Ballina ED/OP Me shkas: PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (3) – Shkruan: Shefqet DIBRANI

Me shkas: PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (3) – Shkruan: Shefqet DIBRANI

(Ai gjithmonë ka qëndruar në anën e errët të hënës)
Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilën do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness
Minatorët e Kombinatit Metalurgjik “Trepça” në Mitrovicë, më 20 shkurt 1989, kanë nisur Grevën e Urisë[1] e cila do të vazhdojë për tetë ditë me radhë, (20 – 28 shkurt 1989). Ata, kanë protestuar kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, që me Kushtetutën e vitit 1974, ishte pjesë përbërëse e Federatës Jugosllave[2], me një fjalë Greva e 1300 minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989, ishte rezistenca më e fuqishme politike e asaj kohe, kundër presioneve të errëta të regjimit në rritje të Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu në fakt fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë[3].
Greva u zgjerua edhe në Stari – Tërg, Kishnicë e Novoberdë dhe në Golesh. Minatorët i sensibilzuan të gjithë shqiptarët në Kosovë, të cilët u hodhën në grevë të përgjithshme. E tërë jeta ishte paralizuar, janë mbajtur me mijëra tubime solidarizuese duke i përkrahur kërkesat e minatorëve. Shkollat nuk punonin, kurse studentët e UP-së protestonin në palestrën e sportit “25 Maji”, tash “1 Tetori” në Prishtinë. Edhe autori i këtij shkrimi ishte pjesë e drejtpërdrejt e atyre protestave. (Edhe sot më kujtohet kur Palestinë Ferizi, e bija e gazetarit Jusuf Ferizi, dha lajmin se pas tetë motrash ato kanë një vëlla, e pasi minatorët janë në grevë, ne vëllain tonë e kemi pagëzuar Minator tha ajo).E përmenda këtë rast, për të kuptuar se ishte një gjeneratë e hershëm, ai brez me plot idealizëm që i themeloi degët e LDK-së, të cilët tani po poshtërohen nga klientela e Kolegjit RIINVEST dhe Brezi i Republikës dhe po e shkatërrojnë LDK-në, që për ironi ky brez qenkan shkolluar në Amerikë dhe nëpër Universitete Evropiane?!
Gjatë atyre ditëve, me minatorët janë solidarizuar edhe shkrimtarët dhe organizata të ndryshme shoqërore-politike të cilat mbanin mbledhje të shumta[4], por askund, me asnjë fjalë të vetme nuk mund ta dëshmojë Isa Mustafa se ishte me popullin se i përkrahte kërkesat e popullit[5], përkundrazi ai gjithmonë ka qëndruar në anën e errët të hënës.
Greva që zgjati tetë ditë, njihej si greva më e gjatë nëntokësore që ishte mbajtur ndonjëherë. Epilogu i grevës u përmbyll me hospitalizimin e 180 minatorëve dhe dorëheqjen e udhëheqësve të kreut pro-Milloseviçit, Rrahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi, që rezultoi të ishte një mashtrim komunist. Komunistët janë mashtrues, atyre nuk duhet besuar[6], andaj nuk po kuptoj pse një gjeneratë po i beson Isa Mustafës i cili vazhdimisht nuk iu ka përmbajtur premtimeve.
Po ashtu gjatë pranverës së atij viti, përkatësisht më 23 mars 1989, nga Kuvendi i Kosovës u aprovuan ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Serbisë, ndërsa që atë ditë shpërthyen demonstrata të fuqishme të cilat zgajtën pesë ditë. Më 28 mars 1989, në Beograd u finalizua miratimi i Kushtetutës së RS të Serbisë, me çka de jure Kosova humbi edhe atë autonomi kulturore që kishte fituar me Kushtetutën e vitit 1974. Në këtë aneksim, kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe “eksperti”[7]Isa Mustafa, i cili karrierën e tij e nisi si Drejtor i dhunshëm në Qendrën e Studentëve të UP-së, qysh në maj të vitit 1981, për tu zgjedhur pastaj në shumë poste të lartat politike. Më 4 dhjetor 1989, vetëm dy javë para se të themelohej Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, është zgjedhur “Sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor-teknik me botën”, në Këshillin Ekzekutiv të KSA të Kosovës në krye me Jusuf Zejnullahun[8].
Një gjë është e qartë se gjatë viteve 1986 – 1989, Isa Mustafa, ka mbajtur pozita të rëndësishme në udhëheqjen komuniste në Kosovë, kurse në debatet e tija publike dhe nëpër intervista të shumta ai ka mbrojtur interesin e Serbisë në dëme të proceseve nëpër të cilat kalonte Kosova[9]. Natyrisht pasi ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv (KE) të Komunës së Prishtinës, dhe drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror, ka pasur një rol kyç si njeri i besuar i serbëve në ato procese.
Kur gjërat të shikohen në retrospektiv, nuk mund të besohet se ishte koincidencë zgjedhja e Sllobodan Millosheviqi, në maj të vitit 1986, kur u bë Kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, kurse një vit më vonë Serbia, do t’i nisi ndryshimet kushtetuese në interes të saj. Këto ndryshime në interes të Serbisë i ka përkrahur edhe Isa Mustafa!
