Ballina Aktualitet Presidenti Trump uron popullin e Kosovës në 12 vjetorin e pavarësisë

Presidenti Trump uron popullin e Kosovës në 12 vjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 14 shkurt 2020 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i ShBA-së, Donald Trumpi, për 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti amerikan  thekson lidhjet e fuqishme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe përkushtimin e përbashkët për Kosovën shtet sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik.

“Lidhjet e fuqishme në mes të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët për bërjen e Kosovës vend sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik”, shkruan Trump.

Ai uron që në këtë vit Kosova të fokusohet në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në sundimit të ligjit dhe në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik.

Trump thekson se e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme dhe shpreh përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për marrëdhënie të fuqishme mes dy vendeve.

“E ardhmja e vendit tuaj është e ndritshme. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale, të mbështetura në punën e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për vlerat tona të përbashkëta”, përfundon Presidenti Trump në urimin e tij..

Letra e plotë:

I nderuari President Populli Amerikan dhe Unë së bashku, urojmë të gjithë qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Lidhjet e fuqishme në mes të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët për bërjen e Kosovës vend sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik. E përgëzojmë Kosovën për zgjedhjet demokratike në muajin tetor dhe mirëpresim angazhimin e vazhdueshëm për të çuar përpara paqen, drejtësinë dhe prosperitetin për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju dëshiromë sukses në vitin që ka filluar në fokusimin tuaj në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit si dhe në krijimin e kushteve për zhvillim sa më vibrant të sektorit privat.

E ardhmja e vendit tuaj është e ndritshme. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale, të mbështetura në punën e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për vlerat tona të përbashkëta.

Sinqerisht Donald J. Trump

(r.m.)