Ballina Aktualitet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përshëndet konstituimin e Kuvendit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përshëndet konstituimin e Kuvendit

Pas konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës, ndër të parët që ka reaguar ishte Presidenti Hashim Thaçi. Përmes një postimi në Facebook, ai uroi deputetët, por jo kryeparlamentarin e ri.

“Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar. Prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lenë mënjanë interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”. 

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli e konsideron krizën politike artificiale.

“Ajo që është kryesore nuk duhet t’i polarizojmë qytetarët në mes veti dhe nuk duhet të krijojmë kriza artificiale të cilat mund ta bëjnë situatën krizë sociale siç është marrja e pagave që nga Shkurti, përkatësisht Marsi i vitit të ardhshëm”.

Ambasada Amerikane në Prishtinë përshëndeti konstituimin e Kuvendit të ri dhe zgjedhjen në krye të Glauk Konjufcës dhe bëri thirrje të krijohet sa më shpejt qeveria e re.

“Ambasada e SHBA-së mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron kryetarin Glauk Konjufca dhe anëtarët e tjerë të kryesisë së Kuvendit. Ne inkurajojmë liderët politikë që menjëherë të formojnë qeverinë e re, e cila duhet të angazhohet për të përmbushur premtimet e dhëna për votuesit”.

Në Shqipëri, reagimi i parë erdhi nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili teksa uroi Glauk Konjufcën, e ftoi atë në Tiranë për të nisur bashkëpunimin mes dy parlamenteve.