Ballina Kulturë Vështrim libri: MODESTIA E KRIJUESIT DHE PESHA E VARGUT POETIK TE POETI...

Vështrim libri: MODESTIA E KRIJUESIT DHE PESHA E VARGUT POETIK TE POETI RRAHIM SADIKU – Nga: Tahir Bezhani

Rrahim M. Sadiku: “Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”,poezi. Botoi “Lena Grafika Prishtinë,2017

 “Sa herë ta prekësh fijen e flokut

 gjaku me lot e vaj ka me t’u ngjisë.

Me ty avullohen djersët e s’u del flaka…”

Modestia si vlerë njerëzore dhe kulturë intelektuale, është pjesë përbërëse  e  poetit të mirënjohur, romansierit nga Vendenis i Besianës,z. Rrahim M. Sadiku.  Nëse modestia  ka si komponentë lidhës urtësinë, bamirësinë, fisnikërinë, respektin ndaj të tjerëve,këto i gjejmë në autoritetin e njeriut  në të gjitha aspektet. Pa tjetër se këto vlera embrionale tek njerëzit me ego të lartë, reflektohen edhe në punën e tyre,në këtë rast te krijuesi në fjalë.

Libri me poezi,”Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”,botuar në vitin 2017 përbën atë pëlcitje poetike të rebeluar, që nuk i ngjason modestisë së autorit në pamje të parë. Preukupimi i autorit Sadiku,me tema të larmishme,si rrjedhojë e jetës personale,por edhe të perjetimeve si popull, me kundërmim të sintezës politike etj,janë verbi  poetik i këtij krijuesi .Në poezitë e tij gjejmë thellësinë dhe gjerësinë e mendimit tematik ,kur ato ia shtron frymëzimi dhe burimi nga shpirti i zjarrmuar. Gjithmonë  shpirt i rebeluar ,i cili pëlcet befas në varg,”diçka tepër misterioze në vete mban,gjithmonë e ndezur,gjithmonë zjarr”

Është kjo një pëlcitje me tingull të  veçantë poetik,një paralajmërim i thellësive poetike,një pasuri nga minera krijuese e  Rrahim  M.Sadikut,që do e lakmonim të gjithë.Në librin poetik,”Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”,siç u fol më lart,siç kanë shkruar edhe të tjerët në libër,trajton tema të ndryshme,duke filluar me atë të  ndërgjegjës kombëtare,si rezistencë,si luftë,si reagim krijues, me porosi të ndezuar për t’u flijuar për atdheun,si porosi që mos të mashtrohemi çdoherë.

Pikërisht për këtë, autori zbraz katarzmën e tij:

”Askush s’po frikësohet përballë stuhive,e mali ynë lehtë mund të vuajë….”

Vjen si kushtrim edhe një mendim i frymëzuar sipas ngjarjeve, kur shkruan:

”Nuk ka dritë dielli derisa ujku është në prag,vetëm në ëndrra, për ne ka ardhur pranvera…”

Porosi për njerëzit megallomanë, në dehje e qejfe personale, kur rrahin gjokset “se puna u krye Bac!..”ndërsa ende i ke këmbët në baltë, ose hirit të zjarrishtave të djeshme…

Një krahasim mjaft simptomatik  vjen nga poezia “Çmimin Nobël t’a dhuron vetë populli yt”,kur  shkruan vargum emblematik:” Çmimin Nobë ta jep populli,ai është sa mijëra e miliona vjet”. Për mesazhin e kësaj poezie emblematike,secili lexues nxjerr konkludimin e tij personal, por mendoj se është një thënje e mrekulluar për karaktere të ndryshme, brenda  shoqërisë sonë. Pra,këtu shkoqim një mendim-mesazh të fortë që përmban poezia e z. Rrahim M. Sadiku. A ka çmim më të lartë se vlerësimi që të vjen nga populli që i takon?…

Sa ndjeshëm buron vargu tek poezia,”Pse pakëz kemi çka të lexojmë”,kur shprehet:

”Miliona faqe të bardha ka libri,e pakëz kemi çka të lexojmë,verbërimi i tepërt është shpirt mize,fjalët e vargjet që shënojmë mungojnë”.

