Ballina Histori Ndoc Mark Papleka në këndvështrimin e origjinës, kontributit dhe kujtesës historike –...

Ndoc Mark Papleka në këndvështrimin e origjinës, kontributit dhe kujtesës historike – Nga Prof. Dr. Lush SUSAJ

Në Wikipedia, për studjuesit, kritikët dhe krijuesit e Shqipërisë dhe botës, për Ndoc Papleken ose Anton Papleken, është shkruar: “Është poet, skenarist dhe përkthyes shqiptar. Ka kryer studimet e larta për gjuhë e letërsi dhe ka punuar si mesues, redaktor, skenarist etj. Ka nisur të shkruajë poezi shumë heret. Libri i tij i parë me poezi është: “Zeri Im”. Me pas vijne vellimet me poezi “Ecim”, “Ngjatjeta, Diell”, “Rrathet e Lisit” etj. Ka shqipëruar një varg veprash të autorëve të ndryshëm të huaj. Ka shkruar shumë proza e romane për femijë e për të rritur, etj”. Krijimtaria e Ndoc Paplekës në vite, ruhet në fondin e bibliotekës kombëtare dhe të bibliotekave tona përsonale dhe online. Edhe për rendësinë dhe mesazhin informues, edukues e fisnikërues të veprave letrare dhe artistike të Ndoc Mark Paplekës, është shkruar e folur aq shumë në ditët e promovimit të tyre, në ditët e takimeve për kulturën dhe letërsinë, në ditët e festave familjare e shoqërore dhe në përvjetorët e ditëlindjes së tijë. Puna e publikuar në vite, është mundi, shpirti dhe pavdekësia e tijë, aty është arkivuar edhe dëshmia dhe kujtesa më e mirë mbi realitetin tonë jetësor, shoqëror e politik të tri periudhave historike, para vitit 1945, si dhe para dhe vitit 1990. Historia e jetës dhe vepres së tijë është dëshmia më e mirë dhe më autentike edhe për faktin se Ndoc Mark Papleka nuk është as njeriu i ri i partisë dhe as i stimuluari apo i përkdheluri i partisë që mbolli dhe kultivoj varfërinë, përçarjën kombëtare, antivlerën dhe antimoralin. Ndoci është identitari i autoktonisë dhe vazhdimësisë më të mirë të familjes dhe truallit të tijë, është arritja dhe shëmbulli më i mirë për elitën dhe krijuesit në mote e në breza. Në këtë 75 vjetor të jetës së tijë, në këtë përmbledhjen time të shkurtër e të shpejtë do të përpiqëm që të përqënrohem dhe të sjell në vëmendje disa nga kujtimet, ngjarjet dhe historitë e zakonshme të jetëve tona, e që gabimishtë për to është shkruar dhe folur shumë pak ose aspak. E kam fjalën për disa ngjarje dhe histori që unë i kam dëgjuar e mësuar që në moshën time të vogël, që në kohë kur unë kam mësuar emrin dhe ekzistencën e Ndoc Mark Paplekës, e që ka të ngjarë që të kem qënë jo më shumë se 5-6 vjeç, e sigurtë përpara që unë të filloja klasën e parë të shkollës fillore që e kam bërë në të njëjtin fshat dhe në të njëjtën shkollë ku ka mësuar edhe Ndoci. Deri në moshën 26 vjeçare, unë jam rritur në lagjen e Paplekajve të Lekbinajve, kemi qënë dhe jemi shokë, kojshi, kushëri e kumarë të vjetër me prindërit dhe me njerëzit më të afërt të Ndocit. Shtëpiat dhe familjet tona nuk janë më larg se 200 metra larg nga njëra tjetra dhe mbushin ujë në të njëjtin krue që është quajtur e quhet “Kroni i Qun Kolës”.  Qun Kola i paplekajve është djali i Kol Qerimit, një fisniku të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, sidomos në Austri. Historia e meritës, e qëndresës dhe e mbijetesës së jashtëzakonshme të familjes fisnike të Kol Qerimit, dhe djemëve të tijë, Qun Kola, Kadri Kola dhe Deli Kola, është një histori e njohur dhe e rrespektuar nga elitat dhe e gjithë trashegimia jonë autoktone, kombëtare. Shëmbullin e shkelqyer të njerëzillëkut, të korrektesës, të përgjegjësisë dhe të atëdhedashurisë e kanë njohur dhe vlerësuar njerëzit e zakonshëm, studjuesit dhe të gjitha administratat shtetërore që kanë funksionuar në rrethet e Tropojës, Kokësit, Hasit, Shkodres, Pukës e Mirditës. Si rrallë familje tjetër në malësi dhe Shqipëri, ka sakrifikuar e dhënë çdo gjë për fe e për atëdhe. Djemtë dhe burrat e kësaj familje, kurrë nuk i janë shmangur përgjegjësisë, as detyrimeve kombëtare dhe as përballjes me pushtuesit dhe rregjimet antipopullore e antikombëtare që kemi kaluar. Unë i kam parë dhe përjetuar nga afër vuajtjet dhe sakrificat e katër brezave të kësaj familje, që gjithnjë qëndroj me trimëri dhe vetëmohim në mbrojtje të lirisë, të identitetit, të trashegimisë dhe të vazhdimësisë së plazmës autoktone në territoret natyrore të Shqipërisë natyrale. Kam parë nga afër vitalitetin dhe forcën e jashtëzakonshme të këtyre njerëzve, e njoh jetesën e tyre të fisme dhe mënyrën burrërore e trimërore të përballjes me të keqën dhe veshtirësitë e burgosjeve, interrnimeve, pushkatimeve dhe pengesave të hapura e të pameritura që pamundësonin arsimimin në shkollat e larta dhe punën apo prezencën e tyre në administratën shtetërore. Janë djegur e sekuestruar me shtëpi e pasuri, janë vrarë dhe varfëruar deri në palcë, e përseri kan qëndruar dhe janë ringritur pa marrë haram dhe pa u turpëruar. Këta njerëz, gjithmonë e gjithkund, punuan dhe jetuan me dinjitet e me kokën lartë. Dhimbja dhe halli i madh e i pamerituar që ra mbi familjet fisnike të Qun Kolës, Kadri Kolës (gjyshi i Ndocit) dhe Deli Kolës, ka qënë dhimbja dhe halli ynë i përbashkët, ndajë dhe është lehtësuar dhe përballuar duke besuar dhe duke u mbështetur fortë tek njëri tjetri, në të mirë e në të keqe. Në këtë këndvështrim, sa herë që flitet për Ndoc Mark Paplekën apo për të tjera përsonazhe, asnjëherë nuk mund të anashkalohet baza sociale e shoqërore, sidomos origjina e cila, ndonëse nuk mund të zgjidhet dhe as të ndryshohet, deri diku bëhët përcaktuese e sjelljes, e forcës dhe e karakterit të njeriut. Është fjala për sjellje dhe cilësi që burojnë nga gjenotipi me genët e familjes dhe prindërve biologjikë, e që përcaktojnë gjithë sjelljen tonë të moralshme apo të pamoralshme, me njerëzillëkun apo egoizmin, më karaterin e fortë apo të qullosur, me ndershmërinë apo pandershmërinë, me sinqeritetin apo skuthëllëkun, më dashurinë apo urrejtjen ndajë njerëzve, natyrës, kulturës, shtetit dhe atëdheut. Në këtë kontekst, unë mëndoj se origjina, hallallëku dhe trashegimia e pastër familjare, ka qënë përcaktuese edhe për jetën e moralshme e të suksesëshme të Ndoc Paplekës. Duket që tradita e vatres së familjes së tijë, është ajo që e ka ushqyer shpirtin dhe karakterin e tijë të admirueshëm me durim, me shpresë, me talent dhe me force për të qëndruar dhe përballuar veshtirësitë e pamerituara të kohës e jetës.

