Çlirimi në nivel global i dioksidit të karbonit u rrit gjashtë për qind këtë vit, sipas një vlerësimi të ri. Kjo vjen në një kohë kur shkencëtarët thonë se bota duhet të ulë ndjeshëm nivelin e çlirimit të gazeve të efektit serrë në mënyrë që të shmanget më e keqja nga ndryshimet klimatike. Megjithatë, ka një lajm të mirë në luftën kundër ndryshimit të klimës. Djegia e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, burimi i më i madh i çlirimit të dioksidit të karbonit, dhe përdorimi i qymyrit u ul pak këtë vit.
Këtë vit, tre nga dhjetë prodhuesit kryesorë të qymyrit në vend falimentuan. Ata ishin viktimat më të fundit të një industrie në rënie.
Prodhimi i qymyrit amerikan është në një nivel mbi 30 për qind më të ulët se sa në kulmin e tij të vitit 2008, dhe pritet të vazhdojë të bjerë.
Charles Snavely, Sekretar i Energjisë dhe Mjedisit në Kentaki, dhe ish-ekzekutiv i industrisë së qymyrit dha një prognozë të zymtë për industrinë në një konferencë në maj.
“Unë mendoj se rreziku është nga një rënie më e madhe. Nëse ne tashmë jemi duke parashikuar një rënie të konsiderueshme me kalimin e kohës, unë mendoj se ndoshta ajo do të jetë më keq.”
Presidenti Donald Trump bëri fushatë në vitin 2016 për ringjalljen e industrisë së qymyrit.
Ai ka lehtësuar rregullat kundër ndotjes, për të cilat thotë se po pengojnë industrinë.
“Do t’ua japim atë minatorëve.”
Megjithatë, termocentralet me thëngjill vazhdojnë të mbyllen në të gjithë vendin.
Përparimet në teknologjinë e shpimit kanë ulur koston e gazit natyror. Edhe kostoja e energjisë së erës dhe asaj diellore ka rënë. Kjo ka ndodhur më shpejt sesa pritej, thotë ekonomisti i Universitetit të Uajoming, Robert Godby.
“Forcat e tregut e kanë zhvendosur tregun e qymyrit në një vend që shumica prej nesh nuk e priste për një periudhë kaq të shkurtër kohore.”
Dhe vendet e punës që industria e qymyrit i ka humbur nuk janë rikthyer në kohën qëkur Presidenti Trump mori detyrën.
Këto lëvizje të tregut janë një nga arsyet që çlirimi në nivel global i karbonit nga qymyri është ulur pothuajse një për qind këtë vit, thotë kryetari i Projektit Global të Karbonit, Rob Jackson, në Universitetin e Stanfordit.
“Po shohim një rënie me të vërtetë të shpejtë të përdorimit të qymyrit, si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Evropë. Në të dy rajonet, përdorimi i qymyrit vetëm për këtë vit është ulur rreth 10 për qind, gjë që është vërtet befasuese.”
Por, përdorimi i qymyrit u rrit këtë vit në Indi dhe në Kinë, konsumatori më i madh në botë i qymyrit. Kjo pothuajse anuloi rëniet në rajonet e tjera të botës. Këto dy vende planifikojnë të ndërtojnë më shumë impiante të qymyrit. Kjo ngre shqetësime për rritje të çlirimit të dioksidit të karbonit në të ardhmen.
Por ato impiante mund të mos përdoren shumë. Të dyja vendet tashmë kanë ndërtuar më shumë impiante sesa përdorin, thotë Tim Buckley nga Instituti për Ekonomi Energjitike dhe Analiza Financiare.
“Çdo termocentral i qymyrit po përdoret mesatarisht një herë në dy ditë. Pra, në të vërtetë po ndërtohen kapacitete të reja që janë të tepërta për nevojat e vendit.”
Por, ndërsa përdorimi qymyrit është duke rënë, çlirimi i gazeve serrë nga djegia e karburanteve vazhdon të rritet, dhe përdorimi i gazit natyror po rritet. Ky është një lajm i keq për klimën, thotë zoti Jackson.
“Ulja e përdorimit të qymyrit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë thjesht nuk është e mjaftueshme për të stabilizuar çlirimin në nivel global të karbonit dhe uljen në nivel global të përdorimit të qymyrit.”
Për të zgjidhur problemin e ndryshimit të klimës, thotë ai, bota duhet të bëhet serioze në lidhje me ndërprerjen e përdorimit të të gjitha karburanteve fosile.