Ballina Aktualitet Agron Tufa dhe Shqipëria as demokratike dhe as e sigurtë – Nga...

Agron Tufa dhe Shqipëria as demokratike dhe as e sigurtë – Nga Prof. Dr. Lush SUSAJ

Dëbimi i Agron Tufës në azil, nuk është një fenomen i rastit. Përkundrazi është i paralajmëruar dhe shumë i përhapur në shqipërinë tonë të dashur që akoma nuk është as demokratike dhe as e sigurtë. Kerkesa e tijë për azil është në vazhdën e kerkesës së mbi 400000 shqiptarëve të tjerë që në këto pak vite kan aplikuar për azil dhe leje qëndrimi në SHBA dhe në vendet e ndryshme të Europës. Megjithatë, rasti i Agron Tufës duhet të kuptohet e lexohet edhe si një rast tipik denoncues para historisë së Shqipërisë dhe institucioneve të botës së qytetaruar. Kerkesa e Agronit për azil, denoncon fuqishëm demagogjinë dhe hipokrizinë mbi demokracinë dhe sigurinë e munguar në Shqipëri, denoncon mungesën e dekomunistizimit të shtetit dhe të institucioneve, si dhe mungesën e një ndjese të sinqertë ndajë viktimave të pafajshme të komunizmit. Agron Tufa dhe të gjithë intelektualët e guximshëm antikomunistë e euro-atlantik, përgjatë këtyre 29 viteve kanë denoncuar dhe vazhdojnë të denoncojnë mashtrimin dhe sofizmat e njohura për dhjetorat e dhjetoristat që duken njëlloj sikur ato përrallat bajate me nëntorat dhe 200 petritat lule. Dihet fakti se si komunistët radikalë, vetëm për pushtetin e tyre politik, menjanuan, dëbuan dhe eleminuan të gjithë idealistët, për të cilët At Zef Pllumi (2015), thoshte Komunizmi kishte deprtue në Shqipni, intelektualet e rij që kanë pas ardhë ishin gjithë me ide komuniste, pavarësisht se Enver Hoxha i hoqi ata intelektualë, sepse ata dojshin nji komunizëm idealist, i cili nuk asht zbatue kurrë”.  Për këtë të vertetë të dobishme për rininë dhe të ardhmën politike e shtetërore të Shqipërisë, punoj dhe foli hapur Agron Tufa që u sulmua dhe u kercenua aq ashpër nga njerëzit dhe klanet nepotike të pushtetit dhe të politikës së vjetër. Agron Tufa nuk bëri kurrë thirrje as për hakmarrje, as për dhunë dhe as për përçarje kombëtare. Përkundrazi, ai dhe ish të burgosurit e tjerë politikë, në emër të një shoqërie e të ardhmje më të mirë, i falën persekutorët e tyre. Në të gjithë veprimtarinë e tijë letrare e shtetërore, Agron Tufa ka punuar dhe ka bërë thirrje për pajtimin kombëtarë, përmes njohjes së të vertetave mbi atë që ka kaluar shteti dhe shoqëria shqiptare, me qëllim që komunizmi si ideologji, si sjellje e si praktikë anarkiste e degraduese të mos përseritet më kurrë. Agron Tufa dhe askush nga ata që kanë vuajtur në hetuesinë komuniste, apo në gjygjet e përgatitura me akuza të fabrikuara, apo në interrnimet dhe në burgjet vdekjeprurëse, nuk ka patur lidhje as me fajet dhe as me krimet e komunizmit. Agroni e dinte që mashtrimi që kemi jetuar e që po jetojmë, i ka shërbyer e do ti shërbejnë vetëm pushteteve dhe pushtetarëve të hajnisë, shtypjes dhe varfërisë së thellë të shqiptarëve. Politika e shtypjes dhe e përçarjes sonë kombëtare, ka qënë dhe është e interesuar për fshehjen e të vertetave të mëdha të cilat janë kamufluar dhe po kamuflohen me demagogjinë dhe sofizmin që synojnë të krahasojnë e të barazojnë viktimën me kriminelin, ndertuesin me shkatërruesin, delen me ujkun. Barazimi, bashkëvuajtja dhe bashkëfajësia nuk ka ekzistuar kurrë, sikurse pergjegjësit e dhunës dhe terrorit janë njerëz dhe institucione të njohura që duhen denoncuar dhe mbajtur sa më largë politikës, administratës dhe praktikave tona shtetërore. Kjo e bëri Agronin (dhe të tjerë si ai) të padëshiruar për strukturat e neodiktaturës abuziviste, përçarëse e penguese të zhvillimit. Kjo e la Agronin edhe pa atë mbështetjen morale e njerëzore që meritonte e që duhet ta merrte nga politika dhe nga strukturat legale të shtetit. Dëbimi dhe heshtja ndaj azilit të Agron Tufës është dëshmia më e mirë mbi atë që realishtë ka ndodhur në Dhjetorin e vitit 1990, kohë kur ish strukturat e vjetra të komunizmit punuan dhe ja arritën që të paralizojnë dhe të defaktorizojnë ëndrren e bukur studentore për një shqipëri demokratike dhe europiane. Këtu e ka zanafillën humbja e një shansi historik të papërseritshëm për t’u