  • Paplekajt janë familja e parë e Lekbibajve dhe Nikajve

Fisnikëria dhe respekti ndajë paplekjave, sidomos ndajë shpisë së Kol Qerimit (siq thuhet në bisedat e zakonshme), nuk burojnë as nga politika dhe as nga administratat pushtuese e abuziviste që kanë sunduar apo qeverisur në Luginën e Drinit dhe në pjesët e tjera të Shqipërisë. Fisnikëria dhe respekti ndajë brezave të kësaj familje ka një bazë dhe vazhdimësi natyrore dhe historike të njohur, të pranuar e të respektuar nga të gjithë. Falë këtij realiteti historik, në familjet e Lekbibajve dhe të Nikajve, në sofren e parë e në kryet e vendit, gjithmonë thirrët dhe ulet një nga burrat e paplekajve. Këtë vënd e kanë merituar dhe e kanë mbajtur me dije, urtësi dhe dinjitet në të të gjitha kohërat. Pavarësishtë nga veshtirësitë, burrat e shpisë së Kol Qerimit të paplekajve, kurrë nuk i kanë lënë vetes, fisit e as atëdheut turp, as borxh e as marre. Kjo shpi bujare nuk ka prerë kënd kurrë në fjalë dhe as në në besë, nuk ka përbuzë të sëmurin as nevojtarin, të ligun e as të fortin. Në të gjitha kohërat ka mujtë me pritë e me përcjellë me bujari e me zemër të madhe, ka ushqyer dhe ka mbrojtur të njohurin e të panjohurin, duke mos dalë kurrë nga rregulli dhe as nga traditat e mira të familjeve autoktone. Duke shkuar pak më thellë në histori dhe në gjinealogji, na rezulton që paplekajt janë pasardhësit e drejtëpërdrejtë të Pap Lekës, djalit të parë të Lek Bibës. Ndërsa Lek Biba është djali i madh i Bib Nikës së Nik Mekshit, kryefisnorit të fisit të Nikajve. Fisi i Nikajve është formuar nga shtimi i tre nipave të Nik Mekshit, djemëve të Bib Nikës të quajtur Lekë Biba, Kolë Biba dhe Mark Biba (Skema 1).

Skema 1. Degëzimi fillestarë i fisit të Nikajve, nga djali deri të nipat e Nikë Mekshit

Dega e parë është ajo e djalit të madh Lekë Bibës që përbëhet nga dy vllazni të mëdha: Nikprendajt, pasardhës të Nikë-Prend-Geg-Lekë-Biba; dhe Paplekajt, pasardhësit e Pap-Lekë-Biba. Dega e dytë është ajo që është krijuar nga Kolë Biba, nga ku janë formuar Perajt që janë pasardhësit e Per Kolë Bibës dhe Gjonpepajt, pasardhës të Gjon-Pepë-Kolë-Bibës. Ndërsa nga pasardhësit e Mark Bibës, janë formuar dy vllaznitë e Currajve, Nikbibaj (nga Nikë-Bibë-Marku) dhe Prebibajt (nga Prend-Bibë-Marku). E solla këtë fakt për të sqaruar dhe kuptuar faktin që është natyra, Zoti dhe historia që ua ka dhënë paplekajve rrolin dhe vendin e pare në kuvende, në beteja, në pleqësi dhe në sakrifica. Të gjithë sa jemi, dihet që jemi produkt i një historie të caktuar me apo pa shkelqim. Ndërsa Ndoc Mark Paplekës, i ka shkelqyer talenti dhe historia e gjallë e qëndresës dhe vazhdimësisë së moralshme e të vyrtytshme të familjes së tijë. Në gjeografinë dhe demografinë e Shqipërisë, me emërin Lekbibaj, janë shënuar dy katunde të quajtura “Lekbibajt e Krasniqës” dhe “Lekbibajt e Skurajve të Kurbinit”. Në të dyja katundet me këtë emër, kanë banuar dhe banojnë e njëjta popullsi që rrjedh nga kryefisnori Nik Mekshi (i Meksh Keqanit), vëllau i Kras Mekshit (kryefisnorit të Krasniqës) dhe i Vas Mekshit, kryefisnorë i Vasojeviçve të sllavizuar gjatë shekullit të 19-të, e që jetojnë në Malin e Zi, në të majtë të rrugës Tuz-Podgoricë.  Krasi ka qënë djali i madh, ndërsa Nika ka qënë djali i dytë dhe Vasi ka qënë djali i tretë i familjes Keqani, pjesë e familjes së madhe të Geg Lazrit, nga fisi Ilir i Dalmatëve. Nika është kryefisnori i Nikajve, ndërsa paplekajt kanë qënë dhe janë të parët e gjinealogjisë dhe rrugës së gjatë të Lekbibajve dhe Nikajve. Në këtë rrugë të mundimshme, paplekajt kanë mbajtur barrën e tyre të rëndë për të qënë në krye të përgjegjësive dhe të betejave për liri, ku kanë dhënë shumë gjak dhe dëshmorë. As në këtë trajtesë të shkurtër nuk mund të anashkalohen apo të lihen pa u përmëndur trimëritë e njohura e të dokumentuara të Durak Dem Paplekës (Topuzit), as heroizmi i Ndue Zenel Paplekës që në vitin 1912, në moshën 46 vjeçare la gruan dhe 5 fëmijët e u vëndos në ballin e betejës antiosmane në Gjakovë, aty ku dha edhe gjakun e jetën për pavarësinë e Shqipërisë. Nuk mund të harrohet as trimeria e Bek Selim Paplekës, as kuntributi dhe historia atëdhetare e Pashko Sadik Paplekës, legjendës së luftës nacionalçlirimtare, që pas çlirimit u sulmue dhe u burgos vetëm se donte zhvillimin dhe përparimin e vëndit dhe të popullit të tijë. Sjell në vëmendje faktin që në atë kohë, Pashko Papleka ka qënë partizani dhe njëriu më i arsimuar i Shqipërisë Veriore.  Pas përfundimit të luftës, Pashko Papleka ka punuar në Shkodër dhe në Breg të Lumit të Shalës, me qëllim ndërtimin e një qyteze administrative në zëmër të Alpeve Shqiptare. Ky ka qënë dhe do të mbetet projekti më i rëndësishëm i të gjitha kohërave, nga ku do të mund të marrë jetë turizmi, arsimi, asfaltimi i rrugës, teliferikët, spitalet, stopimi i shpopullimit dhe vazhdimësia e traditës, zakoneve dhe jetës identitare të një popullsie autoktone të krahinave katolike të Nikaj-Mërturit dhe Dukagjinit. Në kohën kur sapo kishte filluar puna për ndërtimin e zyrave, të magazinave, të shkollës, etj, Pashkon e thërrasin me urgjencë në Shkodër dhe e urdhërojnë për ta ndalë projektin e ndertimit të qytetit në zëmër të Alpeve. Duket që politika dhe interesat e ngushta orientale nuk e deshën kurrë zhvillimin dhe as ndertimin e një qyteze të tillë për krahinat dhe katundët e Mbidrinit. E derguara e komitetit qëndrorë të asaj kohe, shoqja Liri Belishova, pati urdhëruar që një projekt i tillë të realizohej në Thethë e jo në Breg Lumi. Ndërsa Pashko Papleka e kishte kundërshtuar këtë ndryshim të vëndit për shkak se në hapësirën gjeografike nga Qafa e Kolqit deri në Qafë t’Thore, mesi apo vëndi më i përshtatshëm do të ishte Breg Lumi e jo Thethi që ndodhëj në cepin më të largët të hapësirës. Në atë kohë, Pashko Papleka besonte në kontributin e dhënë, në idealet e luftës dhe në mbështetjen që mund të gjënte tek Enver Hoxha. Dihet se si Pashko Sadik Papleka ka udhëtuar menjëherë drejt Tiranës për të diskutuar përseri me Enver Hoxhën. Ai ka treguar se si gjatë bisedës me Enverin ka ndërhyrë Lirie Belishova me qëndrimin dhe kërkesën e sajë për të mos vazhduar me tutje me projektin e një qyteze të tillë në Breg Lumit të Shalës. Pas këtij zhgënjimi të madh, lojën e pabesë ndajë ish komandantit Pashko Papleka e kanë vazhduar paria komuniste e Shkodres e dominuar nga njerëzit e Miladinit dhe podgoriçanë, njerëz që nuk kishin shkrepur asnjë pushkë për pavarësinë as për lirinë e Shqipërisë. Për ta menjanuar dhe larguar njëherë e mirë Pashko Paplekën, ata fabrikuan dëshmitarë dhe akuza të paqëna për ta dënuar e derguar disa vite në burgun e Shkodrës. Në plan të parë nuk ka qënë zhvillimi i qëndrueshëm e krahinave të Mbidrinit por pushteti komunist që nuk mund të instalohej pa ato vrasjet, pushkatimet, burgosjet dhe interrnimët e patriotëve, intelektualëve dhe familjeve më të mira të Shqipërisë. Në këto pak rreshta nuk mund të mos përmendet edhe heroizmi i Nik Deli Paplekës dhe Halil Qun Paplekës që u ekzekutuan për të mbjellë frikë e terror. Kjo është një pjesëz e vogël e asaj panoramës ku mund të lexohet e të kuptohet fati i trishtë i trimave e patriotëve të paplekajve që dhanë jetën dhe çdo gjë tjetër për mbrojtjën e Shqipërisë nga dhuna orientale dhe degradimi i gjithanshëm i ekonomisë, politikës dhe marrëdhënieve shoqërore.

