Ballina Histori KUSH E SPIUNOI GRUPIN E KOMANDANT MUJË KRASNIQIT QË RA NË PRITËN...

KUSH E SPIUNOI GRUPIN E KOMANDANT MUJË KRASNIQIT QË RA NË PRITËN SERBE NATËN E 14 DHJETORIT 1998 – Nga Rexhep SHAHU

Vrasjen e 38 ushtarëve të UÇK në Pashtrik, në Lubizhdë, natën e 14 dhjetorit 1998 e kam mësuar të nesërmen në Bar Amerika në Kukës ku kam qenë me Naser Kukën.
Nuk e di se si u mor vesh lajmi se UÇK ka ra në pritë, duke hy në Kosovë dhe janë vra 38 ushtarë nga grupi prej 140 ushtarësh të Kapuçit që ishte komandant Mujë Krasniqi.
Për pak kohë, Naseri, përmes telefonit që ia mundësoi Musliu, pronari i lokalit, arriti të gjente emrat e 36 të vrarëve dhe unë i shkrova. Dy emra nuk i mësuam dot.
Emrat e 36 ushtarëve të vrarë të UÇK i kam lexuar në Radio Kukësi dhe në Radio Tirana.
Thuhej se grupi kishte 140 ushtarë e ushtare gjithsej.


Sot e atëhere, nuk e di a ia kam thënë Naserit atë natë që ndodhi tragjedia, tradhëtia, masakra, kam përgjigjen time që e kisha mësuar mes luftëtarëve të UÇK, se kush tradhëtoi apo spiunoi luftëtarët: ata vranë veten, “tradhëtuan” veten e tyre, u “tradhëtuan” prej shokëve, prej njëri – tjetrit, pa të keq, krejt, krejt pa qëllim e edhe prej krenarisë, prej mburrjes naive besoj e gëzimit që shfaqnin se do të hynin në Kosovë. Shumë ushtarëve u ishte bezdisë vetja tek rrinin në sheti në Kukës e Has në pritje të hyrjes në luftë dhe dëgjonin kopalla eprorësh të Kosovës e të Shqipërisë.
Kishte disa javë që përditë e përnatë dëgjoja nëpër kafe në Kukës e Has se një grup i madh ushtarësh do të hyjnë në Kosovë nën komandën e Kapuçit. Ky ishte lajm arës, për fushe, nuk ishte gjetje apo zbulim i imi.
E derisa e dinte mileti, nuk e kishin të ndaluar ta dinin këtë lajm as serbët, as spiunët serbë që nuk e kanë patur të ndaluar dhe as të pamundur që të ishin të informuar për këtë zhvillim dhe për gjithë zhvillimet që ndodhnin në ato vite.
Kam parë ushtarë UÇK të plagosur në Tropojë, ushtarë që luteshin e nguteshin të shëroheshin me u kthye në luftë në Kosovë dhe ata më kanë frymëzuar, ata më kanë krijue besim se vërtetë jemi rracë e pazhdukshme.
Kam parë ushtarë të vdekur. Dhe jam shtangë. Refugjatë të vdekur, fëmijë të vdekur.
Kam parë ushtarë të plagosur në spital në Kukës në duart e kirurgut Ylber Vata, ushtarë me pak a shumë pak shpresë shërimi tek më përgjigjeshin kur i pyesja në sy të doktorit “çfarë do të bëni pasi të shëroheni”, ”sa të shnoshna pak, prapë në luftë kam me shkue…”.
Por ato pamje që kam parë në Vlahën, në godinat e strehimit të UÇK-së, mëngjesin e 16 dhjetorit 1998, kur kam mbërri atje me Naser Kukën, nuk më shlyhen kurrë dhe më drithërojnë gjithmonë kur i kujtoj.
Kam parë me sy shputa këmbësh pa mish, kockën e bardhë pak të përgjakur të shputës së këmbës pa mish se mishi kishte mbetë në borën e ngrirë duke ikë i gjallë prej pritës serbe ku mbetën 38 të tjerë në shpatet e Pashtrikut.
Kam parë shuplakë dore pa mish dhe jam dridhë, më është errë shikimi.
Kam parë ushtarë në dhomat e akullta dyerhapura, gjysmë shtrirë në sustat e ndryshkura, me armë në duar dhe nuk kisha fuqi e nuk dija me i lehtësue me një fjalë, nuk dija, nuk mundja dhe veç me sy lutesha e përgjërohesha.
Por kam parë se shikimi im plot dhimbje është pritë keq, kam parë shtërngim dhëmbësh, dhe drejtim arme ndoshta jo vullnetshëm drejt meje dhe kam ikë nëpër koridor tek dhoma tjetër e tek dhoma tjetër, e tek dhoma tjetër, pa mundë me e çelë më gojën, pa mundë me u bë i dobishëm me asgjë për ndonjë nga këta ushtarë të plagosur, që sa shihja e lexoja në ankthin e përhumbjen e tyre, u dhimbe më shumë se plaga, pabesia, ankthi, frika, pasiguria për herë tjetër, frika nga tradhëtia, nga prita e radhës, nga mosbesimi…
Kam ikë atë ditë pas pak kohe me Naserin prej asaj godine, prej Vlahne dhe kujtoj sot e gjithë ditën se unë e ai ishim dy gurë në makinë, nuk flisnin asnjë fjalë, nuk e di ku na ishin tretë fjalët, na ishin derdhë fjalët nëpër dëborën e ngrirë te shpatit të Lubizhdës së Pashtrikut ku kishin mbetë copat e trupave dhe jetët e 38 luftëtarëve të lirisë.
……………………

(Fragment nga libri ne proces “Lufta ime per Kosoven” i Rexhep Shahut)