Alicia Keys, John Legend dhe Usher janë ndër yjet që do ta nderojnë Princein në një koncert special përkujtimor.
Beck, Common, Foo Fighters, HER, Earth, Wind & Fire, St. Vincent, Mavis Staples, Chris Martin, Gary Clark, Jr. dhe Juanes gjithashtu shfaqen në formacionin për Let’s Go Crazy: The Grammy Salute to Prince, që do të mbahet më 28 janar (2020) – dy ditë pas “Grammy Awards” – në Los Angeles Convention Center, dhe do të transmetohet në prill.
Perkusionistja e yllit, Sheila E., do të shërbejë si regjisore muzikore e mbrëmjes, së bashku me bashkëpunëtorët shumëvjeçarë të krijuesit të hitit “Purple Rain”, Jimmy Jam dhe Terry Lewis, shkruan KOHA Ditore.
“Jam e nderuar që do ta bëj këtë për shumë arsye, por fakti që jam në gjendje të ndihmoj në festimin e jetës së një miku të dashur dhe të jem pjesë e kësaj dhe të jem regjisore muzikore është e mrekullueshme”, tha ajo për “Rolling Stone”.
“Nga pikëpamja muzikore, ka kaq shumë për të zgjedhur. Është pothuajse e padrejtë ta bësh një përkujtim dyorësh për të – mund ta bënim një javë të plotë. Në fund, është ai që po i mbledh njerëzit së bashku dhe që po e kalojnë një kohë të mirë”.
Në një deklaratë, presidentja/CEO e Akademisë së Regjistrimeve Deborah Dugan tha: “Pavarësisht se si e identifikoni (Princein), ai është pa dyshim një nga artistët më të mëdhenj muzikorë të të gjitha kohërave.
“Ai vazhdon të shërbejë si një ikonë frymëzuese për artistët dhe fansat në të gjithë botën, dhe ne jemi aq të nderuar që e përkujtojmë trashëgiminë e tij”.