Shqipëria po ikën. Ashtu ngadalë, pa u ndjerë, pa bërë zhurmë e pa përplasur derës e shtëpisë së vet të madhe. Por përsëri po ikën. Duhet sakrifikuar për të ardhmen e fëmijve, të thonë, sikur Bduan të heqin nga supet barrën e rëndë që u lë mbi shpatulla egoizmi. Po e ardhmja e tyre, e familjes, e vendit që lënë pas, nuk është një barrë akoma dhe më e rëndë për t’u mbartur e për të mos u lëshuar? Ai është kryqi ynë, të thonë, kalvari që duhet të vuajmë përbrenda. Është, me një fjalë, ferri nga i cili nuk kemi për të shpëtuar dot kurr.
Ky është lumi i mendimit që duket se po rrjedh nëpër mendjet dhe zemrat e shqiptarëve që po ikin e po e shpopullojnë tmershëm këtë vend. E si pritë ndaj gjithë kësaj katastrofe vendoset ndjenja e patriotizmit, atdhetarizmit, fjala e patriotit. Në të vërtetë fjalë të tilla nuk janë të përputhura ende mirë me kuptimin e tyre në jetën shqiptare. Duket sikur janë në thelb fjalë shumë të mëdha, që kanë një përgjegjësi aq të rëndë sa askush nuk guxon ta përballë. Janë bërë fjalë të ditës, përdoren kudo, kanë lloj-lloj ngjyrash, gjithëfarë fytyrash, kuptimesh, zërash! E megjithatë nuk duken të jenë aq të sigurta për t’u përdorur si pendë shpirtërore që do të ndalojnë vërshimin e zhgënjimit, varfërisë, padrejtësisë. Janë kaq të trazuara shkaqet që i bëjnë njerëzit të mendojnë dhe veprojnë në çdo rast kështu apo ashtu, madje janë aq të trazuara saqë s’mund t’ia dalin mbanë edhe ata vetë. Por të them të vërtetën nuk më mërzit aspak kjo gjendje. Përkundrazi më bën të reflektoj për një mendim krejt tjetër. Tanimë që duket sikur kemi arritur fundin, sikur po jetojmë dhe po shohim në sy ferrin, i kemi të gjitha shkaqet të shkundemi e të zgjohemi nga ëndrra e keqe e arratisë dhe të mendojmë se përveç ferrit Shqipëria është edhe parajsa jonë. Është ai vendi i bukur, i mrekullueshëm që vështirë se mund ta gjejmë dot në mërgim. Është ajo sofra e varfër, por ku shtrohet buka e grohtë e bujarisë dhe hahet kripa e shijshme e solidaritetit njerëzor, e njerëzve që flasin të njejtën gjuhë e që kanë të njëjtat zakone. Askush nuk mund ta mohojë nga të gjithë ata që largohen se nuk u mungon Shqipëria, madje dhe balta e saj, atje larg ku janë, se ç’u krijon një afinitet të menjëhershëm që nuk u shlyhet me asgjë tjetër. E megjithatë, nuk është vetëm kjo ndjenjë e mallëngjimit, le të themi edhe e romantizmës historike , ajo që na e bën aq të parajstë Shqipërinë përpara syve tanë të mendjes e të zemrës. Ne jemi ose bëhemi shqiptarë vetëm duke rrojtur në mes të Kombit t’onë. Rrojmë, jo për Kombin, por brënda Kombit. Pse t’a lëmë? E kushdo që e zotëron këtë ndërgjegjie të Kombit, ndjen se të gjitha mendimet e veprimet e tij i ushtrohen vetvetiu nga një farë disipline. Aq më tepër që çdo ndërgjegje e bën njeriun më të mirë si njeri, pasi vetëm ai që e ndjen thellë kombësin e vet mund të ndjej thellë edhe kombësit e tjera. Ja, një pikë e fortë mbështetjeje, ku mund të kapet çdo shqiptar që ka marrë rrugët e mërgimit në emër të së ardhmes, në emër të fëmijëve. Është më e sigurt, më e dobishme, më e përshtatshme që këtë të ardhme t’a ndërtojë këtu, me ndërgjegjie, forcë e vullnet, sepse vetëm ajo do t’i bëjë më të mirë, më të dashur në jetën e përditshme, e pse jo dhe më të lumtur, edhe vetë fëmijët e tyre. Po përse vallë mund të jetë kaq e fortë kjo lidhje për t’u kthyer në një barrierë?
Njeriu dhe kombi janë dy kuptime që plotësojnë njëri-tjetrin. Njeriu përfaqëson të gjitha fuqitë e kombit të vet, ëndrat e tij janë ëndrra të kombit dhe shpresat e kombit janë shpresat e tij. Nëse kombi i humb shpresat, i takon njerëzve të vet që t’i dhurrojnë ëndrrat e tyre. Dhe përsëri prej tij të marrin shpresë, sa herë të dëshpërohen. Këtë gjë duhet të bëjnë sot edhe shqiptarët për kombin e tyre, pavarësisht se mund të duket paradoksale, pavarësisht se mund të duket një sakrificë shumë e madhe për t’u marrë përsipër. Është e kundërta, sakrifica më e madhe është jeta në një vend të huaj, pa atë rrjetën e lidhjeve mendore dhe shpirtërore që çdo vend i fal njerëzve të vet, në cdo rast që ata ndihen të lodhur, të depresuar, me sytë e lidhur nga fashoja e trashë e pesimizmit dhe mungesës së shpresës. Ndoshta materialisht mund të jenë më mirë, më të qetë, por parajsa dihet, është shpirtërore, dhe shpirtërisht ferri ekonomik nuk mund të zëvendësojë, e as të suprimojë dinjitetin dhe moralin njerëzor, paqen me detyrat dhe përgjegjësitë, që çdo njeri provon në raport me të radhmen e kombit të vet, që duhet të bëhet njësh me të ardhmen e fëmijëve tanë. Ndaj, edhe nëse sot shohim se mund të jenë verbuar sytë e Kombit tonë në emër të të gjithë atyre njerëzve që u dorëzuan dhe nuk arrijnë t’i shohin dot fuqitë që gjenden brenda tij, duhet të jetë unifikimi i kësaj të ardhmeje ajo që duhet t’u tregojë rrugën këtyre njerëzve që të shohin me sytë e kombit të ardhmen e fëmijve të vet, sepse kështu do të arrijnë t’ia dallojnë më mirë dhe më bukur pasuritë, vlerat dhe mrekullitë e asaj parajse shpirtërore me emrin Shqipëri.