Ballina Diaspora T’ I NJOHIM PERSONALITETET ARBËRESHE KOSTANDIN BELLUSHI NJË LINGUIST I SHQUAR...

T’ I NJOHIM PERSONALITETET ARBËRESHE KOSTANDIN BELLUSHI NJË LINGUIST I SHQUAR NË BOTËN ARBËRESHE – Nga Prof. dr. Bexhet ASANI

Kostandin Bellushi lindi në fshatin malor të Pllatënit të krahinës së Kozencës së Kalabrisë, në Alto Jonio Kosentino. Ka studiuar Letërsinë italiane në Universitetin e Kalabrisë. Në fillim të karrierës së tij punoi mësues në shkollat e mesme dhe shkollat fillore. Për një kohë të gjatë mbante kurset e mësimit dhe të shkrimit të Gjuhës shqipe në Institutin Gjithpërfshirës të Villapiana – Pllatën. Pas pjekurisë artistike Kostandin Bellushi studioi Shkencat fetare në Institutin Teologjik të Eparkisë së Lungrës. Studimet pasuniversitare i ndoqi në Institutin e Lartë të Shkencave fetare të Arqipeshkëvisë së Kozencës, ku, pasi mori titullin Magjistër i shkencave fetare, merr edhe specializimin në shkencën fetare. Në Universitetin e Kalabrisë, ai gjithashtu kreu detyra mbështetëse për Aktivitetet e Observatorit për Pakicat Gjuhësore në Departamentin e Gjuhësisë, seksioni i Albanologjisë, kështu Bellushi mori, pra, edhe një master për mësimin e Gjuhës arbëreshe, realizuar nga profesorët e Universitetit Ca’ Foscari i Venedikut.

Profesor Kostandin Bellushi tregoi interesim të veçantë për historinë, gjuhësinë dhe traditat popullore arbëreshe. Ai u shqua në fushë të gjuhësisë. Në fillim botoi një fjalor të ilustruar mbi të folmet e Pllatënit, fshatit të tij të lindjes. Bashkë me doktoreshën Flavia D’ Agostino përgatitën një Opera Omnia “Arbashkuar” (Arbërishtja e bashkuar), në pesëdhjetë vëllime nga të cilët pesëmbëdhjetë vëllimet e para janë botuar deri më tani mbi historinë dhe gjuhën arbëreshe: Fjalor Italisht – arbërisht – shqip, në të cilin fjalor përfshihen të folmet e Firmozës, Çiftit, Ejaninës (Janinë – për të kujtuar origjinën e tyre nga qyteti i Janinës banorët arbëreshë të këtij vendbanimi – shënim B. A.), Fermës, Frasnitës, Ungrës, Spixanës, Shën Vasilit me shpjegim në gjuhën letrare shqipe. (Vëllimi I, Edizioni Orizzonti Meridionali, La Grafica Meridionale, Montalto Uffugo 2006).
Bellusci C. – D’ Agostino F. Arbashkuar – Fjalor Italisht – arbërisht – shqip i ilustruar mbi historinë dhe folmet arbëreshe të Maqit, Strigarit, Shën Mitrit, Mbuzatit, Shën Sofisë, Vakaricit, me shpjegime në gjuhën e sotme letrare shqipe. (Vëllimi II, Edizioni Orizzonti Meridionali, La Grafica Meridionale, Montalto Uffugo 2009).
Bellusci C.– D’ Agostino F. Fjalor Italisht – arbërisht – shqip i ilustruar mbi historinë dhe të folmet arbëreshe të Picilisë, Spixanës dhe me përfshirjen e fjalëve të reja të Firmozës, Fermës, Ungrës dhe me shpjegime në gjuhën e sotme letrare shqipe. (Vëllimi III, Tipografia G. C. Zaccara, Lagonegro, Luglio 2014).

Bellusci C. – D’ Agostino F. Fjalor Italisht – arbërisht – shqip i ilustruar mbi historinë dhe të folmet arbëreshe të Farnetës, Kastërnexhit, Pllatënit dhe me shpjegime në gjuhën e sotme letrare shqipe. (Vëllimi IV, Ed. “Expressiva”, Spezzano Alb. se, Gennaio 2018).
Arbashkuar ngërthen në vete pesëdhjetë fjalorë mbi gjuhën dhe historinë e arbëreshëve të Italisë, të cilët jetojnë në pesëdhjetë vedbanime. Studiuesi Kostandin Bellushi ka botuar disa libra në të cilët janë përfshirë shumë figura të rëndësishme arbëreshe.
Teologu Kostandin Bellushi kohët e fundit ka botuar edhe një libër fetar, antropologjik kulturor – filozofik – teologjik: “Sytë, pasqyra e shpirit – nga njeriu te zoti me sytë e tij”. Në dorëshkrim ka një libër tjetër fetar, antropologjik kulturor – filozofik – teologjik: “Veshët, dritaret e trurit – me . Këto vepra janë pjesë e serisë: “Shkencat fetare, filozofike dhe teologjike”.
Duhet theksuar se të gjitha të folmet arbëreshe janë krahasuar me gjuhën amëtare shqipe si me fjalë të zakonshme ashtu edhe me variante.

  1. Folkloristi, antropologu, teologu, historiani dhe etnologu Kostandin Bellushi ka redaktuar dhe botuar një përmbledhje tekstesh mbi fjalimin dhe historinë e bashkësisë arbëreshe të Shën Vasilit, sëbashku me vëllezërit Franco dhe Basilio Pugliese. Ai botoi veprën: “Poezi dhe shkrime të pabotuara të pedagogjisë nga prof. Carlo Brunetti”, Jonica – Tipografia e Trebisacce 1990, “Don Ciccio i miri”, në bashkëpunim me prof. Francesco Giorgio, Grafiche Panico – Galatina 1995 dhe “Pllatëni: kronologjia historike nga mesjeta e deri më sot”, tipografia Jonica Galasso – Trebisacce 1999.
    Prof. Kostandin Bellushi, përveç kësaj, bashkë me F. Gramisci kanë krijuar një CD multimediale mbi historinë, folklorin dhe gjuhën e Pllatënit dhe me F. Santamaria, një CD multimedia tjetër për historinë, folklorin dhe gjuhën e Castroregio dhe Farneta. Prof. Kostandin Bellushi është në vlugun e krijimtarisë së tij shkencore.