Pasardhësit e Kol Qerim Paplekës nuk kishin bërë asgjë të keqe për t’u sulmuar, as për t’u dhunuar, as për t’u sekuestruar e as për t’u ekzekutuar pa gjyq. Të gjithë e kemi ditur mënyrën se si ata nuk provokuan, ndërsa u provokuan në mënyrën më tinzare e rrugaçërore. Ata nuk kërkuan luftë vëllavrasëse, ndërsa u sulmuan paturpësishtë dhe pabesishtë deri në atë pikë sa i detyruan që të reagojnë e të mbrojnë me armë vatrat dhe familjet e tyre. Burrat e paplekajve nuk kanë djegur dhe nuk kanë vjedhur askënd, ndërsa janë djegur e vjedhur deri edhe me cigarishtën prej qelibari të Qun Kolës. Paplekajt nuk kanë persekutuar dhe nuk kanë përbuzur askënd, ndërsa u persekutuan, u menjanuan dhe u goditën në tre breza me radhë. U sulmuan dhe u ekzekutuan njerëzit më të mirë, më të ditur e më të besuar të vëndit, ata që e kuptuan dhe e paralajmëruan atë që do të vinte më pas. Realiteti i asaj kohe është përplasja e dy botëve në lekbibaj dhe kudo në Shqipëri. Nga njëra anë janë paplekajt që kurrë nuk dhunuan e as nuk vranë gra, as fëmi dhe as kufomat e të vdekurve, ndërsa nga ana tjetër është makineria e dhunës komuniste që u shfaq dhe funksionoi sipas një modeli turpërues e të neveritshëm aziatik, me vrasje pas shpinde, me turtura e çnjerëzime e me përçudnime e zhdukje të kufomave. Ndoc Mark Papleka (djali i vetëm i Mark Kadrisë së Kadri Kolës së Kol Qerimit), është lindur dhe edukuar me qëndresën, moralin e pastër dhe me vyrtytet më të mira të këtyre njerëzve dhe të kësaj vatre të vjetër atëdhetare. Nuk mund të mos përmëndim faktin që trolli i Kol Qerimit dhe familja e Kadri Kolës (gjyshit të Ndoc Paplekës), ka patur lidhje të forta gjaku e miqësie edhe me prijësit e tjerë popullorë dhe të gjitha familjet elitare të krahinave të Mirditës, Pukës dhe Mbidrinit. Në këtë kontekst, sjell në vëmendje faktin që Kol Qerimi (baba i Kadri Kolës), ka qënë nip tek familja e njohur e Skurajve të Kurbinit, e njohur si pasardhëse e princit Ndue Mark Skura, që ka patur një qytezë në rreth 300 shpi e 700 banorë në Fushë Skuraj, në të djathtë të Lumit Mat, rreth 500 m larg bashkimit të Matit me Fanin. Nga ajo kohë, duket që ka mbetur vetëm një pemë e vjetër mani me zgavër të madhe, e ripërtërirë disa herë e me moshë rreth 200 vjeçare. Në këto rrethana historike, Kol Qerimi dhe pasardhësit e tijë kanë patur edhe një rrol të madh përbashkues dhe komunikues. Kol Qerimi dhe djemtë e tijë kanë qënë besa, mbështetja dhe lidhja më e mirë midis Kurbinasve, Mirditorëve, Nikaj-Mërturit dhe krahinave të tjera të Luginës së Drinit dhe të Malsisë së Gjakovës. Për këto e shumë arsye të tjera, shpia dhe pasardhësit e Kol Qerimit, gjithmonë do të tregohen dhe kujtohet si vatra të qëndresës, të shqiptarizmës dhe të unitetit, të bashkëpunimit dhe të bashkimit kombëtarë. Pasardhësit e trollit dhe vatres ku është lindur e rritur Ndoc Mark Papleka, janë shëmbulli dhe modeli më i mirë i njerëzillëkut, mirësisë, dijes, intelektit, punës dhe qëndresës në anën e drejtë të histories dhe interesave kombëtare.

