Sociologët: Efektet e bonusit financiar pasqyrohen pas disa vitesh

Kur ka kaluar 1 vit nga nisma e qeverisë për të ndihmuar financiarisht prindërit përmes bonusit të bebes, të dhënat nga Instituti i Statistikave flasin për një rënie të numrit të lindjeve edhe në 2019-n. Në tremujorin e tretë erdhën në jetë 7403 bebe, duke shënuar një rënie prej 17.1 %, krahasuar me 2018.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë mbi 37.180 të porsalindur që kanë përfituar bonusin e bebes në 2019-ën, prej tyre, mbi 10 mijë janë të lindur jashtë vendit. Po për qytetarët faktori ekonomik mbetet dekurajues për çiftet e reja.

“Nuk është vetëm bonusi, janë shumë kushte që duhet t’ju plotësohen të rinjve për të krijuar familje”.

“Është gjendja ekonomike, papunësia, rrogat e ulëta”.

“Kanë punë, ja vijmë ne dhe i mbajmë nipërit e mbesat”.

Sociologu Gëzim Tushi thotë se efektet sociale të bonusit të bebeve nuk mund të shihen në një periudhë afatshkurtër. Po sipas tij, rënia e lindshmërisë nuk është vetëm problem financiar.

“Familja shqiptare ka qenë edhe më e varfër në të kaluarën dhe ka pasur shumë fëmijë. Nga 7 fëmijë për grua në 1960, 2.3 në 1989, tani është 1.4. Nuk arrijmë as të riprodhojmë veten. Largimi i të rinjve është problem. Ajo fashë që largohet në këtë momente është ajo riprodhuese. Duhen ndërmarrë politika dekurajuese për emigracionin”, shprehet Tushe.

Tushe shton se duhen ndërmarrë të tjera politika që nxisin lindshmërinë.

“Shtimi në sasi dhe cilësi i shërbimeve që duhet të ofrohen për nënat dhe fëmijët. Mbështetje me donacione, me paga, me ushqime që ka efekt”.

Nga 1 Janari 2019 për lindjen e fëmijës së parë nënat marrin 40.000 lekë, për lindjen e fëmijës së dytë 80.000 lekë dhe për lindjen e fëmijës së tretë 120.000 lekë.