Ballina Kulturë LAMTUMIRA E FUNDIT – Nga ISMAIL KADARE

LAMTUMIRA E FUNDIT – Nga ISMAIL KADARE

Kurora dhe kurora pa mbarim,
Kurora gjithë lule, gjithë yje;
Dhe sytë të përlotur me trishtim
Dhe pamje e rëndë zije.

O shokë!
Për të fundit herë sot,
Babanë po përcjell turm’ e pasosur
Me dhembje të kulluar e me lot,
Me zemër të plagosur.

Dhe ja tani, mes heshtjes, në eter,
Një zë i njohur, qartë po dëgjohet.
Në emër tonë sot, shoku Enver,
Përpara tij betohet.
Në gjysmë shtizë flamurët era tund,
Gjëmime topash ndihen në hapësirë,
I jep Stalinit turma e pafund,
Të fundit lamtumirë.

Pra, lamtumirë mik i madh, babà!
Çdo zemër i thotë sot lamtumirë.
Së bashku me Leninin krah për krah
Ay ka për t’u shtrirë.

Pushon tashti
Ay në qetësi,
Por, jo!
Ay nuk vdiq!
Vazhdon të rrojë!
Dhe fjal’ e tij e urtë përsëri
Përpara do na çojë!

5 Mars 1953