  • Kol Qerimi i paplekajve sipas arkives Austro-Hungareze të vitit 1909

Në arkivën Austro-Hungareze të vitit 1909, midis shumë dokumentave të tjera, është edhe një listë në të cilën janë renditur emërat e parisë (të parëve midis të barabartëve) të krahinave të Mbishkodres, Pukës, Mirditës, Kokësit dhe Kosovës. Në këtë listë (e përkthyer dhe e publikuar nga Eqrem M Zenelaj, 2013), shkruhet se paria e Nikajve përbëhët nga: Tush Bash Bajrami (nga Perajt), Shytan Brahimi (nga Gjonpepajt), Vogël Muzlia (nga Mserri), Kol Qerimi (nga Lekbibajt) dhe Sadik Brahimi (nga Mserri). Ndërsa për parinë e Mërturit shkruhet se ajo përbëhët nga: Ded Trimi (nga Shëngjergji), Selim Zenel Pjetërgjika (nga Btosha), Prel Tuli (nga Salca), Pren Kacoli (nga Mërturi i Gurit) dhe Arif Hasani (nga Aprripa e Gurit). Nikaj-Mërturi dhe krahinat e tjera të Mbidrinit e kanë njohur dhe e kanë rrespektuar këtë familje për atë që ajo ka qënë dhe është, ndërsa lexuesit dhe studjuesit e listës emërore të vitit 1909, mund ta kuptojnë peshën e kontributit dhe rrolin që kanë patur të parët e Ndoc Paplekës në drejtim të unitetit të malsorëve dhe të zgjidhjes së mosmarrveshjeve me drejtësi dhe urtësi, si dhe rrolin e kësaj familje në drejtim të mbështetjes për Hasan Prishtinën, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin dhe hapjen e shkollave shqipe. Për ta kuptuar edhe më mirë lidhjen gjenetike, historike e shpirtërore të Ndoc Mark Paplekës me Kol Qerimin dhe pasardhësit e tjerë të tijë, mjafton që të ndiqen breznitë e pasqyryara tek skema e mëposhtme(2)

Skema 2. Ndoc Mark Papleka dhe pasardhësit e tjerë të Kol Qerimit

Nga skema e mësipërme mund të kuptohet më mirë edhe ajo që ka ndodhur pas ekzekutimit komunist të Hallil Qunit dhe Nik Delisë, kur mbi të gjithë pasardhësit e Kol Qerimit, përfshirë këtu edhe Ndoc Paplekën, ra pasha e rëndë e përndjekjes, e survejimit dhe e persekutimit komunistë. Unë jam dëshmitarë i padrejtësive dhe vuajtjeve të mëdha që kanë hequr familjet e nderuara të Adem Kadrisë, të Qerim Delisë, të Pal Nik Delisë dhe të Muzli Qunit, që të gjithë kushërinjë shumë të afërt të Ndoc Mark Paplekës (shih skemën 2). Kam parë se si fëmijët e këtyre familjeve, pavarësishtë se ishin nxenësit e shokët tonë më të mirë, deri në vitin 1990-të, nuk janë lejuar as për të vazhduar shkollat e larta dhe as për të punuar në administratën shtetërore. Kam parë se si janë sekuestruar dhe detyruar për të punuar në punët më të rënda, nga ku kanë siguruar jetesën me dinjitet dhe me djersën e ballit. Sjell në vëmendje faktin që në listën e parisë së Nikaj-Mërturit (E. M. Zenelaj, 2013), është shënuar edhe emri e Selim Zenelit të Pjetërgjokajve. Kujtoj faktin që Bjeshkë Zenelja (nëna e Ndoc Mark Paplekës), është bijë e pjetërgjokajve të Btoshës së Mërturit, dhe se Ndoci apo Anton Papleka është djali që ka ardhur nga një miqësi dhe martesë e bekuar nga Zoti e nga njerëzit.

  • Dasma e madhe e Mark Kadrisë dhe krushqit që harxhuan tri arka me fishëkë

Siq e kemi përmendur edhe më lartë, Mark Kadria i Kadri Kolës së Kol Qerimit të paplekajve është martuar me Bjeshkë Zenelën, motren e Nikoll Zenelit të Btoshës. Siq na kanë treguar të afërmit e Ndoc Paplekës, por edhe prindërit tonë, për Mark Kadrinë është bërë një dasëm shumë e madhe. Në kujtesën time me kanë mbetur ato tregimet ku na thuhej që gjatë rrugës nga Btosha e deri në Lekbibaj, nga krushqit e paplekajve janë gjuajtur aq shumë pushkë, sa u janë derguar krushqëve edhe tri arka të tjera me fishekë, pa folur këtu për këngët, për vallet, për tregimet, për lojrat popullore dhe ushqimet e pijet e bollshme. Thuhej që në atë dasëm, pos nipave, bijave, miqësisë dhe bashkëfshatarëve, kanë marrë pjesë edhe paria e Nikaj-Mërturit, e Shalës, e Shoshit, e Toplanës, e Berishës, e Bugjonit, e Krasniqës dhe e Gashit. Thuhej që Mark Kadria (baba i Ndocit) ka qënë një nga burrat më të mirë e më të rrespektuar të kohës. Ndërsa Bjeshkë Zenelën (nënën e Ndocit), e kam njohur nga afër sepse jam rritur me fëmijët e sajë. Bjeshka ka qënë një grue e gjallë, shumë e bukur, shumë bujare, e fortë dhe punëtore. Nga ky kontekst, Ndoc Mark Papleka është djali hallall i dy prindërve të mrekullueshëm, nga ku mori jetën, karakterin, vyrtytin, talentin, qëndresën dhe gjenomën identitare e specifike të truallit të moçëm e me orë të madhe.

