Ballina Bota Britania, Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjidhje për shkeljet e Iranit

Britania, Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjidhje për shkeljet e Iranit

Britania, Franca dhe Gjermania njoftuan të martën se hapat e Iranit në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nuk u lënë atyre zgjidhje tjetër veçse ta kalojnë çështjen në një proces të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të parashtruar në dispozitat e marrëveshjes.

Vendet thonë se ata kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre në bazë të Planit të Përbashkët të Veprimit, përfshirë heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Iranit dhe duke punuar për të promovuar tregtinë e ligjshme me Teheranin.

“Megjithatë, Irani ndërkohë ka vazhduar të thyejë kufizimet kryesore të përcaktuara në marrëveshje,” thuhet në një deklaratë të përbashkët. “Veprimet e Iranit janë në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes bërthamore dhe kanë ndikime gjithnjë e më të rënda dhe të pakthyeshme të përhapjes së armëve bërthamore.”

Marrëveshja, e nënshkruar gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, kishte për qëllim të ulte shqetësimet se Irani po punonte për të ndërtuar një armë bërthamore dhe vendoste kufizime në programin e tij bërthamor, që synonin ta bënin të pamundur një gjë të tillë. Në këmbim, Irani u lehtësua nga sanksionet që dëmtuan keq ekonominë e tij.

Por pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018, Irani filloi të zvogëlojë pajtueshmërinë e tij me hapa të tillë si tejkalimi i kufijve të lejuar të sasisë së uraniumit të pasuruar, që mund të rezervojë, duke e pasuruar në nivele më të larta dhe duke përdorur më shumë centrifuga sesa lejohet.

Irani e bëri këtë përmes një seri hapash, duke pohuar çdo herë se ato ishin të kthyeshme nëse nënshkruesit e tjerë punonin me Iranin, kryesisht për ta ndihmuar atë ekonomikisht pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif tha të hënën se të tre vendet evropiane “ishin përkulur ndaj diktatit amerikan” dhe se një qasje e tillë kurrë nuk do të arrijë asgjë.

“E3 mund të shpëtojë marrëveshjen por jo duke kënaqur bullistin dhe duke i bërë presion palës përgjegjëse,” tha zoti Zarif në Twitter. “Përkundrazi duhet të marr guximin për të përmbushur detyrimet e veta.”

Administrata e Presidentit Donald Trump argumentoi se marrëveshja ishte shumë bujare për Iranin dhe nuk e kufizonte atë që e quajti sjellje armiqësore të Iranit në Lindjen e Mesme. Ajo ka realizuar atë që e quan një fushatë “presioni maksimal” për të detyruar udhëheqësit e Iranit të ndryshojnë kursin e tyre.

Britania, Franca dhe Gjermania përsëritën “keqardhjen dhe shqetësimin” e tyre për tërheqjen e SHBA nga marrëveshja dhe e sqaruan të martën në deklaratën e tyre se kërkimi i një rezolute nga Komisioni i Përbashkët nuk do të thotë se ata po mbështesin strategjinë amerikane.

“Tri vendet tona nuk po bashkohen në një fushatë për të zbatuar presionin maksimal kundër Iranit,” thuhet në deklaratë. “Shpresa jonë është që ta kthejmë Iranin në përputhje të plotë me angazhimet e tij sipas marrëveshjes.”

Komisioni i Përbashkët përbëhet nga një anëtar nga secili nga nënshkruesit, dhe sipas marrëveshjes ata kanë 15 ditë për të zgjidhur një mosmarrëveshje. Hapi është i pari në një seri mekanizmash të zgjidhjes së mundshme, i fundit prej të cilave përfshin referimin e çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.