Shumë njerëz mendojnë se lyerja e trungut të pemëve me gëlqere bëhet për zbukurimin e tyre, prandaj lyerjen e bëjnë në pranverë. Por koha më e mirë për lyerjen e trungut të pemëve është vjeshta, pas rënjes së gjetheve.

Lyerja e trungut të pemëve bëhet për disa arsye:

● Për të shmangur plasaritjen e lëvores së trungut e cila vjen nga ngrohja e shpejtë e saj nga rrezet e diellit, gjat ditëve dimërore me diell. Ne dimr, gjat natës temperaturat mund të bien disa gradë nën zero, mirëpo gjat ditës nga rrezet e diellit, ngohet dukshëm trungu i pemëve, sidomos nga pjesa jugore, dhe vjen deri te bymimi i tij. Pastaj gjat natës prap ftohet nga temperaturat shumë të ulta e kështu me radhë. Nga këto ndryshime të shpejta të temperaturës vjen deri te plasaritja e lëvorës së trungut, e cila bëhet e ndijshme nga të ftohtit dhe sidomos nga aty fillojnë infeksionet nga shkaktarët e sëmundjeve të ndryshme. Ngjyra e bardhë e gëlqerës duke reflektuar rrezet e diellit, e mbronë trungun nga ndryshimet e shpejta të temperaturës dhe kështu e shmangim plasaritjen e lëvorës së tij.
● Shtresa e gëlqerës sa do e hollë që është, e mbron trungun nga të ftohtit për disa gradë celsius.
● Një numër i madh i dëmtuesve (insekte të ndryshme) dimërojnë pikërisht në lëvorën e pemëve, kështu lyerja me gëlqere i pa mundëson daljen e tyre apo më mirë me thënë i shkatërron ato.
● Gëlqerja, sidomos nëse përgaditet sipas udhëzimit që do të japim më poshtë, ndikon si fungicid, pasi i shkatërron organët e riprodhimit të këpurdhave dhe bakterieve që po ashtu dimërojnë në lëvoren e trungut të pemëve.
● Lyerja me gëlqere, pemët i mbron deri diku edhe nga brejtësit siç janë lepujt dhe minjët e fushës të cilët në mungesë të ushqimit, sidomos kur shtresa e borës është e trashë, shpeshëherë shkaktojnë dëme të mëdha e në rastet ekstreme edhe shkatërrimin e plotë të pemishtes. Një rast i tillë te ne ka ndodhur në dimrin e vitit 2011/ 2012 kur për shkak të borës së madhe e cila pati mbuluar ushqimin e brejtësve ata patën shkatërruar pemtoret e reja , duke u ushqyer me lëvoren e trungut të tyre.
Mënyra e përgaditjes së tretsires për lyerjen e trungjeve të pemëve:
● 5 kg gëlqere të shuar
● 0,5 kg squfur pluhur
● 0,5 kg kripë të kuzhinës (kripë të zakonshme, të ushqimit)
● Ujë 15-20 litra.
Pasi të përzihen mirë këto komponente, lihen për të qëndruar së paku 24 orë, pastaj me te bëhet lyerja e trungut dhe degëve skeletore të pemëve.Kuptohet sipas nevojës sasia mund të rritet, por gjithnjë duke e ruajtur raportin mes këtyre komponenteve. Nëse sulfuri (squfuri) nuk mund të gjendet, atëherë përzierja mund të përgaditet vetem me gëlqere dhe kripë. Gëlqerja shërben për mbrojtjen e trungut nga ndryshimet e shpejta të temperaturës Sulfuri (squfuri) shërben si dezinfektues, dmth. shkatërron mikroorganizmat, që janë shkaktarë të sëmindjeve, por edhe insektet që mund të jenë duke dimëruar në lëvoren e pemëve, kurse kripa ndikon në ngjitjen më të mirë dhe qëndrueshmërinë e gëlqerës.

Agronomi Ragip Elezaj
B.Curri,me 20.11.2019