  • Pushkatimet që rënduan mbi Ndocin dhe të pafajshmit e tjerë

Në fundin e vitit 1944 dhe në fillimet e vitit 1945, akoma pa e marrë vetën nga dhuna dhe bastisjet e njohura të viteve 1925-1926, mbi Nikaj-Mërturin, sidomos mbi familjet patriotike erdhi një tjetër ortek dhune e terrori i maskuar me termat e nacionalçlirimtarës, por që rezultoj të mos kishte asnjë lidhje me nacionalën dhe as me çlirimtarën. Në Nikaj-Mërturë, sidomos në Lekbibaj, familjet dhe vllaznitë janë shumë të njohura, të respektuar dhe të lidhura midis tyre. Akoma e kujtojmë atë solidaritetin e jashtëzakonshëm të popullit të Nikaj-Mërturit në rezistencën antizogiste dhe më vonë antikomuniste. Dihet se si në kohën e sundimit të Zogut, për të asgjesuar kryengritësit e Lekbibajve dhe të Nikaj-Mërturit, qeveria pati krijuar e dërguar në krahinën tonë një trupë speciale me jabanxhi (sheticën), e cila komandohej nga Osman Haliti i Lumës. Në ato ditë të vështira, shpia e madhe e Kol Qerimit ka ndihmuar aq shumë që djemtë dhe burrat që ishin në arrati, të mos kapeshin dhe as të mos vriteshin. Kam dëgjuar me qindra herë për mënyrën se si në katin e dytë të banesës së Kadri Kolës (gjyshit të Ndoc Paplekës), hanin darkë komanda e sheticës së Osman Halitit, ndërsa në katin e parë të shpisë ishin strehuar e hanin darkë djemtë që ishin denuar me vdekje e që ndiqeshin për t’u arrestuar ose ekzekutuar. Këtë sakrificë të madhe nuk e harruan kurrë as familjet e Lekbibajve, dhe as familjet e katundeve të tjera të Nikaj-Mërturit dhe më gjërë. Edhe gjatë pushtimit fashist dhe luftës nacionalçlirimtare,  pasardhësit e Kol Qerimit qëndruan përseri në anën e drejtë të historisë dhe interesit të përparimit tonë kombëtarë. Kujtoj faktin që përçarja dhe të gjitha përplasjet politike në Nikaj-Mërturë, i ka shkaktuar politika konfliktuale dhe lufta për pushtet. Në Nikaj-Mërturë, fillimishtë është shfaqur Partia e Legalitetit e kryesuar nga Nik Sokoli që  kishte miqësi të vjetër e të fortë me familjën e madhe të Paplekajve dhe me familjet e tjera të Lekbibajve. Gjatë dimrit të ashpër të vitit 1943-1944, shtabi i Nik Sokolit dhe misioni anglez e kanë kaluar në Mulaj. Deri në Shkurt të vitit 1944, pavarësishtë nga përkatësia politike apo pasurore, njerëzit e respektonin njëri tjetrin, midis tyre nuk ka patur asnjë lloj hatërmbetje apo përplasje politike. Përçarja e madhe ka filluar nga mesi i Shkurtit të vitit 1944, kohë kur në Nikaj-Mërturë arritën të jashtmit, të derguarit e Partisë Komuniste të kryesuar nga Fadil Hoxha dhe Mehmet Dermani. Rreth një muaj më pas, për herë të parë e të fundit, në Nikaj-Mërturë janë shfaqur edhe rreth 15 ushtarë gjermanë që kanë qëndruar disa ditë në fshatin Curraj Poshtëm e më pas janë larguar pa dhunuar e pa dëmtuar asgjë. Nga historia dihet që në fund të Gushtit 1944, të gjitha forcat gjermane ishin përzënë edhe nga Bytyçi dhe gjithë Malësia e Gjakovës. Ndërsa në fund të Tetorit 1944, në Nikaj-Mërturë kanë arritur ato traktet e para të organizatës “Beslidhja e Maleve”, në të cilat shkruhej “Kombi dhe feja janë në rrezik prej komunizmit”, dhe bëhej thirrje për të mbrojtur vëndin nga komunizmi. Në këto kushte, paria e Nikaj-Mërturit është mbledhur përseri në Koder të Bek Selimit të Paplekajve dhe është rënë dakort që askush mos me ba ngatërresa e as mos me gjuajtë me pushkë, vetëm në rastë se ata (partizanët) do të gjuajnë apo do të sulmojnë të parët. Kështu është lënë dhe kështu është vepruar deri në fund. Nacionalistët e Nikaj-Mërturit, ku bënin pjesë edhe djemtë dhe burrat e paplekajve, nuk kanë dashtë luftë dhe nuk kanë qitë asnjë fishek deri në momentin që mbi fshatrat e Btoshës e të Shëngjergjit, nga ana e partizanëve kanë filluar goditjet me pushkë dhe artileri. Ndërsa rezstenca e malsorëve  ka filluar në momentin kur ka filluar djegia dhe bastisja massive e shtëpive në Btoshë e Shëngjergj. Fillimishtë janë djegur e bastisur shtëpitë e Nik Sokolit, të Sokol Boçit, të Selim Zenelit, të Mark Tunxhit, të Murrec Sadrisë, që të gjithë miq të afërt të shpisë së Kol Qerimit të paplekajve.

Pavarësishtë se me datën 16 Nëntor 1944 nuk ka patur asnjë gjerman apo pushtues në krahinë, pa pritë e pa i ftuar, në Qafën e Kolçit na është shfaqur brigada e 6-të sulmuese që hapi zjarrë pa bisedime dhe pa paralajmërim. Në këtë kushte ka filluar qëndresa e impunuar e burrave të Nikaj-Mërturit që ka zgjatur 3 ditë me radhë. Sa herë që flitet për këtë betejë tre ditore, nuk mund të mos përmendet me admirim guximi dhe trimëria e Nik Deli Paplekës që kishte prerë urën mbi lumin e Mërturit dhe e kishte pamundësuar kalimin e brigadës në Nikaj, e më pas në drejtim të Dukagjinit dhe Shkodres. Në këtë situate të disfavorshme për partizanët, në ndihmë të brigadës së 6-të, kanë ardhur edhe forcat e brigadës së 25-të sulmuese të cilat janë futur nga ana e Qafës së Agrit dhe e Lugut të Ndërmajës. Në këto kushte, rezistenca antikomuniste është thyer, kurse komanda dhe strukturat e reja të shtetit komunistë janë vu në ndjekje të Nik Deli Paplekës, Mark Tunxhit, Shpënd Sadikut, Hasan Tahirit, Sokol Boçit, etj. Kështu ka filluar përplasja e njohur e pasardhësve të Kol Qerimit me komunistët. Në këto ngjarje e ka zanafillën persekutimi i kushërinjve të Ndocit dhe vetë Ndoc Mark Paplekës. Pak ditë më vonë, në Nikaj-Mërturë mbërritën edhe katër bataljonet e Brigadës së 11-të sulmuese me mision për të ekzekutuar listat me emrat e kundërshtarëve politikë. Për fatin e mirë të zonës, shtabi i brigadës dhe vetë komandanti Ndreko Rino u vendosën në shtëpinë tre katëshe e të rahatshme të Mark Demës dhe Çugël Demës. Falë urtësisë, mirësisë dhe ndërhyrjes së kujdesëshme të Mark Demës, në ditën e tretë të operacionit, janë shpëtuar  dhe falur 27 djem e burra që ishin arrestuar e po mbaheshin në ahurin e shpisë së Kol Palit të Gjonpepajve, që të gjithë të  planifikuar për t’u pushkatuar tek Kisha e Nikajve. Thuhej që shkaku i ndjekjes dhe arrestimit të tyre ka qënë pjesmarrja në brigadën e vullnetarëve të Pashuk Bibës, dhe veprimet luftarake që ata kishin kryer në Dragot, në Gjirokastër dhe në Tepelenë. Në këtë situatë të vështirë për jetën dhe ekonominë (sepse popullit më të varfër të Shqipërisë i duhej të mbante, të duronte e të ushqente edhe 4 divizione), djali i Mark Demës (Ndue Mark Susaj), bëhët sekretarë i rinisë antifashiste dhe bashkë me disa bashkëmoshatarë të tijë, përfshirë këtu edhe Mark Kadrinë (babën e Ndoc Paplekës) dhe Mark Ndue Imerin (e shpisë së Kurtesh Shkurtit), iu bashkuan levizjes nacionalçlirimtare dhe ndihmuan aq shumë për të mos patur as të vrarë dhe as djegie të banesave në Lekbibaj dhe as në fshatrat e tjera. Goditja më e madhe për Mark Kdrinë dhe gjithë pasardhësit e Kol Qerimit, ka filluar në natën kur një grup partizanësh, në përbërje të cilit nuk kishte asnjë nga djemtë apo burrat e zonës, e prenë në besë Halil Qunin duke e marrë tinëz nga banesa e tijë, gjasmë për të ju treguar rrugën, ndërsa e kanë qëlluar nga pas shpinde sapo kanë arritur tek Përroni i Ndërzhushit,  jo më shumë se 1000 metra largë banesës së tijë. Këtë vrasje të pabesë e justifikuan me pretendimin apo shpifjen se “Halili desh të arratisej”.  Pasojat e këtyre veprimeve të ashpra e të nxituara kanë qënë të rënda. Jam rritur me djemtë e me vajzat e Adem Kadrisë e të Qerim Delisë të cilët nuk e kanë pranuar dhunën as pabesinë. Pavarësishtë nga varfëria dhe të drejtat e tyre të cunguara e të mohuara, karakteri i pasardhësve të Kol Qerimit mbeti i fortë, i drejtë e i panjollosur nga hajnia, as nga spihunllëku, as nga egoizmi e cmira dhe as nga abuzivizmi. Këtë lloj karakteri të pastër e të fortë e kam parë dhe kuptuar edhe tek Ndoc Papleka, që pavarësishtë nga talenti dhe suksesi, nuk është kursyer as nga përndjekja, as nga përgjimi, as nga persekutimi dhe as nga pasha e rëndë e luftës së klasave. Që nga klasa e parë e deri në klasën e 12-të kam patur shoqe klase Drande Paplekën, motren e Ndocit. Ajo ka patur një memorie të jashtëzakonshme dhe një dashuri shumë të madhe për shkollën. Pavarësishtë nga kjo, Drandja nuk u lejua kurrë që të vazhdonte shkollën e lartë dhe as të punonte në administratën shtetërore. Edhe vëllau im e ka patur bashkëmoshatarë dhe shok klase Pjetër Adem Paplekën, vëlla dhe kushëriri i parë i Ndocit që nuk u lejua as të vazhdonte shkollën e lartë dhe as të punonte në administratë. I solla ndërmend këto ngjarje e përsonazhe për të hedhur pakëz dritë  mbi realitetin shoqëror e politik që ka punuar e krijuar Ndoc Papleka. I solla këto copëza të historisë së vëndlindjes dhe njerëzve tonë për ta kuptuar edhe më mirë peshën e rëndë që ka përballuar Ndoci, si dhe dhe qëndresën e tijë pa u epur dhe pa u shprazur me askënd. Në të gjitha këto ngjarje e realitete, ka edhe një gjë tjetër që e kemi ditur të gjithë e që nuk duhet të harrohet, e që lidhet me faktin që Ndoc Papleka ka rilindur dhe ka shpëtuar nga flaka e përsekucionit të drejtëpërdrejtë që nga dita që është larguar nga Lekbibajt drejtë endrrës së tijë të dijes dhe suksesit të admirueshëm. Këtë të vërtetë e ka shprehur edhe në vargjet e vjershës me titull “Simplegadet e mia”, ku ndër të tjera shkruan:

