Ballina Kryesore Mos e përbuz injorantin – Nga Çapajev Gjokutaj

Mos e përbuz injorantin – Nga Çapajev Gjokutaj

Mos e përbuz injorantin. Si rregull është i paditur nga që nuk është arsimuar si duhet, ose nga që aq ia pret. Në të dyja rastet vështirë se mund të fajësosh atë personalisht.

Ky lloj injoranti mbase duhet quajtur thjesht i paditur. Se ka padije, por ka edhe injorancë. Padija është si errësira e natës, pranon edhe yje, edhe hënë.

Kurse injoranca është errësirë bunkeri, rrethohet nga betoni i dogmës dhe ekzekuton pa gjyq çdo mendim alternativ.

Padija buron nga jashtë, nga kushtet ku jetojmë, nga mundësitë që na ofron shoqëria, nga përpjekjet e pamjaftueshme që bën individi, nga cene e mungesa të lindura etj.

Injoranca buron nga brenda, nga ankthe dhe frikëra iracionale. Uni, me që ndihet tejet i dobët dhe i pasigurtë, absolutizon gjëra që ngjajnë të forta e të qendrueshme si dogma, paragjykimi etj. dhe pastaj identifikohet me to.

Por shumë më i dëmshëm është një lloj tjetër injoranti, ai që pandeh se di shumë dhe synon pozitë e poste. Rrënjët e këtij nuk janë aq pasiguritë e frikërat, sa lakmia e pangopësia.

Dhe për dreq ne, si shoqëri, nuk i kemi në rregull filtrat për t’i papsur e bërë zap injorantët e kesaj kategorie. Që të bindeni për këtë mjafton t’i hidhni një sy skotës së politikanëve.

Nuk mjafton që injorantët e këtij kallëpi t’i përbuzësh??

( Nga cikli ‘Kioska e këshillave’ )