Ballina Kulturë NDONJËHERË – Nga Lulzim LOGU

NDONJËHERË – Nga Lulzim LOGU

Ndonjëherë kriset jeta, si një letër e vjetër, ruajtur diku në terr
Si sipërfaqja e rrudhur e kuvertës ku flije pak më parë
Ndonjëherë kriset jeta si copëz akulli në liqenin alpin
Ndërsa ti tundohesh edhe njëherë ta përshkosh deri në fund
Mund t’ja dalësh në triumfin me veten dhe natyrën
Mund të biesh, krijesë herbari në pellgun e algave
Me të gjelbrën joshëse dekor…

Ndonjëherë kriset jeta në fjalë pa lidhje
Duke fyer dashurinë gjithmonë të pafaj
Të njeriut që i ke falur me kohë thelbin tënd
Dhe ai e gjuan në koshin e tij të koleksionit
Një numër më shumë, asgjë tjetër…

Ndonjëherë kriset jeta, një pikë gjaku në mikroskop
Ta ndryshon shtratin dhe rrjedhën, mjegull mbi të ardhmen
A ka diçka tjetër pas vetes dhe jetës, dyshimi gërryen
Si tenja dollapin ku fshihnim dhuratat e Krishtlindjes dikur…
Ndonjëherë kriset muri i jetës dhe bie nga goditje nate
Menopauzë e tokës dhe mëkatimi ynë i përbashkët mbi të
Termeti i harresës mbi përkushtimin e perjetshëm ndaj saj
E zhgënjyer shfryn nga shtrati i nxehtë, gurë dhe llavë
Atëherë kerkojmë zotin në selinë e tij të gjithëkundshme
Dhe i kthehemi njeri tjetrit me duar të lidhura në lutje…

Ndonjëherë kriset jeta, si pantollonat e fëminisë me arna
E marrim në duar dhe nuk dimë ç’të bëjmë me të dhe veten
Por befas,tej xhamit dhe vijës së lakuar të horizontit
Shfaqet diçka e re, diçka ndryshe, diçka tjetër…

Tropojë, 25/12/2019