Brezi i Republikës dhe klientela e Kolegjit RIINVEST, të kapërthurur në mënyrë antidemokratike në strukturat e LDK-së, duhet të kuptojnë se Isa Mustafa në ato procese ishte pjesë e Komisionit kushtetues të Kosovës në cilësinë e “ekspertit” si “drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror”. Ai së bashku me Syrja Popovcin, Hazër Susurin, Vesel Latifin, Habib Hashanin, Halit Muharremin, Qemal Sahatçiun, Pjetër Kolën, Shefqet Mustafën, Nik Lumezin etj., ka marrë pjesë aktive në shumë debate publike në Kosovë dhe në cilësinë e anëtarit të Komisionit Kushtetues të Kosovës ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Komisionit për çështje Kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Serbisë, që janë mbajtur në Beograd[10]. Viti 1989, ishte përplot ngjarje me rëndësi, por si asnjëherë më parë Elita Intelektuale e Kosovës u mobilizua për ta nxjerr Kosovën nga Kriza, duke qenë aktive, qoftë me forma protestuese por edhe me deklarata kundër përpjekjeve të Serbisë për ta pushtuar Kosovën. Si rezultat i këtyre përpjekjeve dhe rrethanave shoqërore e politike të asaj kohe, dhe në kundërshtim me angazhimet politike të Isa Mustafës, më 23 dhjetor 1989, dr. Ibrahim Rugova, bashkë me Elitën Intelektuale, themeluan LDK-në, partinë e parë antikomuniste në gjithë kampin e lindjes.
Legjenda:
Shënimet janë marrë kryesisht te portali PASHTRIKU.ORG: http://www.pashtriku.org/. Gazetat e cituara po aty dhe autor i shënimeve është Sheradin Berisha. Faksimilet e gazetave: Gazeta “RILINDJA”, 07 janar 1989; 18 mars 1989; 22 mars 1989, 24 mars 1989: 05 dhjetor1989, janë në portalin PASHTRIKU.ORG, por mund të gjenden kudo edhe në internet, d.m.th. saktësia e pohimeve lehtë mund të verifikohet, vetëm duhet një kërkim i shkurtër në portalin në fjalë ose një kërkim në Google! Natyrisht do të ishte me interes të përgjithshëm që këto gazeta dhe artikuj të skanoheshin në mënyrë profesionale që pastaj të shfrytëzoheshin edhe më mirë dhe të citoheshin në mënyrë korrekte!
St. Gallen, 07.12.2019.
Vijon…
[1] Arkivi RTK: “Greva e minatorëve 1989”, Video, 26.02.2015 https://www.youtube.com/watch?v=gjailsWMlm4
– Arkivi RTK: “Greva e minatorëve 1989”, Video, 22.11.2016; https://www.youtube.com/watch?v=Ihi0DgWZtYA
[2]“Kushtetuta e 74-ës siguronte autonomi, aktualja e bënë vendin jofunksional”, gazeta “Zëri” 28 shkurt 2016. https://zeri.info/aktuale/78323/kushtetuta-e-74-es-siguronte-autonomi-aktualja-e-bene-vendin-jofunksional/
[3]Isak Sherifi: “Zhvillimet politiko-diplomatike në ish-Jugosllavi me theks të veçantë Kosova dhe Maqedonia 1981-2008”, Universiteti i Tiranës, Instituti i Studimeve Evropiane, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, Tiranë 2013.
[4]Shkëlzen Maliqi: “Kosova 30 vjet më parë: Greva në “Trepçë” 1989”, Portali i autorit, 05.07.2019; http://shkelzenmaliqi.com/ku-ka-qene-kosova-30-vjet-me-pare/
[5] Mr. Isa Mustafa, sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor – teknik me botën, në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës! (Dhjetor 1989). Sheradin berisha: Funksionet politike të Isa Mustafës gjatë komunizmit! https://europafb.blogspot.com/2013/07/pro-et-contrafunksionet-politike-te-isa.html
[6] Xhafer Peci: Pse u ndërpre greva e minatorëve?, “Klankosova”, 20 Shkurt 2017. https://klankosova.tv/pse-u-nderpre-greva-e-minatoreve/
[7] Sheradin Berisha: “Karriera politike e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa gjatë regjimit komunist”, Albaniapress, 15 dhjetor, 2014. http://www.albaniapress.com/lajme/20704/Karriera-politike-e-kryetarit-te-LDK-se-Isa-Mustafa-gjate-regjimit-komunist.html
[8] Shih: “Demokratizimi i madh i politikës së kuadrove”, gazeta “Rilindja”, 5 dhjetor 1989.. më 4 dhjetor 1989”
[9] Zenun Çelaj: “Çështjet e harmonizuara nuk cenojnë autonominë”, Gazeta “Rilindja”, 22 mars 1989.
[10] Sheradin Berisha: “Karriera politike e Isa Mustafës, gjatë regjimit komunist (1980 – 1990)”, Prizren Press, 09 Dhjetor 2014. http://prizrenpress.com/opinione/karriera-politike-isa-mustafes-gjate-regjimit-komunist-1980-1990/