Ballina Rajoni Shkup, parlamenti ratifikon Protokollin për anëtarësimin në NATO

Shkup, parlamenti ratifikon Protokollin për anëtarësimin në NATO

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e ratifikoi të marten Protokollin për anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike të NATO-s. Pasi ta ketë ratifikuar edhe Spanja këtë protokoll, Maqedonia e Veriut së shpejti do të bëhet vendi i tridhjetë e Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe të sigurisë në botë.

Parlamenti në Shkup e ratifikoi njëzëri Protokollin. 114 ligjvënës votuan pro në një seancë ceremoniale ku ishin të ftuar edhe drejtues politikë të vendit dhe pjesëtarë të parlamenteve të vendeve fqinje – anëtare të NATO-s.

Në seancë folën Presidenti Stevo Pendarovski, Kryeministri i qeverisë teknike Oliver Spasovski, kryetarët e partive shqiptare të cilët janë edhe ligjvënës dhe bashkërendues të partive të tjera të përfaqësuara në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Të gjithë ata theksuan rëndësinë e këtij momenti duke e quajtur historik për vendin dhe për të gjithë qytetarët e tij.

Presidenti Pendarovski tha se me këtë akt shtohet përgjegjësia, ndërsa reformat nuk ndalen. Zoti Pendarovski theksoi se ”kjo është faza e fundit e plotësimit të qëllimit strategjik të Maqedonisë së Veriut”; se vendi ka qëndruar përkrah shteteve më të fuqishme të botës nëpër misione ku marrin pjesë edhe ushtarë të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i qeverisë teknike Oliver Spasovski tha se kjo përbërje e parlamentit e ka rastin ta realizojë ëndrrën e të gjitha strukturave politike që janë njësoj meritore për nëtarësimin në NATO.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se anëtarësimi në NATO dhe intregrimi në Bashkimin Evropian janë dy gjërat që i kanë bashkuar komunitetin maqedonas dhe atë shqiptar në këtë shtet.

Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, ndërkaq shprehu mirënjohje për angazhimin dhe guximin e ish-kryeministrit Zoran Zaev kundrejt integrimit të vendit në NATO. Ai bëri thirrje ndërkohë që të ndryshojë, siç tha, nocioni nënçmues për shqiptarët “20 përqind e qyetarëve”, siç përdoret në Kushtetutë.

Bashkërenduesi i grupit të deputetëve të VMRO-së Nikolla Micevski tha se siguria e qytetarëve të vendit gjithmonë ka qenë përparësi i kësaj partie.

Nënkryetari i Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s, Atilla Mesterhazi dukepërshndetur arritjen e MArrëveshjjes së Prespës shtoi se “të gjitha përpjekjet e bëra ju shpaguhen. Dëshmuat se shteti juaj është gati t’i pranojë zotimet e NATO-s”, u shpreh ai.

Drejtuesit e pushtetit në Shkup shpejtuan që Protokolli të ratifikohej nga kjo përbërje parlamentare, para shpërndarjes së parlamentit që duhet të ndodhë brenda pak ditësh për t’i lënë hapësirë përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen më 12 prill.

Maqedonia e Veriut kishte miratuar një deklaratë me synime për anëtarësim në NATO qysh në vitin 1993.

Të martën në mënyrë simbolike, para Parlamentit republikan në Shkup u vendos flamuri i NATO-s.

Pasi ta ratifikojë edhe Spanja, dokumenti do të dërgohet në Uashington ku janë arkivuar dokumentet më të rëndësishme të Aleancës.

29 vendet e Aleancës Veriatlantike vendosën në korrik të vitit të kaluar që ta ftojnë Maqedoninë e Veriut për t’u anëtarësuar duke respektuar kështu premtimin e bërë se me ndryshimin e emrit, vendi ballkanik do të bëhej pjesë e kësaj organizate.