Simplegadet e mia

 

Malet e larta
Rreth luginës ku kam lindur
Ishin Simplegadet e mia

……………………….
Duke u larguar nga lugina ku kam lindur
Nuk e gjeta dot Bashkën e Artë
Dhe brigjet e Kolkidës
U zhdukën para meje si brigje ëndrrash…
Jam i trishtuar
Që nuk munda ta shtie në dorë Bashkën e Artë
Po kam një besim të patundur
Se edhe më i trishtuar do të isha
Potë mos kisha kaluar përtej Simplegadeve të mia:
Malet e larta rreth luginës ku kam lindur.

 

Natyrishtë që i survejuar, i menjanuar dhe pa asnjë mbështetje, nuk do të mund të gjëndët kurrë ajo që Ndoci e quan “bashka e artë”. Nga vetë natyra, zgjuarsia dhe trashegimia, Ndoci është shumë i ndjeshëm dhe ndjeshmëria është madhështia e shpirtit, sepse ai e ka përjetuar e njohur nga afër traditën, kontributin, qëndresën, si dhe persekucionin dhe dhimbjen e madhe që ra papritmas mbi familjen dhe gjith të afërmit e tijë. Gjithmonë ka qënë i bindur për faktin që ikja nga Lekbibajt e ka shpëtuar nga një persekutim dhe trishtim i sigurtë që do pësonte në punët e rënda të koperativës, të minierave, apo duke grumbulluar bimë mjekësore.

  • Ndoc Mark Papleka, rruga e dijes dhe disa nga arritjet akademike

Anton (Ndoc) Papleka ka lindur me 10 Janar 1945, në shtëpinë e madhe të Kol Qerimit të Lekbibajve të Tropojës. Siq e kemi theksuar edhe më lartë, Ndoci është djali i vetëm i Mark Kadrisë së Paplekajve dhe Bjeshkë Zeneles, bijë e vllaznisë së Pjetërgjokajve të Btoshës.

Pas pushkatimit pa gjyq të Halil Qun Paplekës dhe të disa miqve dhe nipave të afërt, këtë familje e goditën fatkeqësi të mëdha e të njëpasnjëshme, përfshirë këtu edhe vdekjen e parakohëshme të babës së tijë, Mark Kadria. Pa vdekjes së Mark Kadrisë, kjo familje u trondit edhe nga vrasja e pabesë e Nik Deli Paplekës dhe Shpënd Sadik Bushatit të cilëve ua përçudnuan dhe ua zhdukën edhe kofomat. Pos këtyre ngjarjeve që në kushtet e diktaturës e rëndonin biografinë dhe pozitën politike të kësaj familje, Qun Kola i qëndroj traditës dhe fjalës së dhënë dhe nuk e prishi fejesën e vajzës së tijë (Bub Qunes) me Prel Markun, djalin e Mark Tunxhit që në atë kohë ishte shpallur kriminel lufte dhe ishte arratisur. Në kushte e krijuara, vajza e bukur e Qun Kolës, me bekimin dhe me përcjelljen e babës së sajë, është nisë më këmbë nga Lekbibajt e pas 13 ditëve arriti në kampin e Tepelenës ku u bashkue me të fejuarin e sajë, Prel Markun. Nga kjo martesë tradicionale, e bekuar nga të dyja familjet dhe nga Zoti,  lindën dhe u rritën 6 djem ( Marku, Sokoli, Zefi, Gjergji, Viktori dhe Tunxhi) dhe një vajzë e pagëzuar me emrin Liza Prel Vatnikaj. Në këtë mënyrë, nga kjo miqësi me familjen më të mirë të Lekbibajve, u rrit dhe u përtëri familja e nderuar e Tunxh Myftarit, flamurtarit të Mërturit. Bashkë me këtë rritje, sipas traditës më të mirë shqiptare, Prel Marku dhe Bub Qunja, ripërtërinë edhe emrat e dijetarëve, të nacionalistëve dhe të martirëve të familjeve të tyre. Në këtë rast duhet theksuar edhe fakti që karakteri, tradita dhe vazhdimësia e pastër e Nikaj-Mërturit dhe e familjeve të Kol Qerimit dhe Tunxh Myftarit, e përbuzi dhe sfidoj përseri doktrinën dhe dokrrat e komunizmit, sipas të cilave edhe fejesat, edhe martesat, madje edhe emërat e djemëve dhe vajzave duheshin caktuar e duheshin lënë sipas porosive të parties. Shpirti, qëndresa dhe tradita e pastër e shpis së Kol Qerimit dhe familjeve autoktone e nacionaliste, përbëjnë sfidën më e madhe të çdo pushtuesi dhe doctrine orientale. Përballë këtyre ngjarjeve apo përplasjeve midis autoktonës dhe sjelljes europiane që rrezatonin e mbronin paplekajt, qëndronin ato vrasjet, dhunimet dhe përçudnimet e kufomave që i shkaktonte doktrina dhe sjellja orientale.

