Ballina Bota World Holocaust Forum: “Kurrë më!”

World Holocaust Forum: “Kurrë më!”

Të mos harrohet Holokausti – kurrë më një krim të tillë. Ky debat ishte në qendër të Forumit të Holokaustit në Jeruzalem. Por përkujtimi nuk kaloi pa u trazuar prej përplasjeve politike.

Shtatë shtatore të derdhura në bronz. Fytyrat e tyre shprehin guxim dhe dëshpërim. Skulptura të kujton heronjtë e kryengritjes së hebrejve kundër pushtuesve gjermanë në geton e Varshavës më 1943. Para një muri me tulla të kuqe qendron ky monument në memorialin e Holokaustit Yad Vashem në Jeruzalem.

Yad Vashem – do të thotë në hebraisht një përmendore dhe një emër. Këtë synon memoriali për gjashtë milionë hebrejtë e vrarë gjatë Holokaustit. Në memorial rrëfehen historitë e tyre, përmenden emrat e tyre, përkujtohen ata. “Përpara kësaj përmendoreje qendroj unë si njeri – dhe si gjerman”, thotë presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.

Eshtë hera e parë që një president gjerman flet këtu. Steinmeier e mban fjalimin e tij në anglisht, pra ai nuk përdor gjuhën e tij përmes së cilës u formuluan asokohe urdhërat për vrasjen e hebrejve në Europë.

Steinmeier: “I plotësuar prej mirënjohjes”

“75 vjet pas çlirimit të Auzhvicit unë si president gjerman qendroj para jush, i ngarkuar me fajin e madh historik”, thotë Steinmeier, pas tij ndodhen herojtë e kryengritjes së Varshavës në bronz, dhe përballë tij krerët e shteteve nga mbarë bota, përfaqësues të qeverisë së Izraelit – dhe rreth 100 të mbijetuar të Holokaustit. Jam i plotësuar prej mirënjohjes, thotë Steinmeier. “Për dorën e zgjatur të të mbijetuarve, për besimin e njerëzve në Izrael dhe në mbarë botën, për rigjallërimin e jetës hebreje në Gjermani.”

Steinmeier është njëri ndër më shumë se 40 kryetarë shtetesh e qeverishë, që ndodhen në Izrael (23.01) për të marrë pjesë në forumin e pestë të Holokaustit. Ndër ta presidenti rus Vladimir Putin, ai francez Emmanuel Macron dhe nënpresidenti i SHBA-së Mike Pence. Ftesat janë bërë nga fondacioni World Holocaust Forum bashkë me Yad Vashem dhe presidenten e Izraelit Reuven Rivlin.

Synimi i këtij forumi është të kujtohet Holokausti, të luftohet antisemitizmi. Ka qenë gjithmonë misioni ynë të bashkojmë vendet në luftën kundër antisemitizmit, thotë Moshe Kantor, sipërmarrës rus dhe president i kongresit europian të hebrejve, në bisedë për DW: “Pavarësisht nëse këto vende në kohën e luftës kanë qenë pjesë e koalicionit të Hitlerit apo të forcave aleate.”

Paralajmërim nga një fuqi atomike si Irani

Nënpresidenti i SHBA-së Mike Pence në fjalën e tij në Yad Vashem bën lidhjen mes së shkuarës dhe të së tashmes. “Ne duhet të qendrojmë fort të bashkuar kundër një qeverie në botë, për të cilën mohimi i Holokaustit është politikë shtetërore”, bën thirrje Pence. “Bota duhet të qëndrojë fort e bashkuar kundër Republikës Islamike të Iranit.”

Ngjashëm u shpreh edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu: “Ne nuk do të lejojmë një Holokaust tjetër! Populli hebre e ka nxjerrë mësimin prej Holokaustit: Ne i marrim seriozisht kërcënimet e atyre, që duan të na shkatërrojnë.” Në bisedat bilaterale Netanjahu para ceremonisë përkujtimore u bëri thirrje miqve shtetërorë që të ushtrojnë presion më të fortë ndaj armikut të Izraelit, Iranit, edhe përmes sanksioneve.

Grindje për historinë

Presidenti rus Vladimir Putin në fjalimin e tij nuk iu referua kësaj teme. Presidenti rus shmanget nga nxitja e mëtejshme e konfliktit diplomatik me Poloninë në Yad Vashem. Presidenti polak Andrzej Duda e refuzoi ftesën për në Yad Vashem, pasi mësoi, se atij nuk do t’i jepet e drejta e fjalës ndryshe nga Putinit.

Presidenti rus kohët e fundit herë pas here është përpjekur ta interpretojë ndryshe historinë, duke dashur që ta nxjerrë Poloninë si bashkëfajtore në Luftën e II Botërore edhe për Holokaustin. Qeveria konservatore polake në të kundërt nuk do të pranojë aktet e polakëve antisemitistë në kohën e pushtimit gjerman. Një debat historik, që qëndron si hije ndaj ceremonisë përkujtimore në Jeruzalem. E madje kjo sikurse konsiderojnë disa vëzhgues bën që të dalë në plan të dytë thelbi i eventit, mbajtja gjallë e kujtimit për Holokaustin. E pikërisht kujtimi është një qëllim i rëndësishëm për rreth 100 të mbijetuarit e Holokaustit pjesëmarrës në ceremoni në Yad Vashem.

Si i bëhet kur të ketë vdekur edhe i mbijetuari i fundit?

Njërezit si Valter Bingham p.sh., që e ka përjetuar pogromën e nëntorit 1938 në qytetin jugor të Gjermanisë, Mannheim, duke i shpëtuar rrëmbimit prej nazistëve dhe përmes një transporti për fëmijët zbarkuan në Britaninë e Madhe. Ai luftoi si ushtar më 1944 në Normandi kundër gjermanëve, emigroi më 2004 në Izrael.

I mbijetuari i Holokaustit Valter Bingham

Nuk më kujtohet se çfarë kam ngrënë dje në drekë, thotë 96 vjeçari. Por kujtimi i krimeve të nazizmit është ende i gjallë.

Si mund të ruhet kujtimi pas vdekjes së tij? Pasi të ketë vdekur edhe i mbijetuari i fundit? “Më shumë punë sensibilizuese nëpër shkolla”, thotë Bingham. “Dhe me ditë të tilla si kjo e sotmja, me një ceremoni përkujtimore, si kjo që përjetuam sot në Yad Vashem.”