Ballina Rajoni 30 vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës TË VAZHDOHET...

30 vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës TË VAZHDOHET MISIONI HISTORIK… – Nga Jusuf Buxhovi *

Me moton për liri, barazi dhe demokraci dhe në saje të përfshirjes të gjitha shtresave shoqërore dhe politike në të, Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar më 23 dhjetor 1989 nga brezi i intelektualëve që mori përgjegjësinë për fatet e vendit në rrethanat vendimtare, kur Kosovës iu mor autonomia me dhunë nga Beogradi dhe federata kishte filluar shpërbërjen, shpejt u kthye në lëvizje kombëtare, që vuri në binarë dy procese historike:  rrënimin e strukturës së lidhjes komuniste e me të edhe të ideologjisë së saj, si dhe shkëputjen nga pushtimi serb, zhvillime këto që ia hapen rrugën shtetndërtimit të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës në ato rrethana arriti të bëjë një kthesë edhe të mendësisë politike të deriatëhershme, e cila shquhej për orientimin totalitar, duke e kthyer nga vlerat  demokratike  dhe konceptet euro-atlantike. Orientimi i ri politik,  i përqafuar nga të gjitha shtresat e popullatës, bëri që çështja e pazgjidhur e Kosovës të vështrohet nga një prizëm tjetër nga shtetet e perëndimit, duke kaluar në një stad të ri ndërkombëtarizmit si dhe kthimi pënjëhershëm të vëmendjes ndaj një  popullatë e cila më herët shihej si politikisht e dezintegruar dhe e manipuluar. Kthimi i vëmendjes nga Kosova bëri që njëkohësisht faktori ndërkombëtar të marrë edhe obligime rreth gjetjes së një modusi të zgjidhjes së këtij problem të ndjeshëm jo vetëm ballkanik, pore dhe më gjerë.
Në këtë rrugëtim historik, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dy pamje. Atë të rezistencës institucionale, me shtetin paralel, që mori përsipër proceset e shtetndërtimit, së cilës, me shpalljen e Deklaratës për Pavarësitë 2 korrikut 1990, Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtator 1990, dhe Referendumit për Pavarësitë 26 shtatorit1991  e deri te zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të 24 prillit 1992, iu krijua infrastruktura e legjitimiteti demokratik.
Kjo pamje, që filloi më 23 dhjetor 1989 dhe zgjati deri më 12 qershor 1999, është historike.
Pamja e dytë, është e partisë politike, në përputhje me rrethanat e reja që solli protektorati ndërkombëtar nga 12 qershori i vitit 1999 deri te koha jonë.
Pamja si parti politike në kuadër të jetës parlamentare të vendit, po ashtu,  ka dy faza të tjera: atë të suksesit – nga viti 2000 deri në 2007,  me ç’rast, LDK-ja, doli fituese në zgjedhjet e para lokale në vitin 2000, ato vendore në vitin 2001 dhe 2004. Dhe, nga viti 2007 e deri te koha e fundit, ka fazën e rënies dhe të humbjes së rëndësisë së saj si parti kyçe në jetën parlamentare të vendit.
Në këtë ndërkohë LDK humbi radhazi të gjitha zgjedhjet deri te këto të fundit. Tatëpjeta e LDK-së sa  ka të bëjë me vdekjen e parakohshme të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova si dhe boshllëkun drejtues që la, ka të bëjë po aq edhe me luftën e brendshme për pushtet të grupeve të ndryshme, që partinë e çuan deri te përçarja si dhe margjinalizimi i saj në jetën politike dhe shoqërore të vendit.
LDK duhet ta kuptojë se është parti misionare, ajo që duhet të jetë gjenerator i ideve dhe koncepteve demokratike, por edhe zbatuese e këtyre koncepteve në jetën institucionale shtetërore, për të cilat pati dhe ka ende përkrahjen e gjerë ndërkombëtare. Që të vazhdojë këtë mision ajo duhet të reformohet thellësisht, duhet t’i kthehet vlerave të veta burimore duke bërë ripërtëritje të vazhdueshme si me kuadër ashtu edhe me ide të reja. Ajo sot gjendet në një stad të vegjetimit, përkundër faktit se në zgjedhjet e fundit doli parti e dytë,  por jo për shkak të përvetësimit të elektoratit me programe e strategji që ofrojnë zgjidhje, por për shkak të marrjes së votës ndëshkuese të elektoratit të dëshpëruar me partitë në pushtet.
LDK sot ka nevojë për një reformim të thelle, reformim bazik në të gjitha strukturat e saj. Ndryshe do të mbetet një parti që as e ushtron misionin për të cilin është themeluar e as lejon hapësirë për një forcë të re të këtij orientimi. Ndaj,  LDK do t’i takojë historisë vetëm për periudhën e aktivitetit të saj gjatë periudhës së paraluftës, kur ishte faktori dominues politik dhe e vetmja lidhje me qendrat e vendosjes.

*Autori ishte Koordinator i Grupit Nismëtar, hartues i dokumenteve të partisë dhe Sekretar i Përgjithshëm nga 23 dhjetori 1989 deri më 5 maj 1991 dhe anëtar i Këshillit Qendror deri në vitin 1993.

Dërguar nga telefoni im inteligjent Samsung Galaxy.