Fëmijërinë, Ndoci e ka kaluar në Lekbibaj nën përkujdesjen e mixhës së tijë, Adem Kadri Paplekaj. Edhe shkollën fillore dhe shtatëvjeçare e ka mbaruar në Lekbibaj me mësues të talentuar e të mirëarsimuar në normalën e Elbasanit dhe në pedagogjikën e Shkodrës si psh Zef Dod Dedndreaj, Nikoll Lush Progni, Gjon Nik Imeri, Dedë Prel Markaj, etj. Ndërsa në vitin 1959, në moshën 14 vjeçare, Ndoci përpiqët që të  rregjistrohet në shkollën e mesme të qytetit të Bajram Currit, por që kërkesa e tijë nuk është pranuar për shkak të “njollave” në biografi. Kjo e nxiti dhe detyroj për t’u larguar nga katundi i vogël me sherre, cmira e halle drejtë endërrës dhe horizonteve të qytetarisë, dijes dhe lirisë. Me shumë këmbëngulje, Ndoci arriti që të rregjistrohet në shkollën pedagogjike dy vjeçare në Tiranë të cilën e ka përfunduar në vitin 1961. Ndërsa dy vitet e tjera të shkollës së mesme i ka ndjekur dhe përfunduar në shkollën e mesme “Shejnaze Juka” në Shkodër, pa shkëputje nga puna. Në vitin 1961, krahas përfundimit të shkollës dy vjeçare, pati arritur që të botojë poezinë e tijë të parë në gazetën e kohës “ Zëri i Rinisë”  Ndërsa në vitin 1963, ka filluar studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në fakultetin e Histori-Filologjisë, në degën e Gjuhë-Letërsisë shqipe ku dhe është diplomuar. Që nga viti 1961, kohë kur ka publikuar poezinë e parë e deri më sotë, janë mbi 58 vite punë dhe krijimtari intensive e pasqyruar në dhjetra libra me poezi, romane, tregime, legjenda, këngë, rrëfenja, studime, antologji, skenografi, përkthime, etj, për të cilën është shkruar e folur shumë. Ndërsa në vitin 2005, Ndoci ka marrë titullin « Doktor i Shkencave » në fushën e kulturës popullore. Më vonë, në vitin 2007, ka marrë edhe titullin akademik « Profesor i Asociuar ». Ndërsa në vitin 2009, ka dalë në pension, por nuk e ka ndalur asnjë ditë punën e tijë në fushën e letërsisë, gjuhës, kulturës popullore, etnografisë, kulteve e riteve të vjetra, këngëve, baladave, etj. Për punën dhe gjithë krijimtarinë e tijë autentike, profesor Ndoc Mark Papleka ka merituar dhe marrë vlerësimet më të larta të lexuesit, kritikëve dhe institucioneve të artit dhe kulturës kombëtare dhe asaj botërore. Ky 75 vjetor po e gjën Ndoc Mark Paplekën dhe bashkëshortën e tijë Feridën (nga Mallakastra),  shëndosh e mirë e me banim në Tiranë. Në këtë 75 vjetor dhe të gjith përvjetorët e lindjes së tijë do të ketë kujtime, copëza nga jeta e tijë dhe shumë urime për familjen dhe gjithë pasardhësit e tijë. Zoti i ndihmoftë në rrugën e traditës, të mirësisë, të njërëzillëkut dhe të suksesit

 

  • Fillimet e punës dhe kujtimët për mësuesin dhe krijuesin e poetëve

Për herë të parë, Ndoc Mark Papleka ka filluar punën e tijë si mësues në shkollën shtatëvjeçare “Hysni Zajmi” në Kërrnajë të Tropojës. Në ditën e parë që arriti në këtë shkollë, njerëzit nuk e njihnin dhe thuhet që Ndoci i urtë e i ndrojtur ka fjetur atë natë në ambjentët e shkollës. Ndërsa më vonë e sistemuan në një banesë familjare. Ndërsa pas mbarimit të shkollës së lartë dhe zborit ushtarak, ka filluar punën si mësues në shkollën tetëvjeçare « Jaho Salihu” në Bujan të Tropojës. Banorët e Bujanit, të Kërrnajës, të qytetit të Bajram Currit, etj, e kujtojnë me rrespekt mësuesin e palodhur e të apasionuar, e kujtojnë për urtësinë, për modestinë dhe për mësimdhënien e shkëlqyer. Në Bujan tregohej dhe tregohet akoma mënyra se si në një ditë me reshje të dëndura shiu, kur Ndoci po kthehej me çadrën e tijë për në qytet, pa një djal të ri në shi të cilin e ftoj dhe e mori nën çadrën e tijë. Djali e falënderoj dhe kur e mori vesh që ftuesi punonte si mësues në shkollën e Bujanit, i tregoj se quhej Skender Buçpapa, puntorë në rruga ura e që kishte disa probleme me biografinë. Duke mos e ditur se kush ishte, Skenderi i është lutur që ta ndihmonte për të takuar Ndoc Paplekën që t’i lexonte disa poezi që i kishte shkruar gjatë verës. Ndoci buzëqeshi dhe i tha : « Atë që po kërkon ta takosh, tashmë e ke takuar dhe po të mban çadrën që të mos lagesh nga shiu». Skenderi e shikonte i habitur dhe nuk i besonte rastësisë dhe as fjalëve, mbase ai mendonte dhe imagjinonte se Ndoc Papleka për të cilin flitej që ishte shumë i ditur e me njolla në biografi, do të ishte një burrë i madh e me mustaqe të gjata. Thuget që kështu ka filluar njohja dhe bashkëpunimi me poetin Skender Buçpapa. Në këtë kontekst, sjell në kujtesë faktin që të gjithë poetët, gazetarët dhe krijuesit e Tropojës, e kujtojnë dhe nuk e harrojnë kurrë ndihmën që ju ka dhënë Ndoc Mark Paleka në fillimet e tyre poetike. Në Bajram Curri tregojnë se si Ndoci e pati kthyer banesën e tijë në një klasë të mirfilltë të letërsisë dhe gjuhës, një vënd ku priste dhe ndihmonte krijuesit e ri që vinin nga Hidrocentrali i Fierzës, ata që vinin nga koperativat dhe ndërmarrjet, pa folur këtu për krijuesit e qytetit me të cilët punonte ditë e natë.

Në vitin 1971, Ndoci ka botuar përmbledhjen e parë poetike me titull “Zëri im” në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë, dhe në po këtë vit është pranuar si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistave të Shqipërisë. Ky vit (viti 1971) shënon edhe një tjetër ngjarje me rendësi, atë të emërimit të tijë mësues në gjimnazin  “Asim Vokshi” të qyteitt të Bajram Currit. Kjo i dha mundësi Ndocit për të krijuar grupin e krijuesve të ri dhe një ambjent të njohur për të gjithë e ku secili mund të paraqiste, balafaqonte, vlerësonte dhe prezantonte krijimet e veta. Nga këto ambjente ka filluar rruga e krijimtarisë dhe suksesit për shumë poetë e shkrimtarë të rrethit të Tropojës. Ndoci ka qënë udhëzuesi, kritiku, vlerësuesi dhe metodisti i palodhur e gjithmonë i gatshëm për Skender Buçpapën, Hamit Alinë, Mujë Buçpapën, Selim Aliajn, Feride Paplekën, Jak Përpalin, Besnik Mustafën, Halit Shamatën, Mark Markun, etj. Për këtë arsye, Ndocin e quanin dhe vazhdojnë ta quajnë « Krijuesi i Poetëve ». Poeti Lulzim Logu ka shkruar : « Ndoci u bë prijetar i poetëve të talentuar të Malësisë së Gjakovës, si Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Avni Mulaj, etj ».

