Dr. Dre është shpallur nga Revista Forbes si ylli me fitimet më të larta në muzikë gjatë dekadës së kaluar.
Kompania e 54-vjeçarit për kufje “Beats” e ndihmoi atë të fitonte 950 milionë dollarë gjatë 10 viteve të fundit, përmes 20% të aksioneve të tij në këtë biznes.
Dre, emri i plotë i të cilit është Andre Romelle Young, albumi i fundit i të cilit erdhi në vitin 2015, ia shiti atë kompanisë Apple në një marrëveshje 3 miliardë dollarëshe pesë vjet më parë. Kjo lëvizje bëri që ai të mposhtë yllin e popit Taylor Swift për vendin e parë.
Kështu Swift u rendit e dyta me 825 milionë dollarë falë disa albumeve hit dhe turneve botërore ndërsa Beyonce zuri vendin e tretë me 685 milionë dollarë.
Më tej Top 5 e plotëson U2 në vendin e katërt me 675 milionë dollarë, dhe Diddy në të pestin me 605 milionë dollarë. Lista përfshin vetëm artistët e gjallë, pasi nëse do të ishte më gjithëpërfshirëse, Michael Jackson do të kishte kryesuar me 2.37 miliardë dollarë fitime gjatë 10 viteve të fundit që nga vdekja e tij më 25 qershor 2009.