Të jesh nikajmërturas dhe, tërë dijen që ke, ta japësh po për Nikaj-Mërturin, është një vlerë e dyfishtë intelektuale. E kur maturimi intelektual ndaj vendit tënd kurorëzohet edhe me një gradë shkencore, si kjo e Imja, dhe organizma zyrtarë të trevës e më gjerë të japin edhe bekimin e komunitetit, të cilit i ke shërbyer, zemra të bëhet mal për të bërë punë edhe më të mira që jetojnë gjatë në kohë për brezat që vijnë. Pas gradimit doktoral, 25 janari, 2020, do mbetet gjatë në kujtesën time.

Ishte gazetari i kahershëm i masmedias shqiptare, aktualisht drejtues i Euro Albania, zoti Agron Prebibaj, i cili mori nismën që ta bënte mediatike këtë kurorëzim shkencor, së bashku me drejtuesin e shoqatës “Nikaj-Mërtur”, zotin Mhill Gecaj. Ftesa dhe prania e potencialeve intelektuale të zonës dhe të arsimit në bashkinë, Kamëz, i dhanë motivim dhe më shumë musht Autorit dhe frymës doktorale të Tij. Fjalët e thëna me shpirt nga folësit e këtij tubimi festiv, reflektuan seriozitet ndaj punës intelektuale, kapaciteteve të tilla që posedon zona, dashuri ndaj njëri-tjetrit, etikë komunikimi me plot fjalë magjike, që i zotëron vetëm Nikaj-Mërturi. Ky tubim elitar i trevës nikajmërturase tregoi se, kur mblidhemi të gjithë bashkë, nuk ka kala që nuk e marrim.

Ndaj mirënjohja ime u drejtohet organizatorëve kryesorë, që më motivuan si “Krenaria e Nikaj-Mërturit” dhe të gjithë pjesëmarrësve realë në promovim dhe tërë atyre uruesve virtualë që nuk reshtën së shkruari me fjalë zemre, si krenari e përbashkët. Ndaj urimi im është: Faleminderit organizatorë ekselentë! Faleminderit pjesëmarrës ekselentë! Faleminderit kalemxhinj ekselentë! Ju jeni krenaria ime, që veprimi im shkencor t’u dedikohet vetëm Juve. Zoti ju bekoftë në çdo hap të jetës Suaj!