi dhe rikujtojnë.

Ne jemi këtu për të treguar dashurinë për Kobe Bryant-in dhe vajzën e tij Gianna. Thjesht kam dashur të vij në LA dhe të tregoj pak dashuri dhe të bëj një fotografi të muralit të Kobe Bryant-it pikërisht këtu“, thotë tifozja Deana Ortega.

Një vepër e tillë mund të gjendet në lagjen La Brea. Krijuar nga artisti i rrugës, Thierry “Mr. Brainwash” Guetta, kjo murale përmban artikuj të gazetave që theksojnë arritjet në karrierë të Bryant-it dhe disa nga citimet e tij frymëzuese.

Kjo përkujtimore është gjithashtu unike pasi i fton tifozët të lënë shenjën e tyre në veprën e artit duke shkruar mesazhe për heroin e tyre të ndjerë.

Ai ishte një legjendë për të gjithë jo vetëm në basketboll, por për të gjithë në jetën e tyre. Ai i frymëzoi të gjithë të bëjnë më të mirën. Kështu që, unë me të vërtetë mendoj se të kesh murale të Kobe Bryant-it dhe Gigi-t, është sinqerisht diçka që të gjithë do ta kujtojnë“, thotë tifozja Joelyn.

Ai ishte një ikonë, si basketbollist vërtetë i mirë, si njeri familjar. E patë se si ishte me fëmijët e tij? Dhe ai ka pasur gjithmonë një qëndrim pozitiv dhe të drejtë… Ai ishte thjesht një idhull. Ai është një nga lojtarët e mi të preferuar të basketbollit që kur isha fëmijë, ai dhe Michael Jordan “, thotë tifozi Jason.

Një tjetër murale mund të gjendet në Melrose, jashtë Pallatit të Këpucëve, një dyqan popullor i veshjeve të rrugës. Këtu, vizitorët inkurajohen të suvatojnë ‘postimet’ me mesazhe për yllin e LA Lakers.

Kur dëgjuam për vdekjen e tij, ne pamë që shumë njerëz filluan të shfaqen. Ata sjellin lule dhe duan të vendosin shënime. Kështu që unë nxora disa fletore, duke filluar t’i shkruaj vetë dhe ua jepja punonjësve të mi si një platformë për të gjithë. Kështu që ne patëm disa grupe që lanë shënime në mënyrë që njerëzit të mund të linin një shenjë. Kështu kujtojnë Kobe-in në momentet e mira dhe të këqija, dhe çfarë Kobe-i u thoshte atyre“, thotë Ruben Meniane, menaxher i Pallatit të Këpucëve.

Artisti mural, JC Ro, i cili nuk dëshiron të shfaqet në kamera, tha se u ndje i hidhëruar por dhe i kënaqur, pasi krijimi i tij katër vjet më parë tani është më domethënës dhe më i rëndësishëm për komunitetin, pas vdekjes së legjendës së basketbollit.

Unë mendoj se është diçka e veçantë dhe unike në lidhje me letrën që është e brishtë dhe se mesazhet në secilin shënim janë kaq domethënëse. Kështu që ndjehem sikur ndoshta të gjithë kemi zbuluar se jeta është edhe e brishtë, por edhe me kuptim“, thotë ai.

Kobe Bryant dhe vajza e tij u varrosën në 7 shkurt në një ceremoni private pranë shtëpisë së familjes në Kaliforni.