Ballina Kulturë Portret: MULLA JUSUF ELEZAJ, FJALËMIRI I ODAVE TË BURRAVE – Nga Tahir...

Portret: MULLA JUSUF ELEZAJ, FJALËMIRI I ODAVE TË BURRAVE – Nga Tahir Bezhani

Mulla Jusuf Elezaj në odë burrash

Njeriun me karakteristika të veçuara,e bëjnë të dalluar në mesin e shumë të tjerëve, pikerisht shfaqja dhe perdorimi i tyre ne dobi të shoqërisë.. Si vlera unike vlerësohen urtësia, modestia, humaniteti, sakrifica, mirësjellja, bamirësia etj. Këto janë vlera të Mulla Jusu Elezaj, si person fetar, i kompletuar me edukatë e dije të gjithanshme.Gjatë  karrierës së tij,i ka kushtuar kujdes të veçantë dhe ka  vlerësuar çështjen kombëtare, si element  parësor. Në vetvete mban edhe   shumë cilësi njerëzore pozitive, që këtë imam, pra, Mulla Jusu Elezaj, e bëjnë të dashur, të respektuar në qytetin e Gjakovës me rrethinë.

Mulla Jusuf Elezaj ka lindur në Saradran të Istogut në vitin 1951. Shkollën fillore e mbaroi në Terstenik dhe Haxhaj të Rugovës, prej nga e ka edhe prejardhjen.Që nga rinia e hershme, ishte i paisur me ato vlera të edukatës familjare,të cilat e bënë të pathyeshëm gjithë jetën, edhe në rrethana të vështira, kur të përplaste fort koha.

Shkollimin fillor e mbaroi me rezultate  shembullore. Sipas dëshirës së prindërve, por edhe të tijën,vijon mësimet në  Medresen”Alaudin” në Prishtinë, të cilën e mbaron me sukses të shkëlqyer. Pas shkollës së Medresës, si i zgjedhur, prirë nga talenti dhe aftësitë, ia propozojnë studimet teologjike në Kajro. Pasi pranon të studjojë në Kajro, zgjodhi Drejtësinë Islame në gjuhën arabe. U cilësua si një ndër kandidatët më të mirë,duke mbaruar në afat studimet teologjike islame.

Mulla Jusuf Eleza,në xhami, gjatë ligjërimit  nga Kurani

Tani, Mulla Jusuf Elezaj, pasurohet me dije të reja e kulturë orientale, duke njohur  mirë arabishten, anglishten dhe sërbishten.  Pra,një hoxhë që ftet tri gjuhë, duke mosllogaritur amtaren. Pas mbarimit të fakultetit teologjik në Kajro, kthehet në Pejë,si imam-ligjërues i çështjeve fetare . Në vitin 1986  BI e Kosovës e transferon në Gjakovë. Në këtë qytet qëndroi deri në vitin 1995. Pastaj prapë, transferohet në Xhaminë e Kapeshnicës në Pejë, aty ku fillojnë perjetime më të idhta në karrierën e tij, dhunë nga pushteti serb dhe nga fallangat e tij,në vitet e eskalimit të luftës në Kosovë.

Janë të tmershme rrëfimet e Mulla Jusuf Elezaj për kohën sa ka shërbyer ne  Kapeshnicë si imam. Tregon dhunën e keqtrajtimin e policisë serbe ndaj tij si fetar islam, duke kërkuar shumë gjëra, si ç’armatosjen e qytetarëve, që ishin duke luftuar për lirinë e atdheut. Në asnjë moment nuk ka pranuar zbatimin e atyre urdhërave monstruoze në dëm të popullit. Kur ishte i zënë ngushtë,u thoshte atyre katilave të Serbisë:” unë jam me Rugovën, jam për lapsin, për zgjidhjen e problemeve me marrëveshje, jo me dhunë. Unë e dua Rugovën…”

Duke parë qëndrimin e tij të paluhatur, e vënë në shënjestër për ta likuiduar në momentin që i vjen radha. Një ditë e premte, kur ishte në xhami për të “falë të xhumanë”, me disa të tjerë, papritur, gjëndet i rreshtuar dhe i mbështetur për muri me duar lart,vet i 11-ti,për t’i pushkatuar. Por, thotë Mulla Jusufi,”fati im dhe të tjerëve, ishte besimi në Zotin. Në atë moment  kaloi një makinë e ushtrisë së rregullt jugosllave dhe kur i panë shamikuqtë-paramilitarë, nuk i lanë të na ekzekutojnë.”“Shpëtuam pahiri-thotë hoxha!…”

Pas lufte, kur kthehet, gjen çdo gjë të kallur nga pasuria. Transferohet  sërish në Gjakovë, ku edhe jeton e punon si imam deri në vitin 2016.Mulla Jusuf Elezaj,tani i pensionuar që nga viti 2016, edhe më tej shkon në oda burrash, në të pame, të cilin qytetarët e ftojnë enkas, për faktin se prezenca e tij në oda, posaçërisht në raste mortore, është i mirëpritur. Fjalëmbël, pa “filozofi” të tepruar, me një fjalor të rrjedhshëm të shqipes, me modesti njerëzore,i paisur me  dije universale, bëhet i dashur për qytetarët kudo. I gatshëm për përgjigje në çdo pytje.

E dashti rasti dhe në një të pame këto ditë, natën e Krishtlindjeve, erdhi për ngushëllime një qytetar i besimit  katolik, i cili pasi kreu detyrimin për kryeshëndosh, Mulla Jusufi, iu drejtua, duke ia uruar natën e festës së Krishtlindjeve. Ishte ky një shembull i mirë e tipik për edukatën e mosurrejtjes vllazërore mes feve tona. Sa mirë u mirëprit nga të pranishmit në odë!

Në bisedë e sipër, kur koha lejonte ndonjë pytje, Mulla Jusufi u shpreh se mbulesat e femrave me mafeza të zi, ku nuk i duket fytyra e tyre, nënës apo   motrës  sonë, nuk është e lejuar me fe islame. Nuk shkruan askund të veprohet në atë mënyrë.

 

Mulla Jusuf Elezaj është një personalitet fetar e njerëzor, të cilin jeta dhe përvoja e tij familjare , personale e shoqërore, e ka kalitur  në shumë e shumë prova jete, të cilat me sakrificë e mençuri njerëzore i ka tejkaluar ,për të mbetur një figurë e respektuar nga qyetarët për  kohë të gjatë.

Gjakovë, 25 Dhjetor 2019