ndarë njëherë e mirë nga rruga shkatërrimtare e zhvillimit kaotik, antivlerë dhe antimoral. Këtë pabesi e kam përjetuar dhe denoncuar që në Mars të vitit 1991, kohë kur pamë se si mbi kokat tona dhe në krye të institucioneve të politikës dhe shtetit që po krijohej u katapultuan ish zyrtarët dhe ish spihunat më të rëndomtë e më të pamoralshëm të komunizmit. Është fjala për ata njerëz që në këto 29 vite na kanë mashtruar, korruptuar, përçarë, varfëruar, vjedhur e turperuar pa masë e pa mëshirë. Madje edhe janë bërë shumë të pasur (kuptohet me hajdutëri) e të fuqishëm, sa dhe guxojnë të kercenojnë me dhunë institucionet dhe elitën euro-atlantike të vëndit. Këtë lloj sjellje të ligë e të pabesë e kam njohur dhe provuar edhe mbi kurrizin tim gjatë atyre 8 muajve të viteve 1987-1988 që kam kaluar në hetuesinë e dhunshme të Tropojes dhe më pas në gjyqin special të zhvilluar në Tropojë me 5 Shkurt 1988. Përsonazhet tinëzare e antishtetërore të dosjes time, të dosjes së Agron Tufës dhe të gjitha dosjeve të tjera të ish të denuarve politikë akoma vazhdojnë të punojnë dhe të turbullojnë strukturat tona shtetërore e politike, akoma vazhdojnë të bëjnë lojën e tyre të mashtrimit, vjedhjes, korruptimit dhe turpërimit të shtetit dhe shoqërisë. Si askund tjetër në këtë botë, në Shqipërinë e këtyre 29 viteve, kemi parë dhe përjetuar metamorfozën dhe mënyrën se si ish spihunat dhe ish zyrtarët që kanë iniciuar e që kanë bërë hetuesinë time, të Agronit dhe të gjithë ish të dënuarve të tjerë të komunizmit, nuk janë gjykuar, as dënuar, përkundrazi kanë bërë karrierë në politikë, janë bërë deputetë, ambasadorë, gjykatës të lartë, prokurora, etj. Këta parbindësha kanë kryer edhe një tjetër vepër të shëmtuar dhe antishqiptare, atë të edukimit të fëmive të tyre me një urrejtje rracore, klasore e krahinore të paimagjinueshme, të panevojshme, të padëgjuar e që ndihet kudo në zyrat dhe institucionet që drejtohen prej tyre. Kjo kategori njerëzish po lartësohet pa meritë në detyra dhe po promovohet pa asnjë të drejtë morale e ligjore si shëmbulli më i mirë për rininë dhe elitën. Emigrantët tonë bisedojnë me zemëratë edhe për atë mënyrën se si ishat e diktaturës komuniste, akoma vazhdojnë të priten e të përcillën me nderime nga amasadat tona në Londër, në Paris, në Uashington, etj, pa e ditur që këta manipulator me kollare (Sulejman Abazi, Edmond Caja, Luan Behri, etj), nuk sjellin asgjë më shumë se sa degradimin dhe turpërimin e thellë të politikës dhe të institucioneve. Në këtë mënyrë, edhe diplomacia jonë, duket që ka kohë që nuk lobon e nuk po punon për interesat e integrimit të shqiptarëve dhe Shqipërisë, dhe as për ndihmat dhe financimet për të përballuar pasojat e termetit të datës 26 Nëntor 2019. Populli thotë “si niset, bitiset”, ndërsa Faik Konica (Korrik, 1898) thoshte “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari. Kjo katrahurë duket që ka ndodhur e po ndodh edhe për shkak se anarkia marksiste, e miksuar me një traditë bizantino-otomane të theksuar, në vend të dashurisë dhe përkushtimit për shqipërinë dhe përparimin tonë shoqëror e politik, ka kultivuar për një kohë të gjatë nënshtrimin, dashurinë për sundimtarin, për partinë, për bejllëkun dhe për përuljen dhe puthjen e dorës së beuta po sulltanit. Edhe kanosja dhe dëbimi i Agron Tufës dhe gjithë qëndrestarëve antikomunistë, si dhe fshirja e historisë kriminale të komunizmit në Shqipëri, ka qënë dhe vazhdon që të jetë një mision i ishave të diktaturës që fatkeqësishtë nuk u trajtuan kurrë si duhet dhe nuk u larguan asnjëherë nga pushteti i tyre politik, ekonomik dhe institucional. Ikja e detyruar e Agron Tufes në azil tregon se Shqipëria akoma nuk është bërë aspak demokratike dhe as një vënd i sigurtë për jetën dhe të drejtat bazë të njeriut. Shqiptarët duhet të pranojnë me kurajo të vertetat e historisë së tyre të trishtë dhe të duhet të përballen me betejën e madhe për zhvillimin demokratik të vendit e të shoqërisë. Në këtë rrugë, nuk ka asgjë më të rendësishme se sa bashkimi i dijeve, vullneteve dhe gjithë energjive tona kombëtare, bashkë me lutjen tonë të përjetshme – ndihmona o Zot në këtë rrugë e qëllim.