Ballina Aktualitet PS-PD bien dakord për të kryer Reformën Zgjedhore

PS-PD bien dakord për të kryer Reformën Zgjedhore

Një vit pasi doli nga parlamenti, opozita ka rënë dakord me mazhorancën për të kryer së bashku Reformën Zgjedhore. Në një tryezë të dakordësuar prej ditësh, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, që bashkëdrejtojnë Komisionin e Reformës Zgjedhore, u ulën me demokratin Oerd Bylykbashi dhe nënkryetarin e LSI, Petrit Vasili dhe pas 60 minutash u ngritën me një marrëveshje.

Marrëveshja parashikon krijimin e një Këshilli Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfaqësueseve të grupeve parlamentare në Kuvend dhe ekspertëve të të dy palëve.

Puna e kësaj strukture që do të asistohet nga përfaqësues të OSBE/ODIHR-it do të përqendrohet tek objekti i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, pra rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve. Për çështjet që nuk do të gjejnë dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertë ndërkombëtarë ose OSBE/ODIHR.

Të dyja palët thotë se nga kjo marrëveshje janë përmbushur kërkesat e tyre. U arrit ajo që ne kërkuam, u gjet një mënyrë…

Projekti përfundimtar për të cilin palët do të bien dakord do të miratohet nga Kuvendi, në përputhje me procedurat parlamentare. Mazhoranca angazhohet të mos kryejë ndryshime të tekstit të dakordësuar, as në Komisionin e Reformës dhe as në seancë, ku opozita jashtë parlamentit nuk është e pranishme.

Pjese e marrëveshjes nuk është ndryshimi i sistemit zgjedhor, edhe pse opozita parlamentare e kërkon me ngulm një gjë të tillë.

Palët e shohin si hap pozitiv këtë pakt drejt arritjes së zgjidhjes se krizës politike.

Sipas marrëveshjes, reforma duhet të përfundojë jo më vonë se 15 Marsi i vitit 2020, kur përfundon edhe mandati i Komisionit të Posaçëm.