Ballina Aktualitet NE JEMI PËR NEGOCIATA… – Deklaratë urgjente e akademik Isa MUSTAFA –...

NE JEMI PËR NEGOCIATA… – Deklaratë urgjente e akademik Isa MUSTAFA – Kryetar i LDK-së-

Të dashur miq,

Qytetarët e Kosovës, më 6 tetor, përmes votës të tyre, na kanë dhënë besimin për të ndryshuar gjërat për të mirë.
LDK-ja dhe unë, pavarësisht arsyeve të shumta që lidhen me raportet tona me VV-në në të kaluarën, jemi ulur në tryezë dhe kemi negociuar.
Në këtë proces, jemi kujdesur dhe kemi arritur ta imponojmë njohjen e proceseve dhe të atributeve të Kosovës shtet i pavarur e sovran, përcaktimin e saj strategjik euro-atlantik, përfshirë edhe modelin e ekonomisë sociale të tregut, si përcaktim strategjik dhe zhvillimor të Kosovës.
Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord.
Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti.
Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar.
Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së.
Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shume, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Mandatin në 6 tetor, për një deputet më shumë se LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje, e ka marrë për ta larguar PAN-in e jo për ta sfiduar LDK-në.
LDK-ja dhe unë do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë ndryshimin e kërkuar nga qytetarët e Kosovës më 6 tetor. Natyrisht, jo duke shpërfillur përpjekjet për ta lënë LDK-në fajtore për ambiciet përtej legjitimitetit qytetar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Video-mesazhin e sotëm, Albin Kurti dhe Vetëvendosje, përpara se t’ua drejtonin qytetarëve, është dashur të na i thonë neve të LDK-së, meqë na konsiderojnë partnerë.
Gjithsesi, mesazhin e kemi të qartë edhe ne në LDK, por besoj edhe qytetarët e Kosovës.
Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë.
Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë.
Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore.
Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet.
E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë te parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja.
Ne jemi gati për negociata.