Mbi njëqind mijë vetë morën pjesë në një marshim paqësor në qytetin jugor të Hyderabad-it të shtunën, duke hedhur parulla kundër ligjit të ri mbi shtetësinë të Kryeministrit Narendra Modi.
Protesta e quajtur “Marshimi i një milionëve”, u organizua nga një grup që bashkëpunon me organizatat myslimane e shoqërinë civile. Më shumë se 40 për qind e popullsisë së Hyderabadit prej rreth 7 milionësh, janë myslimanë.
Demonstruesit marshuan dhe u shtuan në numër pavarësish një njoftimi të policisë se nuk do të lejonte zhvillimin e tij, pasi leja ishte dhënë vetëm për një organizim prej 1 mijë vetësh. Qeveria indiane është përballur me javë të tëra protestash të dhunshme kundër ligjit për ndryshimin e shtetësisë miratuar nga qeveria Modi më dhjetor.
Protestuesit mbanin pankarta me parulla ku bëhej thirrje për tërheqjen e menjëhershme të ligjit si dhe se ku shkruhej se: “feja e vetme e Indisë është sekularizmi”.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters protesta ishte paqësore dhe mbi njëqind mijë vetë morën pjesë në të.
Qeveria thotë se ligji i ri është i nevojshëm për të ndihmuar pakicat që përballen me përndjekjen në vendet me shumicë myslimane dhe i ka cilësuar protestat të motivuara politikisht. Të paktën 25 persona janë vrarë si pasojë e përleshje me policinë prej fillimit të dhjetorit.