21 vjet më parë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe vranë 45 banorë të fshatit. Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe më pas ata u gjetën të ekzekutuar në një luginë mbi fshat.
Më 16 janar ish shefi i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ambasadori William Walker e cilësoi atë krim kundër njerëzimit.
“Nga ajo që unë personalisht kam parë, nuk hezitoj ta përshkruaj ngjarjen si një masakër, padyshim një krim kundër njerëzimit. Bota duhet ta dënojë këtë mizori”, tha atëbotë ambasadori Walker.
Më pas forcat serbe i kishin marrë trupat e të vrarëve dhe i kishin dërguar në Prishtinë në institutin e mjekësisë ligjore dhe vetëm pas një muaji ishte bërë i mundur varrimi i tyre.
Beogradi e shpalli atëbotë ambasadorin Walker person të padëshirueshëm ndërsa nuk lejoi hyrjen në Kosovë të ish prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, Louise Arbour
Masakra e Reçakut shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe më 6 shkurt përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.
Më 15 mars të viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë u nënshkrua nga përfaqësuesit e Kosovës por u refuzua nga Beogradi dhe më 24 mars NATO-ja filloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e trupave të aleancës dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Njëzet e një vjet pas masakrës në Reçak, Kosova po mbush dymbëdhjetë vjet të shpalljes së pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila vazhdon të mohojë atë çfarë kishte ndodhur në këtë fshat.
Në fund të vitit të kaluar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nxiti reagime të zemëruara në Kosovë duke e cilësuar masakrën e Reçakut si “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker, për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999”.
“Kur njerëzit më pyesin për reagimin tim lidhur me deklaratat e presidentit Vuçiç që më thërret gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi është që po dëgjoj edhe njëherë fjalët e Sllobodan Millosheviçit” (ish presidentit serb që vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte gje gjenocid)”, tha ambasadori Walker një ditë më parë.
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përkujtuan në një deklaratë të përbashkët masakrën e Reçaku e cila “çoi në ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund katastrofës humanitare”.
“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më pare, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratë.
Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë në një postim ne rrjetet sociale tha se “më 15 janar të vitit 1999, 45 shqiptarë të Kosovës u masakruan në Reçak. Ne i bashkohemi nderimit jetëve të pafajshme që u morën në Reçak dhe gjithandej Kosovës në atë kohë. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave. Mbetemi të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, sigurisë publike dhe të ardhmes paqësore për të gjithë”, thuhet në postim.
Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian shkroi të mërkurën në rrjetet sociale se “ajo çfarë ka ndodhur në Reçak dhe mizoritë e kryera në janarin e vitit 1999, janë shumë mirë të dokumentuara. Mohimi bie ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Vlerësimi i sinqertë dhe i mirëfilltë i së kaluarës është i nevojshëm për hir të respektit ndaj viktimave”, shkroi zëdhënësja Ana Pisonero.
Udhëheqësit e Kosovës thanë se e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke mohuar krimet e së kaluarës, ndërsa i bënë thirrje Serbisë të pranojë përgjegjësinë dhe të kërkojë falje për krimet e luftës.
Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare.