Ballina ED/OP Lakmia e LDK-së për tepsinë e pushtetit – Nga Islam Lauka

Lakmia e LDK-së për tepsinë e pushtetit – Nga Islam Lauka

Kaluan dy javë nga certifikimi i zgjedhjeve dhe Vetëvendosja me LDK-në nuk po arrijnë të merren vesh për koalicionin qeverisës. Duket se LDK e ka ngritur shumë pazarin. Veҫ postit të ministrit të brendshëm dhe portofolit të disa ministrive të tjera, zëvendëskryeministrit të parë dhe kryetarit të parlamentit, ajo po kërkon edhe kolltukun e presidentit, si kusht për arritjen e marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës.
Në qoftë se LDK niset nga “logjika” se e ka zënë ngusht Vetëvendosjen, se ajo nuk ka nga t’ia mbajë pa bërë koalicion me të dhe, o burra, të rrëmbejnë sa më shumë nga bakllava në tepsinë e pushtetit, atëherë, kjo s’është gjë tjetër, veҫ “logjika” e lakmisë së pangopur që, shpesh, i ҫon peshqit në rrjetë.
Kosova nuk e ka luksin për të vazhduar, qoftë edhe një ditë më shumë, me boshllëkun institucional. Janë të panumërta sfidat e mprehta që kërkojnë të adresohen, në mënyrë të menjëhershme, si në ekonomi, arsim, drejtësi, etj. Qytetarët e Kosovës nuk mund të presin pa fund tekat e politikanëve, lakmia e të cilëve, siҫ thotë Sami Frashëri, nuk u shqitet nga trupi, pa u dalë shpirti.