Ballina Aktualitet Ministri turk: Në fund të janarit fillon ndërtimi i banesave në Shqipëri

Ministri turk: Në fund të janarit fillon ndërtimi i banesave në Shqipëri

Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri, u takua me ministrin e Shtetit për Rindërtim të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum, tha se ndërtimi i 500 njësive të banimit, që do të ndërtohen me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, do të fillojë nga fundi i muajit janar, raporton Anadolu Agency (AA).

Kurum, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri, u takua me ministrin e Shtetit për Rindërtim të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Duke folur në konferencë të përbashkët për media pas takimit, Kurum tha se presidenti turk Erdoğan ndien dashuri të veçantë për Shqipërinë dhe shtoi se vendi i tij që nga momenti i parë pas tërmetit ka bërë përpjekje për të qenë pranë vëllezërve shqiptarë, përmes ambasadës dhe ekipeve të shpëtimit dhe institucionev të ndihmave, përfshirë UMKE, AFAD dhe Gjysmëhënën e Kuqe të Turqisë.

Ai rikujtoi se institucionet turke u përpoqën të plotësojnë nevojat e të prekurve nga tërmeti me tenda dhe ushqime.

“Me tendat që i dërguam sot në mëngjes, ne vendosëm në shërbim të vëllezëve shqiptar gjithsej afro 500 tenda”, tha Kurum.

Krahas kësaj, tha Kurum, Turqia veproi menjëherë pas tërmetit edhe për plotësimin e nevojave shëndetësore për të dëmtuarit nga tërmeti përmes mjekëve, ekipeve dhe personelit shëndetësor.

Ndërkaq, duke folur për 500 njësitë e banimit që do të ndërtohen në Shqipëri, Kurum tha:

“Si ministri, ne i filluam iniciativat zyrtare për këtë qëllim. Bëmë analiza në dy data të ndryshme”, tha Kurum, duke shtuar se për ndërtimin e banesave janë bërë punime në Tiranë dhe Durrës nga ministri Ahmetaj dhe ministrja shqiptare e Kulturës, Elva Margariti.

“Me dorëzimin e truallit, siç tha edhe ministri i nderuar, ne së bashku do të fillojmë me ndërtimin e 500 njësive të banimit deri në fund të janarit. Ne duam të zbatojmë një projekt me ndërtesa tre ose katërkatëshe, krahas katit përdhes, të përshtatshme me kulturën e Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë, të cilat do ta reflektojnë mënyrën e jetesës nëpër lagje”, tha Kurum.

“Duke filluar nga fundi i janarit, ne shpresojmë të përfundojmë projektin brenda gjashtë muajve dhe t’ia dorëzojmë shtetasve shqiptarë sa më parë që të jetë e mundur”, shtoi ministri turk.

Kurum rikujtoi se nesër me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama do të nënshkruhet protokolli për projektin.

Ai theksoi se Turqia ka bërë ndërtime të shumta, si banesa, spitale dhe shkolla, në vendet e prekura nga katastrofat me udhëzim të presidentit Erdoğan, “për t’u zgjatur dorën e ndihmës vëllezërve” pas katastrofave, duke shtuar se Shqipëria është një nga vendet më të rëndësishme për Turqinë me miqësinë dhe vëllazërinë e cila daton 500 vjet.

Kurum paralajmëroi se do të vizitojnë qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe shprehu ngushëllime për viktimat.

– Ahmetaj: Procesi i ndërtimit po vazhdon me hapa të shpejtë

Nga ana tjetër, ministri Ahmetaj falënderoi qeverinë turke, presidentin Erdoğan dhe popullin turk për solidaritetin e menjëhershëm dhe mbështetjen e ofruar pas tërmetit.

“Përtej ndihmës së parë materiale, që edhe sot kanë vazhduar të mbështesin qytetarët që kanë nevojë për ndihmë emergjente në disa territore të zonës së dëmtuar, qeveria e Turqisë ka marrë angazhimin për ndërtimin e rreth 500 shtëpive të reja në zonën e Laçit sikurse jemi dakordësuar gjatë kësaj periudhe”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj theksoi se sot diskutuan më detajisht projektin e ndërtimit, i cili, siç tha ai, shkon përtej ndërtimit të banesave, por merr formën e një poli të ri zhvillimi urbano-ekonomik.

“Ndonëse është ende herët, puna për rindërtimin tashmë ka filluar. Projekti mendohet të jetë rreth 500 banesa për qytetarët që kanë humbur shtëpitë në bashkinë e Thumanës dhe zonën e Laçit, të shoqëruar me ambiente komerciale dhe mundësisht edhe me dy ambiente të rëndësishme publike, pra, jemi duke folur për shkollën dhe mundësisht për ndërtesën e Bashkisë së Thumanës”, tha Ahmetaj, duke folur mbi detajet e projektit.

Ai deklaroi se koncepti është përtej ndërtimit të emergjencës, por një “konceptim urbanistik dhe teknologjik që do t’i mbijetojë kohës në kuptimin e stilit, zhvillimit urbanistik dhe zhvillimit ekonomik” dhe, siç theksoi ai, në të njëjtën kohë do të jetë një risi nga ana teknologjike që mund të kthehet edhe në model për projektet e tjera.

“Procesi i rindërtimit po vijon me hapa të shpejtë”, tha më tej Ahmetaj, duke shtuar se projekti, sipas hapave të diskutuara me palën turke, mendohet të përfundojë rreth muajit korrik.

Ministri turk u takua edhe me ministrin shqiptar të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.