Ballina Aktualitet Presidenti Meta: Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik. Mirëpresim një prani më...

Presidenti Meta: Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik. Mirëpresim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve italianë në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Fabrizio Bucci, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Duke e uruar për përmbushjen me sukses të detyrës së tij shumë të rëndësishme në Tiranë, Presidenti Meta vlerësoi se Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik, si dhe partner kryesor tregtar i Shqipërisë.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit u shpreh se “mirëpresim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve italianë në Shqipëri”.

Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë vendit tonë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia mike në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që goditi vendin tonë, si dhe besimin për vijimin e asistencës italiane edhe për rehabilitimin e zonave të prekura nga tërmeti.“

 

Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, – tha Presidenti Meta, – janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali”.

Kreu i Shtetit inkurajoi që të rrisim bashkarisht përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj.