Ballina Kulturë VEÇ KËNDO E MOS PRAJ! – Nga Migena ARLLATI – Kosovё

VEÇ KËNDO E MOS PRAJ! – Nga Migena ARLLATI – Kosovё

Baresha ime,
Ti qё me zërin tënd na ngrohe si dielli tokёn
dhe rrezet e tua shqip folёn nё cdo stinё

Ti qё si zanё mali
na ngrite mbi kokё
ma t’madhen mburojё:
Traditёn tonё!

Sa herё i shoh vashat tek turren n’dashni
m’kujtohet kanga jote:
“O era lun me barin o nani nan
o eni shoqe t’lozim o nani nan…”
Dhe luj e knaqem me ma t’bukrёn kang’
ma t’fresktёn e ma t’dlirёn
atё tё natyrёs sё re
qё sjell shiun e shndrit qillin
pastron zemrat e shkёlqen jetёt

E ti, ma e madhja e pagarushave,
veҫ kёndo, kёndo e mos praj
se pёr ty kanga nuk ka tё ndal

Kurse unё, eh unё,
mbes pёrgjithnji fёmijё
nё djepin e ninullёs sate
nё jehonёn e majёplisit kreshtave
nё ҫdo skutё zemre e nё ҫdo grahmё jete

Se dashninё pёr Kosovёn
dashninё pёr vendin tim
ma s’pari i mёsova nga ti
Baresha ime…!

MigenaAr.
Gjk, 2018