Pa dyshim,një poet me intelekt të lartë krijuesi,apelon te gjeneratat se dija vjen nga libri-leximi,i cili sjellë ardhmërinë e lumtur. Dhe,në fund të kësaj poezie,jep mesazhin brilant,si antitezë e mendimit paraprak, se çfarë ndodh me padijen:

”Dashuri është jetën me çdo gjë me gëzue,me befasue,punue e me lexue,këto tri trajta  gjithë diell,çdo të mirë secilit i  kanë sjellë, e jo verbuar me urrejtje e djallëzi kudo,farë e rrënjët e helmit kudo me mbjellë.”

Sigurisht se këto vargje dhe porosia që vjen prej tyre ,janë pjesë antologjike e të menduarit njerëzor. A e gjejmë vetveten secili në kuptimin e këtyre vargjeve?!…

Në raste të caktuara, gjatë  leximit, lexuesi gjendet  shpesh para rebelimit pëlcitës të krijuesit ,i cili në brendinë e tij,ndjen dhimbjen e ngecjes së përparimit të popullit të tij.Në dukje të parë gjason një reagim fishtian i një gjendje të brendshme. E si ta thotë ndryshe, pos në vargje kaq të fuqishme:

“ Jemi të vetmit në botë që edhe pa pirë dehemi….” ose :” dhimbja ime përherë flakë gjaku,pse çdo gjë popullin po e verbon?….” dhe ” kurrë s’po bëhemi si  popujt e tjerë,që rrënjë e farë me i ditë vlerë….”

Krijuesin Rrahim M.Sadiku,e kam takuar dy herë, në dy orë letrare në Klinë. Për këtë që thashë, kam paragjykime individuale se si ka mundësi, kaq rrallë të takohemi mes veti brenda një ambienti “shuplakë dore” në këto hapësira?…

Si mos të komunikojmë për vlerat e artit që na bashkon edhe me botën?! A  është njerëzore që të nxjerrim në pah,publikojmë vlerat e njëri tjetrit,pa marë parasysh nga i cili vend jemi?!

Dhe,cila është pengesa që nuk i bëjmë këto gjëra të mira nën ombrellën krijuese mbarëshqiptare?! Sa do kisha mungesë sikur të mos e kisha takuar zotëri Rrahim M. Sadikun, apo lexuar librin e tij,kaq të pasur me vlera poetike.Nuk është e thënë që shkrimet reciproke  të jenë të mbushura me “lavdata” ose “kritika”,por  të jemi të pa mendje të madhe,  të mësojmë nga njëri tjetri. Kjo do ishte esenca e krijuesve koherentë.

Në librin me poezi “Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”, të autorit Rrahim M. Sadiku,siç është cekur në fillim, ka për trajtim një tematikë të gjërë të problemeve shoqërore , njerëzore e ndërnjerëzore,  një dedikim me edukatë të theksuar duke përcjellë tek lexuesi një humanizëm të krijuesit të mirëfilltë dhe mjaft të angazhuar në kohën e tij. Gjatë leximit të poezive të këtij vëllimi,si rrallë herë ndodh,nga autori nuk vërejta poezi me tematikë dashurie, ato janë si një gërshet i jetës njerëzore. Nuk do ia ulnin vlerën librit  sikur të  ishin pjesë e tij.

Nga libri mund të lexohen edhe shume e shumë poezi të pacekura në këtë vështrim(si pamundësi),por poezitë si “Molla e Ukshin Hotit”,”Në prag të dyzetave si vezë nëpër fleta”,”Dy krenare me rreze dielli”,disa poezi përkushtuese,pëmbajnë tharmin  poetik të këtij libri-autori.Është kënaqësi ta kesh dhe ta lexosh librin e z. Rrahim M.Sadiku,”Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”.

 

Gjakovë,23,janar,2020