Ballina ED/OP Mos ma prek Badovcin! – Nga dr. Islam LAUKA

Mos ma prek Badovcin! – Nga dr. Islam LAUKA

Para dy-tre vjetёsh, bashkё me shumё qytetarё tё tjerё kam ngritur zёrin kundёr ndёrtimit tё 14 hidrocentraleve nё Parkun Kombёtar tё Valbonёs, duke protestuar me moton, “Mos ma prek Valbonёn!”. Me rezistencёn tonё qytetare arritёm qё tё bllokojmё 12 prej tyre, megjithatё, nuk arritёm tё ndalojmё ndёrtimin e 2 hidrocentraleve, sepse nё kundёrshtim tё hapur me ligjet e brendshme nё fuqi dhe konventat ndёrkombёtare pёr mbrojtjen e mjedisit, koncesionari kishte siguruar lejet pёrkatёse.
Kёto ditё, mёsova se dy kompani private nё Prishtinё kanё planifikuar ndёrtimin e njё lagjeje nё bregun e Liqenit tё Badovcit, i cili, veҫ tё tjerash, furnizon me ujё tё pijshёm njё pjesё tё kryeqytetit tё Kosovёs. Nё shpjegimin e ofruar nga kompanitё ndёrtuese, thuhet se projekti do tё mbrojё mjedisin, do t’i shёrbejё rritjes sё mirёqёnies etj.etj. Jepen edhe shembuj tё ndёrtimeve analoge nё brigjet e liqeneve tё Gjenevёs dhe Lucernёs.
Kёto “argumente” i kam dёgjuar edhe nё rastin e Valbonёs dhe tё ndёrtimeve tё tjera tё paligjshme nё brigjet e lumenjve dhe nё bregdetin e Shqipёrisё, tё gjitha tё “justifikuara” me nevojёn e zhvillimit dhe rritjes. Tashmё, ne i dimё pasojat: zhdukja e lumenjve tё virgjёr, betonizimi I bregdetit dhe hakmarrja e natyrёs (erozioni, tёrmeti dhe shembja e ndёrtimeve nё kёto zona).
Ambjentalisti i njohur amerikan, Eduard Ebej, ka shkruar se rritja pёr hir tё rritjes ёshtё ideologjia e kancerit. Unё nuk do tё doja qё, pas Shqipёrisё, kёtё ideologji ta bёjё tё vetёn edhe Kosova. Ndёrtimi i lagjes sё banimit nuk i shёrben liqenit tё Badovcit, as rritjes sё mirёqёnies sё qytetarёve tё Kosovёs. Pёrkundrazi, i dёmton ato, sepse ndikon negativisht nё florёn dhe faunёn e kёsaj zonё, nё ujёrat sipёrfaqёsore dhe nёntokёsore, si dhe ndot mjedisin nё njё zonё tё mbrojtur me ligj. Pёr pasojё, prishen ekuilibrat e ekosistemit dhe biodiversitetit, duke ҫuar kёshtu nё uljen e cilёsisёs sё jetёs, nё pёrgjithёsi. Badovci nuk ka nevojё pёr lagje banimi, por tё mbrohet nga rreziqet qё i kanosen nga ndryshimet klimatike qё po prekin edhe Kosovёn.
Ndёrtimet analoge nё vendet europiane, gjatё historisё, nuk justifikojnё ndёrtimet e kёsaj natyre nё shekullin e 21-tё, nё Kosovё. BE ka standarde shumё rigoroze pёr mbrojtjen e mjedisit dhe synon t’i forcojё edhe mё tepёr ato me Strategjinё e Europёs sё Gjelbёr, pёr periudhёn 2020-2025. Vet ambjentalsitёt europian thonё se, po tё kishin mundёsi, do t’i kthenin lumenjtё dhe liqenet e tyre nё gjendjen e mёparshme natyrore, por e kanё tё pamundur. Ne qё, ende kemi ndonjё liqen apo lumё tё paprekur, nuk duhet, kurrsesi, tё lejojmё qё njё grup njerёzish, pёr tё kёnaqur babёzinё e tyre, t’i pёrdhunojnё e t’i masakrojnё ato.
Pёr fat, ndryshe nga Valbona, nё rastin e Badovcit, firmat ndёrtuese ende nuk e kanё siguruar lejen e ndёrtimit. Nё gjykimin tim, organet vendimmarrёse, qёndrore dhe lokale, qё kanё tagrin e mbrojtjes sё interesit publik, nuk duhet ta japin kёtё leje, pasi ndёrtimi i lagjes sё banimit nё Badovc, e kalon biokapacitetin e tij.
Ndryshimi i kёrkuar nga qytetarёt e Kosovёs me 6 tetor 2019, duhet, domosdoshmёrisht, tё pёrfshijё edhe mbrojtjen e mjedisit. Pёrndryshe, do tё krijohej njё precedent i rrezikshёm. Lagjia e banimit do tё pasohej me ndёrtime tё tjera nё Badovc, Batllavё e gjetkё.
Liqeni i Badovcit mё dhimbset po aq sa Valbona. Ndaj edhe thirrja ime ёshtё e njёjtё: Mos ma prek Badovcin!