Ballina Rajoni Sulmohet Ambasada e Malit të Zi në Beograd

Sulmohet Ambasada e Malit të Zi në Beograd

Vijon të mbetet e tensionuar situata në mal të zi dhe serbi, ku prej ditësh po protestohet kundër ligjit që shtetëzon pronat e kishës në mal të zi. Mbrëmë në Beograd situata degjeneroi në dhunë. Një grup huliganësh sulmuan me mjete piroteknike ambasadën e Malit të Zi dhe dogjën pjesërisht flamurin që ndodhej në selinë diplomatike.

Pas akteve të dhunës reagoi menjëherë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç. Në  një postim në twiter ai tha se ende vendi i tij po përballet me sfidën e mbrojtjes së pavarësisë dhe lirisë.

“Ne do ta ruajmë Malin e Zi, përkundër urrejtjes që kërkojnë të mbjellin aktorë brenda dhe jashtë kufijve të tij.”

Ministria e Jashtme e Malit të Zi dënoi aktin e dhunshëm të djegies së flamurit, duke e cilësuar atë vandal. Kritikat e forta ka lëshuar edhe ndaj autoriteteve serbe për indiferencën që po tregojnë sipas tyre.

“Megjithëse sulmi ndaj ambasadës u njoftua dy ditë më parë dhe zgjati më shumë se një orë, është e pakuptueshme që agjensitë e sigurisë së Republikës së Serbisë nuk bënë pothuajse asgjë për të parandaluar goditjet piroteknike dhe sulmin ndaj simboleve kombëtare të Malit të Zi”

Ministria e Jashtme ka thirrur për të dhënë shpjegime ambasadorin serb në Podgoricë, teksa u kërkon autoriteteve serbe të dërgojnë para drejtësisë autorët e sulmit.