Ballina Kosova Kurti paralajmëron hapat drejt heqjes së tarifës

Kurti paralajmëron hapat drejt heqjes së tarifës

Qeveria e Kosovës është duke punuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe për futjen e masës së reciprocitetit të plotë tregtar me Serbinë, ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Deklaratat e tilla Kurti i ka bërë në Konventën e Prodhuesve të Kosovës, ku ka thënë se tarifa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ka qenë vendim i qeverisë së kaluar dhe se qeveria që ai drejton, nuk mbështet tarifat si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por është e angazhuar për reciprocitet, si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.

Siç ka thënë Kurti, parimet e reciprocitetit që do të nxirren nga Qeveria e Kosovës, do të jenë të bazuara ne parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA).

Sipas tij, ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, tashmë ka bërë disa hapa të cilët e sjellin qeverinë e vendit edhe më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë.

“Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhuesve te Kosovës. Ky grup do të përmbledhë te gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria. Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, ai nuk ka precizuar se sa kohë do t’i nevojitet qeverisë derisa të marrë vendimin për heqjen e tarifës.

Paralajmërimet e kryeministrit Kurti se tarifën ndaj prodhimeve të Serbisë do ta zëvendësojë me masën e reciprocitetit, vijnë përkundër kërkesës së të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell, që Prishtina zyrtare ta heqë tarifën, por pa e vendosur reciprocitetin.

Në anën tjetër, ndaj paralajmërimeve të kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj prodhimeve të Serbisë ka reaguar lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili kishte marrë vendimin për vendosjen e kësaj tarife, gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të mos e heqë tarifën “për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar”, por që të bëjë ofertë “për kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”.

“Oferto heqjen e taksës për Kontratën Finale për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e komprometuar. Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjegjës për pasojat”, ka thënë Haradinaj.

Zyrtarët e AAK-së kanë paralajmëruar edhe më herët që në rast se kryeministri Kurti vendos ta heqë tarifën ndaj prodhimeve të Serbisë, kjo parti do t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike, parlamentare dhe jo parlamentare, për të kundërshtuar një vendim të tillë.

Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.

Që atëherë, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj tarife.

Ashtu si qeveria e ish-kryeministrit Haradinajt, edhe qeveria e re e kryeministrit Kurti po përballet me kërkesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës, si kusht për rifillimin e një dialogu Kosovë –Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.