  • Ndocin e ka mbrojtur dhe lartësuar vetëm puna, njerëzillëku dhe talenti i tijë

Kolegët dhe shokët që kanë punuar me Ndocin në Tropojë, me kanë treguar se si, njëherë e njëkohë, drejtuesit e lartë të komitetit të partisë i kërkojnë byrosë së partisë së Lekbibajve një karakteristikë familjare të Ndoc Paplekës. Duket që bëhëj fjalë apo e kerkonin për ta caktuar në një detyrë më të lartë. Thuhet që drejtuesit e partisë së Lekbibajve, pa u menduar aspak, përgatitën dhe dërguan një karakteristikë të zezë e shumë të rëndë, në të cilën kishin shënuar edhe emërat dhe cilësimet komuniste (në atë kohë cilësoheshin kriminelë) të dy kushërijtë e parë të pushkatuar dhe të miqve e nipave të afërt të familjes. Kur e hapin dhe e lexojnë karakteristikën në komitetin e partisë së rrethit, habitën për ligësinë dhe mënyrën se si e kishin formuluar e nxirë dhe thërrasin Ndocin për ta pyetur rreth atyre fakteve. Me atë mënyrën e qetë e të ngadaltë të dëgjesës dhe komunikimit të tijë, Ndoci ju kishte thënë që të pushkatuarit, të interrnuarit dhe të arratisurit qëndrojnë, pavarësishtë se nuk kishte lidhje me ato ngjarje dhe se asgjë nuk varej dhe nuk ishte shkaktuar prej tijë dhe as prej babës dhe nënës së tijë. Pasi janë konsultuar, drejtuesit e komitetit kan thirrë drejtuesit e Lekbibajve në komitetin e rrethit, ku dhe i kanë detyruar me ba një karakteristikë tjetër dhe me e firmosur aty për aty. Pas këtij ndryshimi, e kan thirrë edhe Ndocin, ja kanë lexuar karakteristikën e ndryshuar dhe ei kanë pyetur : je dakord ?. Duke qënë besnik i të vërtetës, Ndoci ka bashkuar durtë dhe ju ka thënë : « po nuk jam unë këtu ». Shokët kanë qeshur të gëzuar që ndryshuan karakteristikën e tijë dhe hoqën një pengesë të madhe në drejtim të emërimit të ri. Botuesi dhe gazetari i njohur Ramiz Lusha, përpara pesë viteve (në 70 vjetorin e tijë), ka bërë një përcaktim që më duket shumë i saktë e i përmbledhur në fjalinë e tijë të njohur si : « Shëjti ynë i gjallë, Ndoci i artë i vlerave të Tropojës dhe Kombit, Antoni ynë i artë i letërsisë dhe etnografisë, Papleka ynë i artë i kohës panshqiptare ». Ngjarjet dhe kujtimët e njerëzve, kolegëve, krijuesve dhe nxënësve me Ndocin, janë të panumërta. Ato do të ruhen e do të tregohen në jetë e breza si mënyra më e mirë për ta kujtuar e për t’i shprehur mirnjohjën dhe respektin e thellë e të përjetshëm shokut, kolegut, metodistit apo mësuesit të tyre. Kujtime të shumëta vijnë edhe nga shokët e shkollës dhe fakultetit. Më bëri përshtypje një kujtim që solli Gani Haxhaj në lidhje me një moment të vështirë një mikut të tijë me emërin Adem Haxhaj nga Maqedonia e Veriut, por që pavarësishtë nga mbiemëri, nuk janë vëllëzër dhe as kushërinjë. Në emailin që ka derguar nga SHBA, fjalë për fjalë shkruan:Jam plak fortë e sjam ka e njoh, apo eshte shkruar gabim Anton Papleka. Unë thëm që fotoja është e të madhit Ndoc Papleka, për të cilin kam pasë një respekt gjithmonë por që mu ka shtue në pakufi nga tregimi i një mikut tim Adem Haxhaj që ka kryer studimet me të, se ç’farë burrnie e  trimërie që ka tregue në mbrojtjë të një studenti bashkëkohës të cilin sigurimi donte me pa të drejtë ta burgoste. Aferim i koftë dhe respekt të përjetshem për këtë burrë fisnik dhe të mrekullueshëm të Malësisë Gjakovës”. Shkurtimishtë, kjo ngjarje thuhet që ka lidhje me një akuzë dhe gjyq të padrejtë që i bëhëj  studentit Adem Haxhajt me origjinë nga Maqedonia. Të tilla gjygje partia e asaj kohe i bëntë në shkollë, në fakultet e ku të mund të godiste e diskreditonte më shumë. Thuhet që përveç Ndocit, që të gjithë studentët dhe pedagogët heshtën e nuk folën asnjë fjalë në mbrojtje të shokut të tyre të klasës. Ndërsa në atë mbledhje, tregohet se si Ndoci e kishte humbur durimin dhe ekishte marrë fjalën duke thënë se: “Akuzat nuk janë të vërteta, gjithçka është e sajuar dhe po i bini në qafë vetëm pse është nga shqiptarët e Maqedonisë e nuk ka kush ta mbrojë”. Kjo e ka ndryshuar gjithë diskutimin, gjykimin dhe vëndimin. Ky lloj qëndrimi i guximshëm e me shumë njerëzillëk, bërri shumë përshtypje dhe kur e pyetën Ndocin se si mujti me e mbrojtë, ai është përgjigjur: “Mbrojta një të vërtetë, një të pafajshëm që do të shkonte në burg kot së koti, mbrojta parimet e mia, pa të cilat nuk mund të jetoj”. Edhe në këtë ngjarje të largët, lexova dhe kuptova atë të vërtetë që kam përshkruar më lartë, Ndoc Mark Papleka është djali i babës së vet, është vazhdimësia më e pastër e plazmës autoktone që qëndron në themelët, në kollonat dhe në muret e atyre që quhen Shqipëri, Gjuhë Shqipe, Kulturë Shqipëtare dhe Shtet shqipëtarë. Përvjetorët e Ndoc Mark Paplekës, janë përvjetorë të përjetshëm të një shëmbulli e të një jete të ndritur. Historia e ngjarjeve dhe kujtimeve për Ndocin është shumë e gjatë, ndërsa më duhet ta mbyll me lutjen time për të – Zoti i dhashtë shëndet e jetë të gjatë, Zoti e përjetësoftë me pasardhës hallall e me shumë nipa e mbesa. Kombi ynë do të mund të mbahet e do të mund të kujtohet nga fara dhe nga plazma autoktone, e vjetër dhe identitare sa dhe vetë Europa.