Reçak, Kosovë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në veprimtarinë përkujtimore të 21-vjetorit të Masakrës së Reçakut, të kryer nga forcat ushtarake serbe.
Para mediave të pranishme, Presidenti Meta, duke theksuar se Masakra e Reçakut ishte një krim kundër njerëzimit, u shpreh:
Ishte pikërisht kjo masakër dhe kjo sakrificë e pashembullt e popullit të Reçakut që shokoi mbarë botën, por edhe që vuri në lëvizje diplomacinë botërore përmes Konferencës së Rambujesë, për të kërkuar një zgjidhje për të ndalur gjenocidin në Kosovë, përmes ndërhyrjes së NATO-s.
Kjo masakër, por edhe të tjera që kanë ndodhur në Kosovë në kuadër të një plani për spastrimin etnik, tregoi se liria dhe dinjiteti njerëzor padyshim që gjithmonë triumfojnë ndaj gjenocidit, dhunës dhe barbarizmit.
Ndaj sot është koha, jo vetëm për të kujtuar këtë masakër dhe të gjitha ato ngjarje tragjike të ndodhura në Kosovë, por edhe për të kërkuar që drejtësia të shkojë deri në fund për të gjithë ata, të cilët orkestruan dhe realizuan këtë krim kundër njerëzimit, pasi kjo është rruga më e mirë për një pajtim të vërtetë e të qëndrueshëm në rajonin tonë.
Të gjithë ne duhet të qëndrojmë të bashkuar rreth vlerave më të mira europiane, dhe të bëjmë gjithçka që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në rajonin tonë. Dhe këtë mund ta garantojë një e ardhme e përbashkët europiane.”