Organizatat që vëzhgojnë lirinë e shtypit dhe shoqatat e gazetarëve kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi një projektligj të paraqitur nga autoritetet në Ukrainë, i cili synon të luftojë dezinformimin rus.

Kritikët thotë se projektligji i paraqitur nga ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më 20 janar parashikon ndërhyrje të tepruar të rregulloreve dhe kontrollit qeveritar në sferën e medias dhe mund të përdoret kundër gazetarëve.

Në një deklaratë më 23 janar, përfaqësuesi për shtypin në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Harlem Desir tha se ai e kupton “nevojën për të luftuar kundër dezinformimit” në Ukrainë, në një kohë kur vendi po përballet me grupet rebele të mbështetura nga Rusia në rajonet lindore të vendit si Donetsk dhe Luhansk. Por sipas tij kjo gjë “nuk duhet të bëhet në kurriz të lirisë së medias dhe përmes ndërhyrjes së shtetit në përmbajtjen e lajmeve që ata transmetojnë si dhe në mënyrën sesi është organizuar veprimtaria e medias atje”, shtoi zoti Desir.

Sindikata Kombëtare e Gazetarëve të Ukrainës (NUJU) paralajmëroi se projektligji që parashikon “ndryshime në akte të caktuara juridike të vendit me synimin për të garantuar sigurinë e informacionit kombëtar e të drejtën për qasje tek informacionet e vërteta” do të ligjëronte ndërhyrjen e shtetit në profesionin e gazetarit dhe do të kufizonte të drejtat e punonjësve të medias.

Sipas projektligjit, dënimi penal për përhapjen e dezinformatave fillon nga gjoba të mëdha në dënim me burg deri në shtatë vjet.

Gazetarëve do t’u kërkohet të bëjnë akreditimin e tyre për shtyp përmes një agjencie të finacuar nga shteti, ndërsa një monitorues i mediave do të ngarkohej me detyrën për të vënë gjoba e bllokuar mediat në internet, krahas penaliteve të tjera tha kreu i NUJU-t Serhiy Tomilenko.

Statusi profesional do t’u jepet ose mohohet gazetarëve bazuar në respektimin e Kodit të Etikës së Gazetarit.

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) si dhe organizata të tjera që mbikëqyrin mediat e këshilluan qeverinë e Ukrainës të qëndrojë jashtë veprimtarisë së medias e ta lejojë atë të vetë-rregullohet.

Për të luftuar dezinformimin, qeveria duhet të promovojë vetë-rregullimin, mbështetjen tek standardet profesionale të gazetarisë dhe nismat e kontrollit të fakteve, pavarësinë e medias, larminë e burimeve për të demaskuar informacionin e rremë“, tha zoti Desir.